Ballina Aktualitet Rusia i kërcënon deri me shpronësim sipërmarrjet ndërkombëtare

Rusia i kërcënon deri me shpronësim sipërmarrjet ndërkombëtare

 

Sipërmarrjet, që për shkak të sulmit ndaj Ukrainës ndërprenë biznesin në Rusi janë në shënjestër të Prokurorisë së Përgjithshme ruse.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme ruse duhet të verifikohet respektimi i detyrimeve që kanë këto sipërmarrje ndaj punonjësve rusë dhe të drejtat e tyre, komunikoi të premten (11.03) ky autoritet. Çdo ndërprerje e punës në këto sipërmarrje duhet të verifikohet gjithashtu nëse paraqet një falimentim të qëllimshëm apo fiktiv.

Për shkak të sulmit ndaj Ukrainë një sërë kompanish ndërkombëtare – ofrues të artikujve të modës apo mallrave të konsumit, prodhues automobilësh, banka apo sipërmarrje të teknologjisë së informacionit – kanë ndërprerë aktivitetin në Rusi. Shumë sipërmarrje deklaruan në mënyrë eksplicite, se punonjësit duhet të vazhdojnë të paguhen.

Qeveria ruse kërcënon me shpronësimin e firmave ndërkombëtare, që pezullojnë biznesin në vend. Për këtë arsye po punohet lidhur me masat që duhen ndërmarrë për falimentimin e këtyre firmave në Rusi dhe më pas të vihet në proces shtetëzimi i pronës së tyre, tha zëvendësshefi i Këshillit rus të Sigurisë, Dmitri Medvedev të enjten (10.03.2022).

Mbi “bazën e pasurisë së lënë pas në panik të investitorëve duhet të konstruktohet një prodhim i ri. Presidenti Vladimir Putin e mbështet këtë propozim dhe mblodhi qeverinë, “për të vepruar me vendosmëri”, në mënyrë që të shmanget dëmi për partnerët rusë të biznesit të këtyre sipërmarrjeve. Për këtë ekzistojnë “mjaft mekanizma ligjorë të tregut”.

Uashingtoni është alarmuar

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, e paralajmëroi Kremlinin nga një shpronësim. “Çdo vendim antiligjor i Rusisë, për të konfiskuar pasurinë e sipërmarrjeve, do t’i sjellë Rusisë edhe më shumë dhimbje ekonomike”, shkruan ajo në Twitter. “Kjo do të përcjellë tek bashkësia globale ekonomike mesazhin e qartë, se Rusia nuk është një vend i sigurt për investime dhe biznese.”

ul/hb (dpa)