Ballina Histori Pjesa Nr. 17. Zamak i Flamurit… AT DANIEL DAJANI...

Pjesa Nr. 17. Zamak i Flamurit… AT DANIEL DAJANI S.J.

 

Nga Fritz RADOVANI:

AT DANIEL DAJANI

(1906 – 1946)
REKTOR I KOLEGJES SAVERIANE DHE
I SEMINARIT PAPNUER SHKODER

At Daniel DAJANI S.J., asht nder Jezuitët Shqiptar që ka lanë kujtime të pashlyeshme në kujtesen e nxanësve të Tij dhe të Popullit Shqiptar. Asht le në Blinisht me 2 Dhjetor 1906. Ka studjue në Seminarin e njohun Papnuer të Shkodres e ma vonë në Goricia t’ Italisë. Në Kieri perfundoi filozofinë.

Në vitin 1935 asht kthye n’ Atdhe e asht emnue mësues në shkollen që kishte studjue Ai vetë. Asht kenë shumë i përgatitun në gjuhen latinishte. Ngjarjet e vitit 1944 sollën ndryshime edhe në Seminarin Papnuer të Shkodres, ku At Dajani u emnue Rektor i Kolegjes e Seminarit Papnor të Shkodres, i cili në fillim të vitit 1946, u mbyll perfundimisht mbas arrestimit Jezuitve. Dhe kujtohen të pranguem gjoja si antarë të Organizatës “Bashkimi Shqiptar”, At Dajani e At Giovani Fausti, jezuit të pafajshem të dy, me 31 Dhjetor 1945.

Arrestimi i Rrektorit dhe i Zv. Rrektorit Jezuitve të Shkodres, i lidhun nga vet Sigurimi i shtetit me xhakonin Mark Çuni dhe At Gjon Shllakun OFM, ishte i urdhnuem direkt nga tirani Ever Hoxha, i cili me këte rasë, sigurisht po zbatonte urdhnin e diktatorit Tito, dhanë Tiranës prej ambasadorit të tij.

Të shohim edhe deponimet e faktet e t’ akuzuemve para trupit gjykues:

At Daniel Dajani S.J.:

Unë përsëris, nuk dij gja se ka pasë organizatë terroriste. Nuk kam marrë vesht se asht formue organizatë për me luftue kundër Pushtetit. Unë kam predikue kundër komunizmit ateist dhe i kam thanë xhakojve, me e luftue ateizmin ku të ju nepët rasa. Nuk dij që Pader Fausti ka shprehë ndonjëherë ide fashiste. Pohoj, se nuk jam marrë me politikë mbasi këtë na e ndalojnë rregullat e Institucionit tonë.

Jezuitët në asnji mënyrë dhe asnjiherë, mos me u marrë me politikë.

Nuk dij se ka pasë ndonji Jezuit që ka shty xhakojt me u marrë me politikë.

Asnjiherë nuk kemi kenë kundër çlirimit të Shqipnisë, madje, e kemi dashtë këtë, prandej edhe nuk e kemi pengue. Mbas ikjes së gjermanve nuk më ka pëlqye që qeveria ra në duert e komunistave. Komunizmin e kam urrye gjithmonë se asht ateist dhe se lufton Fenë.        

Persëris, se, as nuk dij se egziston organizatë terroriste dhe as nuk kam ba pjesë ndër to.”(Dosja 1068 Arkivi Mbrendshme Tiranë)

Mark Çuni:

“Unë dhe Prof. Gjelosh Lul Marku kemi drejtue punën e kësaj organizatë. Fausti e Dajani nuk na kanë folë për politikë.

Gjergj Vat Bici:

Kryetar ka kenë Prof. Gjelosh Luli, dhe ka drejtue me Mark Çunin. Nuk dij se kemi pasë në organizatë Faustin e Dajanin. Mark Çuni më ka thanë se At Dajani nuk di gja në këtë punë.

Luigj Kçira:

At Fausti e At Dajani, nuk dijnë kurrgja se unë kam hjellë trakte.

Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjegje:

Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946,

(Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë):

“Aprovohet ndëshkimi me vdekje për:

2. P. Daniel Dajani nga Shkodra,

Gjykata e Qarkut të Shkodrës urdhëroi dënimin me vdekje, me pushkatim, të shtatë të arrestuarve. Më 2 mars mbërriti miratimi për ekzekutimin e tyre, firmosur nga vetë diktatori Ever Hoxha, dhe dy ditë më vonë, më daten 4 mars 1946, ata u ekzekutuan pranë varrezave të Rrëmajit në Shkodër.

2. Patër Danjel Dajani tha para pushkatimit: I fali ata qi më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma mirë se fajtor. T’i japin prindët (far’e fisi), Pader Zef  Shllakut me pasë me më thanë dy meshë.

