Ballina Aktualitet Përleshje në Shangai rreth masave kundër COVID-19

Përleshje në Shangai rreth masave kundër COVID-19

 

Në disa pamje në rrjetet sociale në Shangai janë parë përleshje në mes të policisë dhe banorëve, të cilët janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, teksa qyteti ka hyrë në javën e tretë të izolimit për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Disa ndërtesa banimi janë duke u shndërruar në qendra karantine.

Miliona banorë janë bllokuar nëpër shtëpitë e tyre, teksa Shangai përballet me shpërthim të ri të koronavirusit.

Secili që rezulton pozitiv vendoset në karantinë.

Mirëpo me më shumë se 20,000 raste të reja në ditë, autoritetet me vështirësi arrijnë të gjejnë hapësira të lira.

Autoritetet kineze kanë shndërruar salla të ekspozitave dhe objekte të shkollave në qendra karantine, si dhe kanë krijuar spitale të përkohshme.

Mirëpo numri i vogël i rasteve serioze në Shangai ka nxitur disa banorë të pyesin nëse izolimi është i nevojshëm.

Në javët e fundit, shumë banorë janë ankuar nëpër rrjetet sociale për kufizimet dhe për mungesë të furnizimeve me ushqim.

Kina është një prej shteteve të fundit që është ende e përkushtuar për të zhdukur pandeminë, për dallim prej disa shteteve që po përpiqen të jetojnë me virusin.