Ballina Aktualitet Mijëra refugjatë ukrainas vazhdojnë të vërshojnë drejt Polonisë

Mijëra refugjatë ukrainas vazhdojnë të vërshojnë drejt Polonisë

 

Agjencia e OKB-së për Refugjatët, UNHCR tha të hënën se numri i njerëzve të larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmit rus më 24 shkurt ka arritur në 1.7 milionë, duke e bërë këtë krizën me rritjen më të shpejtë të numrit të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Mbi 1 milion refugjatë ukrainas tashmë janë zhvendosur vetëm në Poloni. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell ndodhet në qytetin e Przemyslit në kufirin Poloni-Ukrainë, në të cilin vazhdojnë të mbërrijnë shumë refugjatë ukrainas.

Tingujt me mesazhe paqësore të një pianisti përshëndesin valën e madhe të njerëzve të zhvendosur nga Ukraina, duke ua larguar për një çast atyre vëmendjen nga mjerimi i shkaktuar nga sulmi i Rusisë.

Në Poloni, deri më tani, janë zhvendosur mbi 1 milion njerëz, duke e bërë atë vendin me numrin më të madh të refugjatëve të larguar nga Ukraina. Ata janë duke u mirëpritur nga fqinjët e tyre evropianë.

Shumica e refugjatëve të sapoardhur dërgohen me autobus në qendrat e pritjes larg kufirit. Disa prej tyre kanë familje ose miq në Poloni ku mund të qëndrojnë.

Por shumë prej tyre nuk kanë ku të shkojnë. Atyre u jepen shtretër në qendra të përkohshme strehimi, si një shkollë në qytetin e Przemyslit, i cili i ka hapur dyert për refugjatët.

Polonia ka arritur të sistemojë me një efikasitet të jashtëzakonshëm numrin e madh të refugjatëve që kanë mbërritur në kufijtë e saj deri më tani. Por nuk është e qartë se për sa kohë mund të vazhdojë kjo, duke marrë parasysh që dhjetëra mijëra refugjatë vazhdojnë të mbërrijnë çdo ditë në këtë vend fqinj të Ukrainës.

Yevgenia arriti në Poloni me tre nga katër fëmijët e saj.

“Bashkëshorti im është në Ukrainë, nuk e lejuan të largohej. Djali im i madh është 18 vjeç dhe u detyrua të regjistrohej për rekrutim në ushtri. Pra, ne jemi të ndarë. Vullnetarët vijnë tek ne dhe na ofrojnë mundësi për të shkuar në zona ku mund të punojmë. Ne duam të punojmë që të mos jemi të varur nga dikush tjetër, në mënyrë që të jemi të dobishëm për diçka”, thotë ajo.

Drejtoresha e shkollës, Malgorzata Ziober, monitoron qendrën e strehimit, e cila tani ka qindra refugjatë.

“Momentet më të rënda janë kur për shembull, një autobus vjen natën dhe në mesin e refugjatëve ka foshnja 4 ose 5 muajshe. Është vërtet shumë emocionuese dhe mendoj se jo të gjithë janë të përgatitur për ta përballuar këtë. Mund ta bëjmë këtë, sepse jemi të fortë. Nuk e dimë për sa kohë. Për sa kohë që kemi forcë, ne do të ndihmojmë”, thotë ajo.

Një qendër kulturore e qytetit është shndërruar në një qendër të përkoshme strehimi për refugjatët. Banorët dhe bizneset kanë dhuruar artikuj të nevojshëm për refugjatët.

“Në fillim refugjatët janë të shokuar, duan të rrëfejnë të gjitha gjërat që kanë përjetuar. Dhe pastaj ngadalë ata qetësohen dhe mësohen me realitetin e ri, pra se duhet të vazhdojnë të jetojnë”, thotë Janusz Zapotocki, politikan lokal.

Lidhjet historike shtrihen thellë përtej këtij kufiri. Në katedralen e Kishës Katolike Greke të Ukrainës në Przemysl, gjatë meshës të dielën në mëngjes besimtarët u lutën për popullin e Ukrainës. Mesha u transmetua drejtpërdrejt në kanalet televizive në të gjithë Poloninë.

Shumë refugjatë ukrainas thonë se shpresojnë të kthehen në shtëpi brenda disa javësh, dhe shpesojnë që kjo krizë marramendëse të përfundojë së shpejti. Por, ndërsa shohin imazhet e vdekjes dhe shkatërrimit në vendin që lanë pas, shpresa fillon të venitet./ VOA