Ballina Aktualitet Këshilli i Evropës përjashton Rusinë nga organi i të drejtave të njeriut

Këshilli i Evropës përjashton Rusinë nga organi i të drejtave të njeriut

 

 

Këshilli i Evropës përjashtoi të mërkurën Rusinë nga organi kryesor i të drejtave të njeriut në kontinent, në një lëvizje të pashembullt lidhur me agresionin dhe luftën e Moskës në Ukrainë.

Këshilli i Ministrave i organizatës prej 47 vendesh anëtare tha në një deklaratë se “Federata Ruse nga sot nuk është më anëtare e Këshillit të Evropës”.

Në një lëvizje shumë simbolike pas vendimit, personeli i Këshillit të Evropës doli jashtë selisë së tij në Strasburg dhe hoqi flamurin rus, duke e palosur atë me kujdes përpara se të hiqej.

Rusia kishte qënë anëtare e grupit për 26 vite.

“Vetë veprimet e Rusisë kanë çuar në këtë rezultat,” tha Ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde. “Ne sinqerisht shpresojmë se Rusia një ditë do t’i kthehet idealeve të paqes dhe demokracisë dhe do të rifitojë anëtarësimin e saj.

Në fillim të kësaj jave, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës filloi procesin e përjashtimit dhe mbështeti njëzëri që Rusia të dëbohej.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha të mërkurën se vendi i tij do të ishte larguar nga Këshilli i Evropës edhe po të mos ishte përjashtuar. Në një intervistë me transmetuesin rus RBK, ai akuzoi vendet e NATO-s dhe BE-së se “po abuzonin shumicën e tyre në këshill, duke e shndërruar atë përfundimisht në një mjet për politikën anti-ruse”. Ukraina është gjithashtu anëtare e Këshillit të Evropës.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba e përshëndeti menjëherë vendimin, duke postuar në Twitter se “nuk kishte vend për Rusinë në organet evropiane pasi ajo zhvillon një luftë barbare agresioni kundër Ukrainës dhe kryen krime të shumta lufte”.

Ishte e paqartë se cila ishte shkalla e mbështetjes për përjashtimin e Rusisë pasi Këshilli i Ministrave arriti në një “konsensus” pas dyerve të mbyllura, duke e bërë të pamundur numërimin e plotë të votave.