***

Populli i Shkodres ka tregue gjithnjë një nderim e vlerësim për Atë Daniel Dajanin S.J., nga Blinishti, jezuit i madh dhe i thjeshtë, njëni ngamartirët e mëdhaj të Kishës katolike të Shqipnisësë Martirizueme.

At Daniel Dajani u pushkatue tue tregue Atdhedashuninë e Tij në mbrojtje të Fesë Katolike në Shqipni, pikrisht atëherë, kur shpata e komunizmit ateist ishte ma e pamëshirshme se kurr kunder Klerit Katolik Shqiptar. 

At Daniel Dajani S.J., do të mbesin i pashlyesheme shembull i nderuem i meshtarëve të kësaj treve, bijve të denjë të Zadrimës, që dhane jeten per Fe e Atdhe në Shqipni. Ai shpesh do të kujtonte me shumë mall ceremoninë aq të bukur të krezmimit të vet, ku mori pjesë Imzot Vinçenc Prennushi, të cilin populli i Zadrimës, e nderoi shumë në ditën e shkumjes së tij, e rrugën që eci në kambë deri te famullia e Zadrimës, ia shtroi me lule. Këte pritje kaq të përzemert dhe të paharrueshme, shkrimtari Imz. Vinçenc Prennushi do ta përjetësojnë me librin e bukur poetik, “Gjeth e lule”.

At Daniel Dajani thotë Meshën e parë në fshatin e tij, në atë vend për të cilin ruente aq shumë kujtime. Ndër njerëzit ma të dashtun të Dajanit, Meshën e tij të parë do ta ndiqte me zemër që i dridhej Nana e Tij e vuejtun, Ajo grue aq fisnike që do t’i rrjedhnin lotët rrëkaj përfaqe.

Për aftësi shkencore Jezuitët e emnojnë At Danielin profesor në Kolegjin Saverian, një gja kjo jo e zakontë për atë kohë. Ai do të jepje mësim në atë shkollë me aq tradita shumë të vjetra, pranë atyne profesorave-dijetarë, për një student të rij si At Danieli, në një moshë relativisht të re, nuk ishte gja e vogël. At Daniel Dajani e meritonte këtëvlersim. Ai dha për shumë vite landë të rëndësishme, si: Gjuhë shqipe, latinisht, filozofi etj. Kryesisht, ishte shumë i talentuem në matematikë dhe veçohej oratori.

Shkolla e vjeter e Jezuitve të Shkodres ishte vatër të rëndësishme dijet dhe shumë e njohun edhe n’ Europë. At Danieli mërrijti vetem me zotsi të bahet Rektor i Seminarit Papnor të Shkodres. Kjo ishte dishka aq e madhe sa edhe sot, edhe pse kanë kalue shumë vite, në kujtimet e atyne studentave që e njohën për së afërmi, mbetet e Perjetëshme figura e Nderueme e At DanielDajanit, At Danieli ishte jo vetem një profesor idijtun dhe shumë i dashtun, aqsa i matun dhe gojambël e terhjekës, në ambjentet shkollore e shoqnore.

At Daniel Dajani ishte njeri i mrekullueshëm në të gjitha drejtimet.

At Dajani nuk ishte vetëm profesor dhe edukator i zoti dhe i nderuem, po Ai ishte edhe dijetar i shquem dhe i saktë nder studimet e Tija. Për disa vite At Danieli drejtoi revistën “Lajmëtari i Zemrës së Jezu Krishtit”, një revistë që kishte ba emën në atë kohë dhe ishte mjaft e perhapun edhe n’ Europë.

Në periudhën që At Dajani drejtonte revista u ngrit në një shkallë edhe ma të naltë, tue plotsue dhe zgjanue revistat me rubrika të reja edhe shumë ma interesante dhe të pelqyeshme per lexuesit e shumtë kryesisht në Shkoder.

Sigurisht kjo veti e njoftun tek At Daniel Dajani, tue kenë edhe Shqiptar me shumë veti Shpirtnore e qytetare të lakmueshme, nuk mund të kalohej pa ra në sy të injorantave vrastarë të sistemit porsa vendosun diktatorial.

Interesimi i vetë diktatorit tiran e vrastar i plotson të gjitha të mësheftat e atij sistemi gjakatar e shkatrrues i gjithshkafes së mirë Europjane. Kjo per fatin e keq të Popullit Shqiptar, sot asht edhe e trashigueshme nga pasuesit.

Mbetet vetem me hjellë mbas Murit Vorreve të Rrëmajit, një tubë me lule!

I perjetshem kjoftë kujtimi Yt o, Zamak i Pafajshëm: At Daniel Dajani!

Melbourne, 9 Prill 2022.