Ballina Rajoni ASOCIACIONI – VEPËR KRIMINALE E QEVERIVE THAÇI E MUSTAFA

ASOCIACIONI – VEPËR KRIMINALE E QEVERIVE THAÇI E MUSTAFA

 

 

Nënshkrimi ceremonial i Marrëveshjes të Asociacinoit në Bruksel

Nga IDRIZ ZEQIRAJ

     Kosova, me suprimimin e autonomisë, llogaritet si vend i ripushtuar. Pluralizmi politik ia dha mundësinë popullit të Kosovës, për kundërshti legale. Por, protestat dhe demonstrimet, kundër ripushtimit të Kosovës, luftoheshin me masa represive të pushtetit serbo-sllavë. Raporti i forcave, epërsia e dukshme pushtuese, kushtëzonte rezistencën paqësore.
     Megjithatë, u shfrytëzuan të gjitha mundësitë për vetëqevrisje. Krijimi i institucioneve paralele, ishte ide e artë e Dr. Ibrahim Rugovës me shokë. Opsioni rezervë i rezistencës të armatosur, u lëndëzua me krijimin e Forcave të Armatosura dhe Shërbimin e Informativ. Zbulimi dhe goditja nga pushtuesi ishte e egër. Përndjekja dhe burgosja filloi. Tërheqja e përkohshme, e vetmja alternativë. Përndryshe, lufta do të nismonte, pikërisht, në Kosovë.
     Pas luftërave të përgjakshme në Kroaci e Bosnje, radha i erdhi Kosovës. Faktori ushtarak shqiptar nuk u bashkua. LPK-ja, përkatësisht, puçistët e Kryesisë së re, të cilët ishin peng të Shërbimeve Informative të disa shteteve armike të Kosovës, u përcaktuan për sabotimin e luftës. Kosova nuk arriti ta përballojë luftën, kundër soldateskës pushtuese serbo-sllave. Ndërhyrja e NATO-paktit, e motivuar për arsye humanitare, e çliroi Kosovën, por, jo edhe pa kushtëzime. Rrjedhojë është edhe Asosacioni, përkatësisht, Bashkësia e Komunave me shumicë serbe.
     Ishte fatkeqësi e madhe për Kosovën, që një person i bërrylave, fort i shantazhuar nga Serbia dhe më gjerë, i dyshuar faktik për një të kaluar kriminale, u katapultua në krye të Qeverisë dhe në intrigim me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, edhe në krye të shtetit. Zoti Thaçi, në konspiracion të plotë me palën serbe, pa e pyetur e përfillur as partinë e tij dhe as strukturat tjera shtetërore, firmosi Marrëveshjen fatale, si nismë të krijimit të Asosacionit, për të vazhduar më tej, deri në lobimin për ndarjen e Kosovës.
     Më 19 prill 2013, në Bruksel Kosova dhe Serbia, përkatësisht, kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, kanë nënshkruar marrëveshjen e parë, për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk arriti zbatimin e saj. Ajo çalonte në shumë pika, në veçanti funksionimi i gjykatave në Veriun e Kosovës dhe formimi i Asosacionit, Bashkësisë të Komunave me shumicë serbe, ku parashikohej që kjo Bashkësi të gëzojë një shkallë të gjerë autonomie.
     Në të njëtën ditë dhe datë, ish-kryeministri Hashim Thaçi, i dërgon letër ish-sekretarit të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ku zotohej se Forcat e Sigurisë së Kosovës, nuk do të ndërmarrin misione në Veri të vendit, pa pëlqimin paraprak të KFOR-it!
      Korniza ligjore, e shprehur në pika, është tmerrësisht e frikshme, për të ardhmen e Kosovës. Statuti i Bashkësisë, me një serë kompetencash, është i studjuar dhe i porositur nga Beogradi. Bashkësia, Asosacioni ka organet ushtruese të kompetencave, siç janë Asambleja, Presidenti, Këshilli prej 30 anëtarësh, Bordi prej 7 anëtarësh, i cili votohet nga Asambleja. Parashikohet një Administratë, të cilën e cakton Bordi në koordinim me Presidentin. Do të këtë të punësuar enkas, për ta mbështetur Bashkësinë, në zbatimin e objektivave të saj. Madje, edhe një Zyrë të Ankesave!
     Rrjedhimisht, Asosacioni do të promovojë interesat e komunitetit serb të Kosovës. Parashikohet qasje në procedurat e gjykatave, madje, edhe në Gjykatën Kushtetuese. Katër komunat e Veriut, do të kenë të drejtën e bërjes të listës të kuadrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, deri edhe nominimin e Komandantit rajonal të Policisë!
     Statuti i Asosacionit, Bashkësisë, hartohet nga Ekipi Menaxhues. Pra, kemi të bëjmë me një administratë të dubluar, të fryrë, burokratike, krejt të tepërt dhe të kushtueshme, ashtu siç janë edhe komunat serbe në Kosovë, fshat e komunë!
     Argumetet që shpërfaqen në Kornizën ligjore për Asosacionin, Bashkësinë e Komunave Serbe, janë dëshmi bindëse se Marrëveshjet, qoftë e 19 prillit 2013, e nënshkruar nga Hashim Thaçi; qoftë ajo e 25 gushtit 2015, e nënshkruar nga Isa Mustafa, janë kundër Kushtetutës dhe kuadrit ligjor.
     Ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që ngulmoi, për ta dërguar, Marrëveshjen e nënshkruar, madje edhe të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese, e cila, në 23 nenet e saj, gjeti mospajtueshmëri flagrante me ligjet e Kosovës. Këto gjetje profesionale të Kushtetutës, e ngrinë Marrëveshjen për Asociacionin, Bashkësinë e Komunave Serbe.
     Edhe pse Isa Mustafa pranoi disa nga shkeljet e Kushtetutës, ai i relativizoi ato, duke i quajtur “retushime!” Pra, OK-ej dhe agjituan sforcueshëm, me Hashimin, për ta aprovuar në Kuvend Asosiacionin, “Zajednicën”, siç e quante LVV!

