Ballina Aktualitet 521 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësi në BE nga viti 2002

521 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësi në BE nga viti 2002

Rreth 40.5 mijë shqiptarë morën nënshtetësi në një nga vendet e Bashkimit Europian gjatë vitit 2020, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, pjesa më e madhe e të cilëve në Itali (70%).

Ata u renditën të tretët, pas marokenëve e sirianëve.

Që nga viti 2002, kur Eurostat raporton të dhënat, shtetasit shqiptarë kanë marrë gjithsej 521 mijë pasaporta në një nga vendet e Bashkimit Europian, pjesa më e madhe e tyre në Itali dhe Greqi, ku jetojnë dhe shumica e emigrantëve shqiptarë, të cilët në vite po bëhen shtetas me të drejta të plota në vendet ku jetojnë. Numri më i lartë i tyre është dhënë në vitin 2016, me rreth 67.5 mijë, duke u ulur gradualisht vitet e mëpasshme (shiko grafikun në fund).

Nënshtetësitë e dhëna nga BE 

Eurostat bëri të ditur se në total, në vitin 2020, 729 000 persona morën nënshtetësinë e një shteti anëtar të BE-së ku ata jetonin, një rritje prej 3% nga 706 400 në 2019. Kjo tendencë ishte kryesisht për shkak të rritjeve të regjistruara në Spanjë (+27 300 shtetësi spanjolle të dhëna se në 2019-ën), ndjekur nga Holanda (+21 800), Suedia (+16 000) dhe Portugalia (+11 000).

Në të kundërt, uljet më të mëdha në terma absolutë u vunë re në Francë (-23 300 shtetësi franceze të dhëna krahasuar me 2019), e ndjekur nga Gjermania (-20 800), Belgjika (-6 700) dhe Rumania (-4 000).

Ashtu si në vitin 2019, shumica (85%) e atyre që morën nënshtetësinë e një shteti anëtar të BE-së në vitin 2020 ishin më parë shtetas të një vendi jo anëtar të BE-së ose pa shtetësi. Ish shtetasit e një shteti tjetër anëtar të BE-së përbënin 13% të numrit të përgjithshëm të shtetësive të fituara.

Marokenët, sirianët dhe shqiptarët janë marrësit kryesorë të shtetësisë 

Sipas Eurostat, në vitin 2020, marokenët ishin grupi më i madh në mesin e shtetasve të rinj të BE-së (68 900 persona, nga të cilët 86% fituan nënshtetësinë e Spanjës, Italisë ose Francës), përpara sirianëve (50 200, 49% fituan nënshtetësinë e Suedisë), shqiptarët (40.500, ku 70% kanë marrë nënshtetësinë e Italisë), rumunët (28 700, 40% kanë marrë nënshtetësinë e Italisë), brazilianët (24 100, 72% kanë marrë nënshtetësinë e Italisë ose Portugalisë), turqit (23 700, 49% kanë marrë nënshtetësinë gjermane), ukrainasit (18 100, 48% kanë marrë nënshtetësinë e Polonisë, Gjermanisë ose Italisë), indianët (16 400, 34% kanë fituar nënshtetësinë e Italisë), pakistanezët (16 000, 35% kanë fituar shtetësinë e Italisë) dhe britanikët (16 000, 60% shtetësia e fituar e Gjermanisë, Francës ose Suedisë).

Burimi: Eurostat, përpunime Monitor
Source: Eurostat/ Monitor.al