Ballina Rajoni Lufta në Ukrainë dëmton bizneset në Stamboll

Lufta në Ukrainë dëmton bizneset në Stamboll

 

Dyqanet në qytetin e Stambollit, dikur të mbushura me klientë rusë dhe ukrainas, tani po përjetojnë kohë të vështira për shkak të luftës në Ukrainë. Konflikti po shkakton gjithashtu rritjen e çmimit të ushqimeve dhe karburantit në Turqi. Zëri i Amerikës bisedoi me tregtarë në Stamboll lidhur me krizën ekonomike që po përjeton biznesi turk pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Lufta në Ukrainë po dëmton rëndë ekonominë globale. Turqia, e cila ka lidhje të ngushta ekonomike dhe tregtare me të dy vendet në konflikt, po ndjen pasojat.

Kostoja e ushqimit dhe karburantit është rritur ndjeshëm. Monedha turke gjendet ende nën presion pas rënies së vlerës disa herë gjatë muajve të fundit.

Në lagjen Laleli të Stambollit, dyqanet që zakonisht janë plot me tregtarë dhe turistë të huaj, tani zhvillojnë shumë pak biznes.

“Kishim shumë klientë nga Rusia dhe Ukraina. Dikur bënim biznes shumë të mirë me ta. Pasi filloi lufta, gjërat u përkeqësuan”, thotë për Zërin e Amerikës Vehbi Aslan, pronar i një dyqani.

Industria e tekstilit, jetike për ekonominë e Turqisë, është veçanërisht në rrezik. Përfaqësuesit e industrisë thonë se në javët e para të luftës, tregtarët ukrainas dhe rusë anuluan më shumë se 200 milionë dollarë porosi për mallra tekstili dhe lëkure.

Lufta në Ukrainë ka ndikuar edhe tek tregtia e Turqisë me vende të tjera evropiane si Bjellorusia, Moldavia dhe Rumania, si dhe vendet e Azisë Qendrore si Kazakistani, Uzbekistani dhe Taxhikistani.

Tregtarët e mallrave dhe të arit janë prekur gjithashtu nga kriza.

“Rusët dhe ukrainasit përbënin 70 për qind të klientëve tanë. Për shkak të luftës, ukrainasit jo vetëm që nuk po vijnë, por janë detyruar të braktisin vendin e tyre. Ndërsa rusët nuk vijnë për shkak të zhvlerësimit të rublës. Kemi humbur 70% të shitjeve”, thotë për Zërin e Amerikës Gabriel S. , tregtar floriri.

Ndërkohë, refugjatët nga Ukraina vazhdojnë të shkojnë në Turqi. Sipas Ministrisë së Brendshme të Turqisë, rreth 60,000 ukrainas kanë kërkuar strehim deri më tani, ndërsa mijëra rusë kanë hyrë gjithashtu në Turqi që nga fillimi i konfliktit.

Kjo dyndje ka rritur koston e qirasë.

“Bashkatdhetarët tanë po e ndiejnë rritjen e çmimeve. Më parë mund të gjeje një apartement me qira 100-150 dollarë në muaj. Tani ka shkuar në 300-400 dollarë”, thotë Beknazar Rakhmatov, agjent i pasurive të patundshme me kompaninë “Easy Booking”.

Ndërsa vazhdon konflikti në Ukrainë, biznesmenët në Turqi janë pesimistë.

“Pavarësisht nëse lufta do të vazhdojë apo jo, muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë. Edhe nëse thonë se lufta mbaroi, duke patur parasysh shkatërrimin e Ukrainës dhe kolapsin e ekonomisë ruse, efektet do të vazhdojnë për shumë vite”, thotë tregtari i floririt, Gabriel S.