Ballina Rajoni Shqiptarët në Maqedoni të Veriut përbëjnë 24.3 për qind të popullsisë

Shqiptarët në Maqedoni të Veriut përbëjnë 24.3 për qind të popullsisë

 

Në Maqedoninë e Veriut, 24.3 për qind e popullsisë është shqiptare, bëri të ditur të mërkurën Enti Shtetëror i Statistikave. Bazuar në rezultatet e regjistrimit të mbajtur nga 5 deri më 30 shtator të vitit 2021, numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente është 1,836,713 banorë.

Sipas këtyre të dhënave, nga numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente 58.44 për qind e tyre janë deklaruar maqedonas, 3.84 për qind turq, 2.53 për qind janë nga komuniteti rom , 0.47 për qind janë vllehë, 1.3 për qind serbë dhe 0.87 për qind janë deklaruar si boshnjakë.

Në bazë të të dhënave nga regjistrimi i vitit 2002, numri i popullsisë shqiptare ka shënuar rënie për rreth një për qind në vitin 2021.

Enti Shtetëror i Statistikës të mërkurën më 30 mars, publikoi edhe numrin e përgjithshëm të popullsisë së regjistruar, që përfshin atë rezidente dhe jorezidente. Janë regjistruar gjithsej 2,097,319 persona dhe prej tyre 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllehë.

Sipas të dhënave, rreth 3,500 persona janë deklaruar si bullgarë, shifër kjo larg pretendimeve të Sofjes, e cila ka kontest me Maqedoninë e Veriut edhe për çështjen e pakicës bullgare.

Në Shkup, shqiptarët përbëjnë 22.8 për qind të popullsisë krahasuar me 20.4 për qind sa ishin në regjistrimin e vitit 2002.

Bazuar në të dhënat e Entit të Statistikës, popullsia rezidente në Maqedoninë e Veriut është ulur për 185 mijë njerëz apo në rreth 9 për qind në krahasim me regjistrimin e popullsisë në vitin 2002.

“Regjistrimi i popullsisë u realizua me sukses. Ne dëshmuam se mundemi dhe dimë të realizojnë regjistrim të popullsisë. Nëse më parë duheshin dy vjte për shpalljen e rezultateve, në këtë e bënë për gjashtë muaj, ashtu siç e kishim paraparë”, deklaroi drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Apostol Simovski.

Lidhur me rezultatet e regjistrimit, nëpërmjet një statusi në Facebook ka reaguar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sipas të cilit, Maqedonia e Veriut pas 20 vjetësh ka një pasqyrë më të qartë sa i përket numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe përqindjes së komuniteteve në vend.

“Përgëzoj të gjitha institucionet që ishin të përfshira dhe ndihmuan regjistrimin si proces që filloi në muajin mars të vitit të kaluar me diasporën e vendit, e që përfundoi në shtator me regjistrimin e popullatës në vend, proces dhe sfidë aspak e lehtë, por që ia dolëm ta përfundojmë me sukses”, ka shkruar Ahmeti.

Para kësaj, regjistrimin e fundit, Maqedonia e Veriut e kishte bërë në vitin 2002 dhe bazuar në të dhënat zyrtare, vendi atëherë numëronte 2 milionë banorë, prej tyre 25.17 për qind shqiptarë.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të drejtat e tyre i realizojnë në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, që ishte arritur pas luftës së vitit 2001.

Me ndryshimet kushtetuese që ishin bërë në vitin 2002, të drejtat e shqiptarëve janë rregulluar në bazë të përqindjes së tyre në shtet.

Përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare në këtë vend është edhe gjuha, të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës jomaqedonase, që i bie të jetë gjuha shqipe, edhe pse nuk përmendet si e tillë.

Në bazë të këtij formulimi kushtetues, shqiptarëve u sigurohen edhe të drejtat e tjera kombëtare, si përfaqësimi adekuat në institucione, përdorimi i simboleve kombëtare, gjuhësore e kulturore.

Pikërisht, ky formulim kushtetues ka politizuar edhe regjistrimin duke bërë që ai të mos mbahej për 20 vjet.