Ballina ED/OP KURTI BEFASOI ME DEKLARATËN PËR THAÇIN!

KURTI BEFASOI ME DEKLARATËN PËR THAÇIN!

 

Nga  IDRIZ ZEQIRAJ – Gjermani

     Marksi ka thënë se “kombit dhe gruas nuk u falet, nëse i dorëzohen aventurierit të parë”! Mjerisht, kjo i ndodhi kombit tonë me diktatorin aventurier e kriminel, Enver Hoxha, në Shqipëri dhe po ashtu popullit të Kosovës, me megallomanin aventurier, dinak, komplotist, e pak më shumë, për çka edhe po akuzohet, Hashim Thaçin. Është për mbamendje thënia lapidare, e lansuar nga LVV, si thirrje drejtuar shqiptarëve: “Një njeriu s`i nënshtrohet një popull!” Megjithatë, nënshtrimi, përtokja, ndodhi! Dhe, ai, Hashimi u bë mbinjeriu, duke abuzuar, cinikisht e mangupërisht, me pushtetin absolut, që vendosi ndër vite në Kosovën tonë të përgjumur. Liria pa demokraci, është një përralë dimri, nuk vlen asgjë. Mjerisht, kjo ndjesi i mungon populli tonë, në Kosovën hallemadhe.

     Vërtet, Albin Kurti ka qenë opozitari, kundërshtari më i drejtëpërdrejtë i Hashim Thaçit, kryeministër dhe president. “Mos u zgërdhi, kryeministër” dhe “Shko Hashim”, (në Hagë), – janë shprehje, jo thjeshtë të një mëllefi personal apo partiak. Por, rrjedhojë logjike e veprimeve të dyshimta, fort konspirative, deri në vënien në tryezën e bisedimeve të çështjeve territoriale, që i kishte përmbyllur shpallja e pavarësisë, me konfirmimin edhe të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

     Letra proverbiale e Albin Kurtit, drejtuar Thaçit, “Shko Hashim”, ishte e pritshme, por, joprofetike. Sepse Kosova është përgjakur nga bijtë e saj bastardë, të strukturuar në një organizim kriminal, me qëllime të përcaktuara dhe me emra të përveçëm, të shënjestruar, për t`u viktimizuar.

    Për dy dekada radhazi, Kosova është qeverisur nga zyrtarë, shtetarë e pushtetarë, të shantazhuar. Disa nga Serbia e Haga dhe më tej; disa të tjerë nga organizata kriminale, SHIK-u vendor. Andaj, ndryshimi mëzi pritej dhe kjo u dëshmua me votimin masiv të LVV, duke e konsideruar si të pashantazhueshme dhe pa ngarkesa me krime e korrupsion.

     Albin Kurti, kryeministër i bujshëm në premtime: “Kriminelët dhe hajnat në burg”, – ishte refreni i tij i preferuar. Ndërkohë, Hashimi me Kadrinë, të frikësuar nga revanshi i pritshëm i Kurtit, me AKI-në e tyre, përgadisnin shpalljen e LVV terroriste, të jashtëligjshme! Krerët e saj, Albinin, Glaukun e ndoca të tjerë, t`i rrasnin në burg, si terroristë, projekt ky i aprovuar edhe nga Prokuroria! 

     Mënyra e dëshmive dhe sjellja e dëshmitarëve anonimë, tejkalonin metodat UDB-eske, dhe shkonin në referencë ke OZNA famëkeqe, e fundviteve `40-a dhe fillimin e `50-ve! Duhej të shkonin në Hagë, Hashimi me Kadrinë, për t`i publikuar përgjimet tmerruese “INSAJDERI”! E trishtme, si në filmat horror. Kjo ishte CV-ja e presidentit dhe kyeparlamentarit të Republikës të Kosovës!!

Kurti befasoi shqiptarët me deklaratën në mbrojtje të Thaçit!

 Dy vite më pas, në homazhet për Familjen Jashari, Albin Kurti do t`i befasonte shqiptarët: “Bashkëluftëtarët e Adem Jasharit po mbahen në Hagë, për luftën e pashembulltë për liri!”