     Për më pak se dy muaj, bëhen 9 vite nga nënshkrimi i parë i Marrëveshjes, për Bashkësinë e Komunave Serbe në Kosovë. Është thënë e shkruar shumë. Është refuzuar Asociacioni me kompetenca ekzekutive, jo vetëm nga qeveritë e ndrruara të Republikës së Kosovës, por edhe nga populli i Kosovës, me përjashtim të komunitetit serb, i cili, me përjashtime të pakta, nuk e njeh Kosovën si shtet. Disa qeveri kanë shprehur gadishmërinë, për ta nënshkruar Asosiacionin, Bashkësinë e Komunave Serbe, duke njohur përgjegjësinë komunitetit serb në fushën e shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik e planifikimit urban e rural, me të drejtën shtesë të marrjes të fondeve nga Beogradi.

         Analogjia e “Republika Srpska” në Bosnje, me Asociacionin në Kosovë

     Qeveria aktuale, e LVV dhe Listës “GUXO”, e kryesuar nga Albin Kurti, refuzon ta pranojë qoftë edhe Asosiacionin pa kompetenca ekzekutive. Dhe, këtë e argumenton, madje bindshëm, me “Analogjinë në Bosnje e Hercegovinë”, duke i kujtuar datimet vendimmarrëse nga 26 prilli 1991 – kur serbët atje shpallin “Bashkësinë e komunave të krahinës së Bosnjes”; më 24 tetor 1991 – themelohet “Asambleja e Popullit Serb të BH”, me seli në Banja Llukë; më 9-10 nëntor 1991 – “Asambleja…” mbanë referendum, ku 92 % votuan për pavarësinë”; më 9 janar 1992 – përfaqësuesit serbë braktisin Parlamentin e BH dhe shpallin pavarësinë nga BH; më 28 shkurt 1992 – “Asambleja..” miraton kushtetutën e Republikës Serbe të BH, – e njohur sot si “Republika Srpska”; më 14 dhjetor 1995 – përmes Marrëveshjes në Dejton, “Republika Srpska” njihet edhe ndërkombëtarisht!!
     Dhe, sot, pas 25 viteve, “Republika Srpska” është forcuar si entitet shtetëror më shumë se Bosnja e Hercegovina, e cila është kthyer në një shtet jofunksional. Kjo është një dëshmi shumë domëthënëse, për Qeverinë, opozitën destruktive PAN-iste dhe shqiptarët, për kujdesin që duhet bërë në dialogun aktual, Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Zërat ngulmues, për ta pranuar Asosacionin e komunave serbe, edhe pas rrjedhojave që solli shpallja e “Bashkësisë të komunave të krahinës së Bosnjes”, më 26 prill 1991, duhet refuzuar me shumësinë e argumenteve, që na jep “Republika Srpska”, përgjatë 25 vjetëve të fundit.
     Realisht, çfarëdo Asociacioni, madje me çfarëdo kompetencash, shqiptarët nuk duhet ta pranojnë. Kosova është konsideruar dhe shpallur si shtet multi etnik. Si e tillë ajo nuk duhet të pranojë asociacion një etnik. Sepse, nëse krijohet precedent, rast paraprijës, për serbët, atëherë do të kërkonin edhe boshnjakët, edhe romët të krijonin asociacionet e tyre etnike. Për çudë, askush nuk është kujtuar, për ta përdorur këtë argument logjik, për ta kundërshtuar asociacionin një etnik serb!
