Ndërsa bota po shikon Rusinë tek sulmon Ukrainën, “Klondike”, një dramë nga regjisorja ukrainase Maryna Er Gorbach, na kthen në fillim të konfliktit ruso-ukrainas në vitin 2014 në rajonin e Donbasit në kufirin mes dy vendeve. Atje, mes një konflikti të armatosur midis separatistëve pro-rusë dhe forcave ukrainase, një raketë e prodhuar nga Rusia rrëzoi avionin e shoqërisë ajrore të Malajzisë, duke vrarë të 298 personat në bord. Në një intervistë me korrespondenten Penelope Poulou të Zërit të Amerikës, regjisorja thotë se qysh atëherë konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës nuk përfundoi asnjëherë.
Ndërsa Rusia sulmon Ukrainën, regjisorja Maryna Er Gorbach thotë se konflikti e ka origjinën që nga viti 2014.
Filmi i saj “Klondike”, i bazuar në një çift që jeton në rajonin e Donbasit dhe në pritje të fëmijës së tyre të parë, hedh dritë mbi përplasjet midis separatistëve pro-rusë dhe nacionalistëve ukrainas në zonën kufitare.
Filmi fillon me një shpërthim në shtëpinë e Tolikut dhe Irkas – të shkaktuar nga rrëzimi i avionit me numër fluturimi 17, të linjës ajrore “Malaysia Airlines”, i goditur nga një raketë e prodhuar në Rusi.
“Fshati që ne po përshkruajmë, vendndodhja që krijuam, shtëpitë, stili i tyre i jetesës, të gjitha janë të lidhura me atë realitet”, thotë regjisorja Maryna Er Gorbach.
“Klondike” përcjell tensionin në rritje në zonë ndërsa forcat separatiste dhe mercenarët përshkallëzojnë sulmet e tyre. Toliku dëshiron të largohet nga zona, por gruaja e tij, Irka, në fazat e fundit të shtatzanisë, nuk pranon të braktisë shtëpinë e tyre. Vëllai i Irkës, Yarik, një nacionalist ukrainas, vjen për të ndihmuar motrën e tij, por në vend të kësaj ai përplaset me kunatin e tij, Tolik, i cili është nën presion nga miqtë e tij separatistë pro-rusë, për t’iu bashkuar kauzës së tyre.
“Ai nuk mund të jetë hero. Ai me të vërtetë nuk e di se çfarë duhet të bëjë dhe si ta menaxhojë gjithë këtë situatë, dhe Yarik – është brezi i ri, ai është një maksimalist. Ai dëshiron të luftojë; dëshiron të shkojë në luftë kundër ushtarëve dhe armiqve. Ai dëshiron të fitojë, dëshiron të protestojë, të jetë i zhurmshëm, të jetë i dukshëm”, thotë regjisorja.
Regjisorja thotë se armiqësia mes dy kunetërve është simbolikë e një vëllavrasjeje të vazhdueshme në rajon. “Klondike” ofron edhe një mesazh feminist përmes personazhit të Irkës, më e forta nga tre individët, e cila mban të bashkuar familjen e saj dhe përgatitet të japë jetë përballë vdekjes së afërt.
Maryna Er Gorbach thotë se kur filloi të realizonte këtë film, për ironi të fatit, Ukraina nuk ishte shumë në lajme.
Ajo donte të tërhiqte vëmendjen ndaj përçarjes në Ukrainë ndërsa Rusia po ndërhynte dhe donte të tregonte se sa të vështira janë kushtet e jetesës atje.
“Tani Ukraina është në lajme ngado, por megjithatë, lajmet janë një lloj statistike dhe ndoshta filmi do të ndihmojë audiencën ndërkombëtare të mendojë përtej lajmeve. Ndoshta njerëzit do të pyesin veten, ‘Si jetojnë njerëzit atje?’ Konflikti ka filluar në vitin 2014. Jemi në mes të Evropës! Jemi në mes të Europës! Si jetojnë njerëzit atje? Këtë dua të përcjell”, thotë ajo.