Ballina Ravijëzime “Malokët” e Drejtësisë së Shqipërisë

“Malokët” e Drejtësisë së Shqipërisë

 

Nga Ermal MULOSMANI – Tiranë

​Në vitin 1992, me marrjen e pushtetit nga Partia Demokratike, një ndër vendimet e para të Qeverisë së re ishte  reformimi i drejtësisë. Sistemi i deri atëhershëm ishte i ndërtuar për t’i shërbyer dënimit të elementëve armiq të Partisë, shpesh me proçese të montuara politikisht. Direktiva e Partisë ishte mbi çdo ligj, detyra e Prokurorëve dhe Gjykatësve ishte konvertimi i kësaj direktive në një proçes gjyqësor që, të paktën formalisht, të dukej e kopsitur. Në shërbim të Drejtësisë viheshin ligje ekstreme, dëshmitarë të rremë, prova të sajuara dhe lejoheshin tortura çnjerëzore. 

​Juristët më të mirë ishin edhe aleatët më të mëdhenj të sistemit komunist.

​Ky ishte sistemi i trashëguar.

​Pushteti i ri demokratik, megjithëse krejt pa eksperiencë drejtimi apo profesionale, e dinte shumë mirë që ata gjyqtarë e prokurorë, në Pallatin e Drejtësisë, ishin anomalia më e madhe e një sistemi që bazohej mbi lirinë e fjalës, ekonominë e tregut, barazinë përpara ligjit. Gjyqtarët e diktaturës së proletariatit nuk mund të bëheshin menjëherë partizanët e fjalës së lirë dhe, fjala vjen, dënuesit e udhëheqësve të tyre të deridjeshëm për krimin e genocidit.  Ndaj, me një vendim të Qeverisë Meksi të vitit ’93, shumë njerëzve iu dha e drejta që me një kurs tre mujor të bëheshin prokurorë ndërsa për 6 muaj mund të bëhej gjyqtar. Kursi u krye në ambientet e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në zonën e Plepave-Durrës, dhe mori emrin legjendar “Kursi i Plepave”.

​Kjo ishte një reformë thellësiht politike dhe bëhej haptas për të zëvendësuar gjyqtarët komunistë me besnikë të Partisë së re. Përzgjedhja e këtyre kursantëve ishte e udhëhequr nga kjo moto. “Të heqim të tyret e të vëmë tanët” – një zëvendësim mekanik me kritere krejt abuzive…

​Reforma e sotme ndryshon shumë në formë nga Plepat e dikurshëm. Mekanizmi i vetingut dhe forma e tij ligjore është sofistikuar shumë.

​Por, fatkeqësisht, thelbi është i njëjtë. 

​Unë e kam ndjekur me shumë vëmendje proçesin e Vetingut dhe tani mund të them me bindje që ka qenë kryekëput nën ndikimin politik të udhëheqësve të rinj postkomunistë. Dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe. Japse.

​Fatmir Xhafa, ish hetuesi komunist që torturonte të rinjtë në burgje pse ata kishin qeshur në zinë personale të Fatmirit – vdekjen e Enver Hoxhës, ishte i përzgjedhuri për të drejtuar këtë Reformë. Ky është fakt i njohur botërisht. Ish Hetuesit komunistë rikthehen triumfalisht. Arben Kraja emërohet Kryeprokuror i SPAK. Ardian Dvorani ish Prokuror komunist në Shkodër shpallet Kampion kundër Korrupsionit! E dini kush e jep këtë çmim?! Vetë Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken! Puna e fundit që kishte bërë zoti Dvorani për këtë meritë ishte shmangia e radhës së emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Një shkelje e hapur e Kushtetutës së Shqipërisë!

​Në thelb të vendimit të Dvoranit qëndronte vullneti për ndërtimin e një Gjykate Kushtetuese larg ndikimit të Presidentit të Shqipërisë si i papëlqyeshëm i maxhorancës qeverisëse dhe Ambasadës së USA. Ose edhe DASH-it ndoshta. Dvoranit iu kërkua ta shmangte detyrimin kushtetues. Ai e bëri dhe u dekorua. Kjo gjë u bë aq haptas dhe në mënyrë mospërfillëse ndaj kushtetutës. Ajo ditë ishte guri mbi varrin e Reformës ligjore.

​Ambasada Amerikane, maxhoranca dhe mashat e tyre “Kampionë të Drejtësisë” do të sillnin në Pallatin e Drejtësisë me ligj apo me “maliq” ata që dëshironin vetë.

​Qeveria e kontrollon proçesin përmes organeve të Vetingut (KPK, KPA dhe Komisionerë Publik).Njerëzit e emëruar aty janë të përzgjedhurit e saj.Procesi monitorohet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM). Këta janë disa juristë të huaj që vijnë e bëjnë Prokurorin ndaj funksionarëve tanë të Drejtësisë. Ata ngrenë zërin, ulërasin, bëjnë ironi, kërcënojnë haptas. Me një fjalë “vrajnë e kthjellin” në atë proçes. 

​Trupa shqiptare e Drejtësisë është në bankën e të akuzuarve si të bëhej fjalë për kriminelë të dorës së fundit, batakçinj, hajdutë, vrasës serialë. Për dinjitetin e tyre askush nuk merakoset. Turma shpërthen në duartrokitje sapo “sëpata e xhelatit” veting lëshohet mbi kokën e aksh prokurori apo gjykatësi. “Më mirë djepi bosh sesa me djallin brenda” – lëshon kushtrimin Kryeministri. Menjëherë trupa e Vetingut ndjek direktivën.

