Ballina Rajoni Kosova nis përdorimin e energjisë së gjelbër

Kosova nis përdorimin e energjisë së gjelbër

 

Në Bajgorë në veri të Kosovës u vunë në punë 27 turbina eolike. Projekt ky i realizuar me investim gjerman.

Parku i energjisë eolike në Kosovë i inaguruar (11.03.2022) në prani edhe të ministres së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, është ndërtuar me mbështetjen gjermane. Investimi total arrin në në 170 milionë euro.

Felix Cornelius, përfaqësues i kompanisë SOWI, deklaron, se: “Ky është një projekt i energjisë së erës dhe prodhon energji elektrike vetëm kur fryn erë. Kjo është arsyeja pse ideja dhe strategjia jonë është që të përpiqemi të ndërtojmë një kombinim. Për shembull shumë projekte diellore. Kur në jug ka diell, ne prodhojmë energji atje, edhe nëse nuk fryn erë këtu. E njëjta gjë ndodh anasjelltas.”

Baerbock: Diplomaci e re e klimës

Kosova renditet mes vendeve me cilësinë më të keqe të ajrit.

Annalena Baerbock me Albin Kurtin

Ministrja e Jashtme gjermane në inaugurimin e projektit madhor, që përbën një nga investimet më të mëdha të huaja në Kosovë, theksoi rëndësinë e tranzicionit të energjisë në krizën aktuale. “Përmes diplomacisë së re të klimës, Gjermania është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në këtë fushë vendimtare. Energjia e gjelbër nuk është vetëm një çështje klimatike, por edhe një çështje sigurie. Lufta e presidentit Putin kundër Ukrainës nuk lë asnjë dyshim se ne duhet të pakësojmë varësinë tonë nga karburantet fosile dhe të përqendrohemi tek energjitë e ringjenerueshme.”