Ballina Aktualitet Scholz: “NATO nuk do të bëhet palë në luftë”

Scholz: “NATO nuk do të bëhet palë në luftë”

 

Kancelari gjerman, Olaf Scholz premton në debatin në Bundestag mbështetje për Ukrainën, por në të njëjtën kohë vendos një kufi të qartë për NATO-n.

Në një seancë të përgjithshme debati në Bundestag të mërkurën (23.03), kancelari gjerman, Olaf Scholz i premtoi presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se “Ukraina mund të mbështetet tek ndihma jonë”. Gjermania ofron që nga fillimi i luftës armë dhe pajisje ushtarake, dhe ka vendosur së bashku me partnerët sanksione shumë të ashpra. Ato po tregojnë efekt dhe do të ashpërsohen edhe më tej, tha politikani i SPD, dhe kancelar i Gjermanisë.​​​

Scholz theksoi në Bundestag, se i dëgjon zërat e atyre që kërkojnë zonë të ndalimfluturimit apo dërgimin e trupave të paqes të NATO-s në Ukrainë. “Po sado që e kam të vështirë, ne nuk do t’u dorëzohemi atyre.” Scholz theksoi, se duhet të mbetemi tek ajo që nuk do të ketë konfrontim direkt të NATO-s dhe Rusisë. “NATO nuk bëhet palë në luftë”, tha Scholz qartë.

“Putin duhet të dëgjojë të vërtetën për luftën në Ukrainë”

Presidenti rus, Putin, sipas kancelarit, Scholz po shkatërron të ardhmen e vendit të tij. “Putini duhet të dëgjojë të vërtetën për luftën në Ukrainë”, tha Scholz. “Dhe kjo e vërtetë është: Lufta e shkatërron Ukrainën. Por me luftën Putini shkatërron edhe të ardhmen e Rusisë.” Si NATO edhe BE janë sot më të bashkuara se kurrë, është shprehur kancelari gjerman.

Në debatin në Bundestag për vendimin për përmirësimin e kapaciteteve ushtarake të Bundeswehrit,Scholz kërkon që të marrë edhe mbështetjen e opozitës. “Duhet të jetë një gjë e përbashkët që ne bëjmë për vendin tonë”, tha Scholz.

Në fjalën e tij kreu i opozitës, kryetari i CDU dhe grupit parlamentar konservator, Friedrich Merz vuri kushte për dhënien e votës së opozitës. Merz kërkoi një plan shlyerje të kredive të parashikuara në vlerë 100 miliardë euro. Po ashtu qeveria e SPD, Të Gjelbërve dhe liberalëve duhet të garantojë që 2% e vëllimit ekonomik të Gjermanisë, prodhimit të brendshëm bruto do të shkojnë për ushtrinë dhe kjo në vazhdimësi. “Ne nuk do të ofrojmë chekun e bardhë për 100 miliardët”, tha Merz.

la/ (dpa, afp, rtr)