​​​​​********

​Ndër subjektet e rivlerësimit (juristët e sistemit) apo edhe në ambientet e gazetarisë rreth tyre, kriteret e shkarkimit nuk janë 2 siç shkruhet në ligj por tre:

​E para është të jesh në gjendje të vërtetosh me dokumenta pasurinë e krijuar; e dyta është të mos kesh njolla profesionale në aktivitetin si gjyqtar apo prokuror; e treta të mos jesh tropojan. Ti mundet t’i mbijetosh dy kritereve të para por kurrsesi të tretit. Aty hyn në punë Florian Ballhysa, Komisioneri Publik, ish-këshilltari i Fatmir Xhafajt. Ai është postblloku përfundimtar që të gjen edhe gjilpërën në kashtë….I emëruar aty për të mos lejuar kurrsesi depërtimin e ndonjë “tropojani” në Trupën e Drejtësisë së re.

​Kështu bëri me Prokurorin Arben Dollapi. Një prokuror serioz, i papërfolur kurrë ndonjëherë për korrupsion, ryshfet apo paaftësi, njeri që i kishte ngjitur një e nga një shkallët e karrierës, kundërshatri më i hapur i Kryeprokurorit të korruptuar Adriatik Llalla. Ai e pagoi kundërshtimin e Llallës me transferim me ulje, në Shkodër, sepse nuk ishte dakort me vendimet e tij klienteliste. U rikthye, pas ikjes së Llallës, si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë me votat e të gjithë kolegëve prokurorë. Si njeri dinjitoz dhe mbajtës i devotshëm i rrobës së Prokurorit të Shtetit. Me një pasuri familjare që nuk e kalon kurrë nivelin mesatar të një nëpunësi shtetëror 30 vjeçar. Trupa e shkallës së parë e kaloi me emfazë vetingun e Dollapajt, duke lavdëruar me tepri statusin e tij të respektuar.

​Por, pak më tej priste Ballhysa. Ai kishte konstatuar, ndërmjet të tjerave, se vjehrri i Dollapajt kishte lënë një qokë të tepruar prej 200 dollarësh me rastin e hyrjes në shtëpinë  e re…Ballhysa mendonte se kjo është jashtë mundësive të vjehrrit. Mjaftoi të lexoja këtë pasazh në relacionin 22 faqësh të Ballhysës për të kuptuar se si do përfundojnë tropojanët e drejtësisë….

​Anton Martini ishte prokurori më i famshëm në Shqipëri deri para Reformës. Të paktën në perceptimin publik. Ai arriti të zbërthente e të dënonte një nga bandat më të fuqishme në Shqipëri, atë të Durrësit. Përmes dëshmive të të penduarit të Drejtësisë, Anton Martini kërkoi dënime maksimale për anëtarët e bandës që shkonin deri në të përjetshme. Bëhej fjalë për Lulzim Berishën, Doklen e të tjerë të këtij kalibri. Ai proçes ka qenë ndër më të suksesshmit por edhe të tjerë si banda e Cërrikut, Lushnjës  apo vrasja e Komisar Dritan Lamajt. Por këto nuk mjaftonin, Ballhysa e priste te porta tropojanin e radhës. Një këst kredie i paargumentuar do të ishte edhe fundi i Prokurorit të tmerrshëm të bandave shqiptare.

​Tani radhën e ka Prokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj. Ky nuk është një veting i zakonshëm dhe kjo për meritë absolute të Prokurores. Ajo është e vetmja nga gjithë gjyqtarët/prokurorët e sistemit të drejtësisë që ishte e zonja të debatojë hapur me përfaqësuesin e ONM-së, Theo Jacobs. Ky zyrtar, që u bërtet prokurorëve vendas si Drejtori i shkollës nxënësve të fillores, kuptoi që përballë më në fund kishte një njeri të aftë. Shumë të aftë. Që nuk i bën syri tërr dhe nuk është kollaj ta sikterisësh. Reputacioni i Imerajt është i padiskutueshëm mes kolegësh. Integriteti profesional, autoriteti në sallën e gjyqit dhe guximi për tu përballur me çfarëdo krimineli të famshëm është demonstruar me dhjetëra herë për çështje nga më të rëndësishmet.Ajo ishte e vetmja që shpëtoi nderin e Prokurorisë në përballjen me Komisionin e Mandateve të çështjes së Saimir Tahirit. Ka përfaqësuar akuzën në rastin e bandës së Emiliano Shullazit apo terroristëve islamikë, pa kurrfarë hezititmi…

​Por, siç thotë Genta Bungo, anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në mesazhin e saj të bërë publik: “Çfarë të duhet, një maloke më pak? Madje nga Tropoja. Pupupupu! Unë u largova se ajo ishte eprorja ime”, ajo plotëson kushtin numër tre për tu eleminuar: është maloke. Me këtë term Genta dhe simotrat e saj kuptojnë tropojan/e/i/-n.

​Zbulimi i atij mesazhi nga një anëtare e trupës që përzgjedh “heronjtë e drejtësisë së re” është dëshmia më e fortë e turpit për këtë drejtësi. Le të bëjnë si të duan tashmë, Elisabeta Imeraj ishte më e zonja se të gjithë akuzuesit e saj. Ajo u bëri gjyqin reformatorëve racistë të drejtësisë së re më shumë se sa britmat e Theo Jacobsit apo pritat e Ballhysës. .