Ballina ED/OP Görlach Global: Kina dhe lufta e Ukrainës – pse Kina ngurron të...

Görlach Global: Kina dhe lufta e Ukrainës – pse Kina ngurron të ndërmjetësojë?

 

 

Lufta në Ukrainë nuk mund ta lërë indiferent Pekinin. Sepse efektet e saj janë ndjerë prej kohësh në Kinë, mendon Alexander Görlach.

Ministria e Jashtme kineze i quan “fake news” raportet në mediat amerikane, se Rusia i ka kërkuar Pekinit dërgimin e armëve për luftë në Ukrainë. Këto raporte u shfaqën të hënën natën, përpara se përfaqësuesit nga Uashingtoni dhe Pekini të takoheshin në Romë për të diskutuar situatën në Ukrainë. Informacionet kanë shtuar presionin mbi Republikën Popullore për të vepruar si ndërmjetës për t’i dhënë fund luftës së Putinit.

Në fakt, Kina ka një interes të veçantë për t’i dhënë fund luftës shpejt. Për shkak se efektet ekonomike të pushtimit të Ukrainës kanë arritur prej kohësh në këtë vend. Republika Popullore importon sasi të mëdha drithi nga Ukraina, si dhe nga Rusia. Si rezultat i luftës, çmimet janë rritur në atë masë sa që pushtetmbjatësi Xi Jinping është dashur të thotë hapur: Kina do të bëhet e pavarur nga importet e huaja.

Varfëria ekstreme

Vetëfurnizimi ka qenë prej kohësh synimi i pushtetarëve komunistë, të cilët brenda vendit po ndjekin një kurs nacionalist, të cilit nuk i përshtatet importimi nga jashtë i mallrave bazike për jetesën. Përveç kësaj, një sërë vendesh, duke përfshirë SHBA-në dhe Japoninë, kanë filluar të shkëputin ekonomitë e tyre nga ajo e Kinës, në mënyrë që të mos varen nga diktatura e Pekinit.

Në perandorinë e Xi jetojnë edhe më tej rreth 82 milionë kinezë me 1 dollarë në ditë. Rritjet e çmimeve si ato aktuale mund ta kthejnë situatën e tyre tashmë të pasigurt në një situatë të pashpresë. Udhëheqja e Republikës Popullore njoftoi vitin e kaluar se varfëria ekstreme në vend ishte mposhtur zyrtarisht. Banka Botërore, nga ana tjetër, llogariti se Pekini kishte metologji tjetër nga ajo që duhej për llogaritjen e varfërisë.