Ballina ED/OP Debati i pafund për vaksinimin me detyrim dëmton demokracinë

Debati i pafund për vaksinimin me detyrim dëmton demokracinë

 

Nga Volker Witting

Debati i pafund për vaksinimin e detyrueshëm dëmton demokracinë dhe forcon kundërshtarët e demokracisë. Deri tani nuk ka asnjë vendim konkret, mendon Volker Witting.

Politika sigurisht që nuk është shquar për mirë kur bëhet fjalë për vaksinimin me detyrim! Një debat i pafund pa vendime konkrete. Për momentin duket se askush nuk e di më nëse dhe çfarë mund të ndodhë me ketë proces të diskutueshëm. Do të thotë nuk dihet saktë se a do të jetë vaksinimi i detyrueshëm, kur do të vij dhe për cilat kategori. Tre të katërtat e gjermanëve nuk besojnë më se vaksinimi si i tillë do të jetësohet. E kjo ka të bëjë shumë edhe me kursin e paqartë të politikës.

Fillimi i gabuar në debat

Le të fillojmë përsëri nga e para: Gjermania zgjodhi një parlament të ri vjeshtën e kaluar. Varianti i keq Delta i virusit Corona tërboi dhe përmbyti shumë gjëra në repartet e kujdesit intensiv të spitaleve. Në atë kohë politikanët thoshin njëzëri: Nuk kemi nevojë për vaksinim të detyrueshëm! Por në fund të nëntorit, Olaf Scholz ende pa u zgjedhur kancelar, njoftoi: Vaksinimi po vjen, do ta realizojmë më së voni deri në fillim të marsit 2022.

Premtimet boshe

Kështu kanë mbetur gjërat, deri tani. Sugjerime dhe iniciativa të menduara mirë – asnjë. Në vend të kësaj: hezitim, reflektim dhe debat pas dyerve të mbyllura, e më pas një kompromis i vakët. Votimi për vaksinimin e detyrueshëm u shpall çështje ndërgjegjeje, një çështje etike, në të cilën çdo deputet i Bundestagut është i detyruar vetëm në bazë të ndërgjegjes së tij dhe nuk ka nevojë t’i përmbahet linjës së partisë së tij. Koalicioni i SPD, të Gjelbërve dhe FDP-së nuk arriti të bjerë dakord për një projektligj të përbashkët, sepse shumë anëtarë të FDP-së liberale nuk ishin dakord me detyrimin për vaksinim. Opozita e Unionit e quajti këtë “refuzimin të punës”.

Ngadalësia dhe vajtimi

Detyrimi i vaksinimit është një cenim i të drejtës themelore për integritet fizik. Dhe: Vetëm tre të katërtat e gjermanëve janë të vaksinuar. E thuhet se duhet të jetë më shumë se 90 përqind në mënyrë që të jemi në gjendje të luftojmë Coronën në mënyrë efektive. Prandaj duhet të ketë një veprim të shpejtë dhe të kuptueshëm. Në vend të kësaj erdhi ngadalësia dhe ankimi.