      Dhe, vetëm dy javë pas kësaj deklarate, në intervistën e dhënë gazetës prestigjioze italiane “La Republica”, kryeminstri Kurti shokoi me deklarime paushalle dhe hiç reale: “Ata bënë luftë të fortë me Serbinë, ne patëm 2000 dëshmorë”!? “Është e pabesueshme të kesh politikanë të lartë të Kosovës në burg, që luftuan për liri. Është një nga paradokset evropiane”!

     Së pari, ata nuk kanë qenë bashkëluftëtarët të Adem Jasharit. Sepse, ishin herë 2000 kilometra e herë 300 kilometra larg nga Ademi. Pra, ishin jashtë Kosovës. Përkundër, dihet mirëfilli, se ata e kanë penguar në financim dhe me agjitim kundër Hamzës dhe Ademit. Pra, kanë sabotuar luftën dhe këtë e thonë shokët e tyre të partisë dhe të hoteleve, ku kanë “mrizuar”;

     Së dyti, kemi të bëjmë me pasaktësi, sepse nga katërshja e Hagës në grup, vetëm njëri syrësh ka qenë fizikisht në Kosovë dhe ka luftuar, Rexhep Selimi. Tre të tjerët nuk kanë qenë pjesë e luftës, “kanë qenë larg frontit të luftës”, pra, jashtë Kosovës;

     Së treti, Kosova ka 800 dëshmorë të pushkës.Numrat tjerë janë shtuar, fiktivisht, në 2000, bilëz, edhe 2400, njësoj si veteranët e katërfishuar rrejshëm! Por, realisht, janë viktima të luftës; 

     Së katërti, është nonsens i madh dhe bie ndesh me Bashkimin Evropian dhe Amerikën, të cilët, faktikisht, e kanë çliruar Kosovën, që kryeministri i vendit, apriori, pafajëson të akuzuarit, duke qenë në hetim e sipër, ende pa pasur një vendim gjykate;

     Së pesti, kryeministri i Kosovës i rivret viktimat dhe lëndon shumë-qindra familje të viktimave, kryesisht, ushtarakë luftë-bërës të FARK-ut të Ibrrahim Rugovës, zyrtarë e veprimtarë të LDK-së, si dhe kuadro të hershëm, të devotshëm të LPK-së;

Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale

     Së gjashti, kryeministri habitet “pse nuk gjykohen në gjendje të lirë”, edhe pse ata akuzohen për tej 100 veprave kriminale, vrastare, duke e vënë në dyshim edhe emërtesën adekuate, – Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale -(NPK), të pagëzuar nga Prokurori Special amerikan, Xhack Smith; 

     Së shtati, kryeministri Kurti nuk merakoset, as për koston e 180 milionë euro, për mbrojtjen e “luftëtarëve” të tij, disa syrësh të mbrojtur edhe nga 5 (pesë) avoketër të zëshëm botërorë! Krejt kjo barrë e buxhetit të lodhur të Kosovës; 

     Së teti, e pakta që duhej të bënte kryeministri, do të duhej të heshte, në lidhje me të akuzuarit për krime lufte. Ose e shumta të thoshte “ta lëmë gjykatën në punën e saj profesionale”;

     Së nënti, janë shumë-qindra fëmijë jetimër, të të vrarëve politikë, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Dhe, ne nuk kemi dëgjuar dhe as parë përkujdesjen financiare dhe as t`i vizitojë, Albin Kurti, qoftë si kryetar partie, qoftë si kryeministër!? Një gjë mbahet mend, se njëri nga mentorët kryesor i Kurtit, i ka aprovuar, madje, publikisht, vrasjet politike;

     Së dhjeti, komandantët që kanë bërë luftën e vërtetë për liri, për shembull, në betejat e Kosharës, janë vrarë 114 luftëtarë për lirinë e Kosovës dhe 108 ushtarakë pushtues serbo-sllavë. Dhe, komandantët e mbijetuar, askush nuk i ka akuzuar për krime. Por, ekziston një dallim i madh, i komandantëve të Betejës të Loxhës, Kosharës dhe gjetkë, se ata nuk kanë ekzekutuar shqiptarë të pafajshëm, natën në errësirë dhe ditën për diell, madje, në derë të shtëpisë, duke terrorizuar edhe “robtë e shtëpisë”! 

