Ballina Aktualitet SHBA “edhe një grusht” Rusisë: Këto janë sanksionet e radhës

SHBA “edhe një grusht” Rusisë: Këto janë sanksionet e radhës

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë.

Departamenti Amerikan i Thesarit sanksionoi të premten “elita, liderë, oligarkë” të Kremlinit dhe disa nga anëtarët e familjeve të tyre pasi “e kanë ndihmuar Putinin në luftën kundër Ukrainës”, tha departamenti në një deklaratë.

Të sanksionuarit përfshinin tre anëtarë të familjes së zëdhënësit të presidentit rus, Vladimir Putin, Dmitry Peskov, manjatin rus, Viktor Vekselberg dhe 10 anëtarë të bordit drejtues të Bankës VTB të sanksionuar, shkruan CNN, transmeton lajmi.net.

Gjithashtu u sanksionuan 12 anëtarë të Dumës Shtetërore Ruse, duke përfshirë kryetarin, Vyacheslav Volodin dhe kryetarin e Partisë Komuniste të Rusisë, Genadi Zyuganov.

Sanksionimi i Zyuganov në veçanti u raportua në mediat shtetërore ruse.

Ai është përgjigjur që atëherë, duke e quajtur atë një “shpërblim” dhe vërtetim të përpjekjeve të tij për “krijimin e paqes” dhe “luftën kundër nazizmit”, duke i bërë jehonë retorikës së Putinit për justifikimin e pushtimit të Ukrainës.

Peskov u sanksionua më 3 mars si “propagandist kryesor” i Federatës Ruse.

Por të premten, gruaja e Peskov, Tatiana Navka dhe dy nga fëmijët e rritur të Peskov – Nikolay Peskov dhe Elizaveta Peskova – u sanksionuan gjithashtu. Tatiana Navka, e cila fitoi një medalje të artë në vallëzimin në akull në Lojërat Olimpike të 2006-ës, ka një “perandori pronësore me vlerë më shumë se 10 milionë dollarë”, sipas deklaratës së Departamentit të Thesarit.

Po ashtu, dy nga asetet luksoze të Vekselberg, një avion Airbus A319-115 dhe një jaht i quajtur Tango – secili me vlerë rreth 90 milionë dollarë secili – u identifikuan si pronë e bllokuar, thuhet në deklaratë.