Ballina Aktualitet Amerikano-ukrainasit bëhen bashkë për të mbështetur Ukrainën

Amerikano-ukrainasit bëhen bashkë për të mbështetur Ukrainën

 

Në një kohë kur agresioni rus ndaj Ukrainës po intensifikohet, komuniteti amerikano-ukrainas që jeton pranë zonës së kryeqytetit, Uashingtonit, po organizon një sërë aktivitetesh që synojnë mbledhjen e fondeve për Ukrainën, falë ndihmës së një kishe lokale. Oksana Denagri nuk i kontrolloi dot emocionet ndërsa po jepte një mesazh për njerëzit e saj të dashur që ndodhen në Ukrainë.

“Kurrë mos u dorëzoni! Shpirtrat tanë, zemrat tona janë me ju. Ne do të bëjmë gjithçka, për aq sa mund të bëjmë për t’u ndihmuar nga këtu”, thotë ajo.

Oksana së bashku me qindra amerikano-ukrainas të tjerë, po merrnin pjesë në një aktivitet të veçantë bamirësie, organizuar nga një kishë ukrainase që ndodhet në të dalë të Uashingtonit.

“Ukrainasit janë shumë të guximshëm. Ne mund të rezistojmë, por kemi nevojë për ndihmë”, thotë Yana Kravchenko, amerikano-ukrainase.

Prindërit, vëllezërit dhe motrat e Yana Kravchenkos ndodhen aktualisht në Ukrainë. Ajo po shet punime artistike ndërsa djali i saj i vogël luan në violinë për të siguruar donacione për Ukrainën.

Katedralja ortodokse ukrainase Shën Andrew në Silver Spring të Merilendit ka ftuar amerikano-ukrainasit që të shesin veprat e tyre të artit, punime artizanale apo edhe produkte të tjera, për të mbledhur fonde për ata që vazhdojnë të jenë në Ukrainë, si dhe refugjatët që kanë ikur nga vendi.

“Deri më tani, nuk ka refugjatë që po vijnë këtu. Sigurisht që po lobojmë që qeveria të përshpejtojë mundësinë e sjelljes së refugjatëve, por tani për tani ky nuk është qëllimi ynë. Ne duam që njerëzit të qëndrojnë në Ukrainë. Ajo që po bëjmë dhe mendoj se është e suksesshme është që të veprojmë si ndërlidhës mes komunitetit jo-ukrainas në zonën e Uashingtonit dhe famullisë sonë”, thotë Tamara Woroby, Presidente e Këshillit të Kishës.

Mark Maytin dhe bashkëshortja e tij, Ala Shirakawa, janë nga Azerbajxhani. Ata kanë ardhur këtu për të mbështetur miqtë e tyre në Ukrainë duke shitur punime në qelq për donacione.

“Ajo që po ndodh aktualisht është një mizori e pastër, e panevojshme dhe krejtësisht e padrejtë ndaj popullit ukrainas. Të vetmit njerëz që mund t’i fajësoj për këtë janë ata që janë aktualisht në pushtet në Rusi. Ne po përpiqemi të shohim se çfarë mund të bëjmë, sikurse të kontribuojmë me para e të marrim pjesë në aktivite si këto”, thotë Mark Maytin, amerikano-azerbajxhanas.

Që nga fillimi i konfliktit kisha ka mbledhur me qindra kilogramë në produkte të ndryshme si dhe ka mbajtur shërbesa të veçanta kishtare e lutje për Ukrainën. Shumë famulltarë kanë protestuar çdo ditë. 84-vjeçarja Jaroslava Francuzenko thotë se ka protestuar kundër agresionit rus që nga viti 2014.

“Është e paimagjinueshme, dhimbja dhe pikëllimi që po kaloj. Në të njëjtën kohë jam shumë krenare që jam pjesë e kombit ukrainas”, thotë ajo.

Zonja Francuzenko thotë se i vjen mirë që bota po kupton kërcënimin që paraqet Rusia. Ajo më vonë iu bashkua mijëra protestuesve jashtë Shtëpisë së Bardhë, që u mblodhën për të kërkuar sanksione më të ashpra ndaj Rusisë.