     Propozimi i kryeministrit Kurti, për formimin e një Këshilli të komunave me shumicë serbe, do të ishte i mjaftueshëm, për qeverisjen lokale, me theks të veçantë shëndetësinë, arsimin, zhvillimin ekonomik, planifikimin urban e rural. Ndërsa marrja e fondeve nga Beogradi, duhet të bëhet në koordinim dhe transparencë të plotë me qeverinë e Kosovës.

     Idea e hedhur, nga disa sharlatanë politikë, se nëse lejohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive për veriun e Mitrovicës, njëjtë të bëhet edhe për “Luginën e Preshevës”! Së pari, reduktimi i Kosovës Lindore, në “Luginë” të Preshevës, është emërtesë e qëllimshme serbe, të cilën, me lehtësi e paturpësi, e përdorin shqiptarët e përbotshëm. Së dyti, këtë lloj Asociacioni mund ta pranojë lehtësisht Serbia, sepse qëllimet e saja janë të paracaktuara, me analogjinë e “Republika Srpska”: Bashkimin e Veriut të Mitrovicës Serbisë.

Asnjë kombi, nuk i kanë munguar tadhtarët

19 prill 2013 – Hashim Thaçi nënshkruan në Bruksel marrëveshjen e Parë të Parimeve Qeverisëse të Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me kryeministrin Ivica Daçiç, ish-zëdhënësin e qeverisë së Slobodan Milosheviçit, dhe Ministrin e Jashtëm aktual të Serbisë. Kjo marrëveshje i hap rrugën negociatave për themelimin e “Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë”.25 gusht 2015 – Isa Mustafa nënshkruan në Bruksel marrëveshjen për Parimet e përgjithshme/elementet kryesore të “Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë” me ish-ministrin për Informim në qeverinë e Slobodan Millosheviçit dhe kryeministrin aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç”. Clausula “Rebus Sic Stantibus”, është doktrinë e njohur ligjore ndërkombëtare, e cila mundëson që një kontratë, vendim apo marrëveshje ndërshtetërore të shfuqizohet. Dhe, për shfuqizimin e marrëveshjeve të dëmshme, madje fatale për Kosovën, duhet argumentuar pavleftëshmërinë e nënshkrimit. Marrëveshjet, qoftë ajo e Demarkacionit, e Asociacionit dhe të tjera, të nënshkruara nga zyrarët e lartë shtetërorë, janë bërë në konspiracion të plotë dhe pa fije transparence, për strukturat shtetërore dhe popullin e Kosovës. Elementi i tradhtisë, tashmë, është konsumuar.

     Ngritja e një akuze, kundër protagonistëve të pazareve të pista, me Malin e Zi dhe Serbinë, qoftë ajo edhe formale, për tradhti, do ta lehtësonte shumë shfuqizimin e marrëveshjeve dhe procesin e dialogut. Sepse, tashmë, dihet se shantazhi ka qenë zinxhirorë. Hashimi i shantazhuar i dyfishtë: nga Serbia dhe Haga, meqë ato i kanë dosjet për krimet faktike të Hashimit me shokë. Dhe, Isa ka qenë i shantazhuar nga Hashimi dhe SHIK-un i tij kriminal.