Metamorfoza dëshpruese e kryministrit Kurti!

     Metamorfoza e kryeministrit Albin Kurti, nga një qendrestar opozitar, akuzues faktik dhe mbrojtës i pa kompromis i Kosovës, nga pazaret e pista të pushtetarëve, fort të shantazhuar dhe batakëçinj të papërmirësueshëm, tashmë, ka shokuar shqiptarët, me deklarimet paushalle dhe “ka marrë dhenë”! Andaj, është vështirë të shpjegohet kthesa, ndryshimi i shumë-shkallshëm i tij! 

     Vështirë të kuptohet dhe aq më vështirë të shjegohet Kurti i sotëm: Edhe “shko Hashim”, në Hagë; edhe “kriminelët e hajnat në burg”, edhe “Ballkani ka nevojë të lirohet nga kriminelët e luftës”,-lëshoi deklaratën bombë, duke trazuar skenën politike të Kosovës, sidomos, ata që e kanë “mizën pas veshit”! Dhe, tani, “është absurde të mbahet Hashimi me shokë në burg”, – thotë Kurti, vërtet, logjika e shëndoshë, është në hall, për ta kuptuar dhe zgjidhur!?

     Hamendësohet se kjo kthesë kushtëzohet me votën e ardhshme elektorale partiake? Por, të gjitha sondazhet, matjet publike, të shqiptarëve të Kosovës, aprovojnë, në masën tej 85 %, thirrjen refren të Albim Kurtit: “Kriminelët dhe hajnat në burg”! Atëherë, pse të këtë frikë, nëse ngulmohet për qerimin e hesapeve, me kriminelë dhe hajna zyrtarë, të djeshëm dhe të sotëm?!

     Padyshim, Albini ka ndryshuar dhe me këto veprime rrezikon shumë, edhe politikisht. Kjo do të reflektojë, negativisht, edhe   në mos përmbushjen, as për së afërmi, të premtimeve të tij, sidomos, ato parësore, siç janë luftimi i krimeve vrastare dhe makro-hajninë zyrtare. 

     Qëndrimi aktual i Kurtit, është paradoksal, kontravers, që bie ndesh edhe me parimet elementare të një qeveritari të dinjitetshëm, i cili, gjithëherë, është thirrur në mbrojtjen e ligjshmërisë, shtetit.

     E kuptoj presionin enorme të PDK-së, PAN-it në kor, për t`i mbrojtur kolegët bashkëpunëtorë në punët e liga. Me gjithë deklarimet mbrojtëse të Kurtit, për “luftëtarët e lirisë”, në Hagë, kreu i PDK-së, e akuzon kryeministrin “për paturpësi, pse nuk i përmendë me emra ata?!” PAN-istët duan ta turpërojnë, madje, me fund, kryeministrin tonë, dikur krenar.

     Pozicioni kryeministër, assesi nuk duhej të ndikonte në shkeljen e parimeve bazike të drejtësisë.Atëherë, cili është shantazhi që i bëhet Kurtit kryeministër? A është i vetëdijshëm ai se mbrojtja zyrtare, të atyre që akuzohen nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, është një ogur i keq për Kosovën. Jo pse akuzohen, sepse çdo komb i ka bakçinjtë dhe kriminelët e vetë, por, pse mbrohen, apriori, pa pritur vendimin e gjykatës.

     Arsyeja e ndryshimit të madh të Albin Kurtit, edhe mund të vonojë, por, gjithësesi, një ditë, “do t`i dalë tymi”. Megjithatë, uroj të jetë një bërje qejfi dikujt apo disave, dhe jo bindje e Kryeminstrit! Pëndryshe, do të ishte zhgënjim i madh i shqiptarëve, madje, të kudondodhur, të cilët, në masën më të madhe, festuan ndryshimin e gjatë-pritur, 14 shkurtin 2021.