Ballina Aktualitet Cilat vende mund të zëvendësojnë gazin rus?

Cilat vende mund të zëvendësojnë gazin rus?

 

BE-ja dëshiron të bëhet e pavarur nga gazi rus, ndërsa shefi i Kremlinit Vladimir Putin po kërcënon me mbylljen e Nord Stream 1. Por cilat vende mund t’i plotësojnë nevojat për gaz në Evropë?

Gjermania në veçanti është përfshirë në këtë grackë: Sipas Agjencisë Federale të Rrjeteve, rreth 55 përqind e gazit të importuar aktualisht vjen nga Rusia, kështu që varësia është veçanërisht e lartë në krahasim me vendet e tjera evropiane, me përjashtim të Hungarisë e cila importon rreth 85% të gazit nga Rusia. Rezervat gjermane të gazit kanë rënë nën 30 për qind të kapacitetit të magazinimit. Për këtë arsye është duke u diskutuar edhe për rritjen e importit të gazit të lëngshëm (LNG, Liquefied Natural Gas). Por cilat vende mund të konsiderohen si furnizues shtesë?

SHBA

SHBA është një nga prodhuesit më të mëdhenj të gazit natyror dhe eksportuesit më të mëdhenj të gazit të lëngshëm në botë, duke i falënderuar edhe frakingut. Metoda është shumë e diskutueshme për arsye mjedisore. Procesi përfshin injektimin e një përzierjeje uji, rëre dhe kimikatesh në tokë, dhe kështu lirohet vaj ose gaz. Megjithatë, BE-ja thuhet se tashmë është në negociata për importin e gazit shtesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtetet e Bashkuara kanë rritur tashmë eksportet e gazit të lëngshëm në Evropë në javët e fundit. Por Gjermania nuk do të përfitonte menjëherë nga ky gaz, sepse nuk ka asnjë terminal për LNG.

Norvegjia dhe Holanda

Norvegjia është gjithashtu një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të gazit dhe ndërkohë furnizon rreth një të tretën e kërkesave të gazit të Gjermanisë. Por rritja e sasive të gazit nga Norvegjia nuk është e mundur. “Ne aktualisht ofrojmë me kapacitet të plotë,” tha kryeministri i Norvegjisë Jonas Gahr Store në televizionin gjerman në mes të janarit. “Nuk kemi rezerva”, tha ai. Edhe Holanda, e cila siguron dhjetë për qind të gazit natyror të Gjermanisë, nuk mund të rrisë eksportet e saj, sepse nuk ka kapacitete më të mëdha.

Katari

Katari është një nga eksportuesit më të mëdhenj të gazit të lëngshëm. Krahas Rusisë dhe Iranit, ai ka rezervat më të mëdha të gazit natyror në botë. Por ky vend tashmë po prodhon në kufirin e tij të sipërm. Së pari kërkohen “investime të rëndësishme në infrastrukturë” dhe kontrata afatgjata me evropianët, tha ministri i Energjisë Saad Sherida al-Kaabi në një takim me 11 përfaqësues të vendeve eksportuese të gazit në Doha, dy ditë përpara ndërhyrjes ruse në Ukrainë. Megjithatë, Katari mund të rrisë sasinë e gazit natyror të lëngshëm – do të thotë LNG – në vitet e ardhshme.