Ballina Rajoni Hiqen maskat në shkollat fillore të Maqedonisë së Veriut

Hiqen maskat në shkollat fillore të Maqedonisë së Veriut

 

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim të martën, 29 mars, për heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskave në shkollat fillore.

Vendimi i Qeverisë është miratuar me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive, i cili doli me këtë propozim pas përmirësimit të gjendjes epidemiologjike me koronavirus.

Maskat vazhdojnë të jenë të detyrueshme për nxënësit e shkollave të mesme, ndërsa në universitete lejohet mësimi me prani fizike.

Qeveria ka miratuar edhe propozimin tjetër për shfuqizim të vendimit për prezantim të certifikatave për COVID-19 në tarracat e kafeneve.

Qeveria e ndryshoi edhe vendimin për kapacitetet e brendshme të objekteve të gastronomisë, nga 50 për qind në 75 për qind, por duke mbajtur maskat mbrojtëse dhe duke respektuar vendimet tjera.

Sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, autoritetet maqedonase kanë kryer javën e kaluar më shumë teste sesa në javën paraprake, megjithatë përqindja e të infektuarve është ulur me 7.5 për qind dhe janë regjistruar 1,700 raste të reja.

Në spitale janë të shtruar vetëm 84 pacientë, që është 24 për qind më pak krahasuar me javën e kaluar.

Rritja ka sa i përket vdekjeve, dhe sipas të dhënave, në shtatë ditët e fundit kanë vdekur 17 persona, që është 13 për qind më shumë se një javë më parë.

Por, krahasuar me periudhën e para tre javëve, numri i viktimave është shumë më i ulët.

Alekandar Petliçkovski, kryetar i Komisionit për Sëmundje Infektive, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Maqedonia e Veriut do të heqë edhe masat tjera mbrojtëse nga pandemia, por në disa faza, për të mos rrezikuar gjendjen e mirë epidemiologjike, që, sipas tij, i garanton Maqedonisë së Veriut të ketë një verë më relaksuese.