“Cati” ishte njëri ndër intelektualët më të shquar të kohës
MSc. Adem Lushaj
Lëvizja popullore për Liri, Pavarësi dhe Demokraci e viteve ’90-ta, në krye të së cilës qëndronte dr. Ibrahim Rugova, përkundër represionit të pandalshëm serbo-sllavë, gjeti shtrirje në gjithë Kosovën. Kjo lëvizje për çlirim dhe pavarësim, nga krijesa e quajtur Jugosllavi, gjeti mbështetjen e pa rezervë, edhe në komunën e Deçanit, e që në raste ishte prijatare e zhvillimeve intelektuale, politike e ushtarake. Si çdo komunë, edhe Deçani kishte nismëtarët dhe bartësit e palodhshëm të kësaj lëvizje, duke bërë që kjo periudhë të jetë ndër etapat më të lavdishme të historisë sonë. Këto figura të paharruara në karvanin e gjatë të atdhetarëve deçanas, kishin marrë barrën e organizimit institucional deçanas, shtyllat e pa rrëzuara nga furtunat e egra fashiste të regjimit millosheviçian.
Padyshim se ndër figurat kryesore të kësaj lëvizjeje mbetët nismëtari i të gjitha proceseve demokratike, Isat Mushkolaj, apo siç e thirrshim të gjithë në atë kohë, “Cati”. Ai, ishte ndër themeluesit e parë të Degës së LDK-së në Deçan; Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut; Shoqatës së Juristëve; si dhe shumë organizimeve tjera politike dhe jo politike të atyre viteve. Isati, çdo herë ishte nismëtar, por asnjëherë nuk shprehte ambiciet e tij, për të marrë lëvdata, as për të thënë se unë e kreva. Por, çdo herë ishte ideator dhe promotor i proceseve.
Reagimet e qytetarëve ndaj dhunës serbo-sllave, reagime edhe me demonstrata dhe protesta të natyrave të ndryshme, pasuan me vrasje, plagosje, arrestime, maltertime dhe burgosje të shqiptarëve. E, çdoherë në mbrojtje të tyre ishin vënë avokatët tanë. Ishte vënë avokati tashmë i ndjerë, Isat Mushkolaj.
Sali Çekaj, Isat Mushkolaj, Xhevdet Lataj, Pashë Kuçi, Rrustem Bruçi, Zeqir Ramosaj, Isa Demukaj, Njazi Hylaj, e juristë të tjerë deçanas, kishin themeluar Shoqatën e Juristëve, ku kryetar i Shoqatës ishte zgjedhur, Sali Çekaj, tashmë hero i Kosovës, kurse Isat Mushkolaj ishte zgjedhur sekretar i kësaj Shoqate. Këta, me kolegët e tyre, ishin të parët që jetësojnë shtetësinë e Kosovës, duke harmonizuar Statutin e Komunës së Deçanit, me Aktin më të lartë shtetëror të asaj kohe, me Kushtetutën e Kaçanikut. Nxjerrja e Statutit ishte vlerësuar si njëri ndër aktet më madhore të asaj kohe. Pas këtij akti të mbetur në analet e historisë se shtetit tonë, Isati me shumë kolegë të tij, ishte arrestuar dhe dënuar nga gjykatat serbe. Isati dënohet me 4.5 vjet burgim, si njëri nga protagonistët kryesor. Hiq më mirë nuk kishin kaluar as kolegët e tij. Mirëpo, avokatit Isat Mushkolaj, nga torturat e shumta gjatë mbajtjes nëpër burgjet serbo-sllave, kriminelët ia dëmtojnë të dy veshkat, duke bërë që t‘i nënshtrohet procesit të hemo-dializës, çka më vonë doli të jetë vdekjeprurës.
Edhe pse pa të dy veshkët, Isati nuk kishte pranuar të largohet nga Kosova, duke thënë se “i gjallë nuk e lëshoj vendin, nëse është e nevojshme, do jap edhe jetën”.
Cati, me veshkën e motrës së tij, iu bashkua radhëve të atyre që kapën armët për mbrojtjen e vendit. U rreshtua përkrahë shumë luftëtarëve të lirisë. Angazhimet e tij prej luftëtari, bëri që sërish t‘a humb organin e shtrenjtë të dhuruar nga motra Lira, e cila ishte e gatshme të jap, jo vetëm veshkën, por edhe jetën për të vëllain.
“Cati”, ishte ndër të parët që kishte ngritur zërin kundër vendimeve diskriminuese të Qeverisë së Millosheviqit, e cila ua kishte falë pronat e ndërmarrjeve tona publike, APIKO dhe ILIRIA, manastirit të Deçanit, gjë që edhe sot është ndër shqetësimet më të mëdha për qytetarët dhe institucionet tona.
“Zhvlerësoni gjitha vendimet arbitrare të Serbisë”, iu kishte thënë anëtarëve të Kuvendit komunal të Deçanit, Isat Mushkolaj, i cili e shihte rrezikun nga pushtimi i këtyre pronave me vendime arbitrare të pushtetit të Millosheviçit.
Cati, ishte ideatori dhe hartoi Statutin e njërës nga shoqatat e para të pasluftës në komunën tonë, “Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur”, e cila për 22 vite është promotore e shumë proceseve demokratike, jo vetëm në Deçan.
Isati ishte i veçantë. Ishte njëri ndër intelektualët më të shquar të kohës. Veprimtar i palodhshëm dhe luftëtar i guximshëm. Ishte, çdoherë aty ku e kërkonte ç’ështja jonë kombëtare! Por, nuk duhet harruar edhe një gjë, se Isati nuk do ishte i tillë, pa përkrahjen e madhe që kishte nga bashkëshortja, Ajshja. Pa përkrahjen e vëllezërve të tij!
Cati, jo vetëm që i mungon familjes, por i mungon edhe shoqërisë. Edhe institucioneve të këtij vendi.