Ballina Aktualitet Blinken takon Kulebën në kufi, duke sinjalizuar mbështetjen amerikane

Blinken takon Kulebën në kufi, duke sinjalizuar mbështetjen amerikane

 

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba u takuan të shtunën në kufirin e Ukrainës me Poloninë të shtunën për të diskutuar përpjekjet perëndimore për të mbështetur Ukrainën dhe për të izoluar Rusinë.

Mes masave të rrepta të sigurisë, zoti Blinken dhe zoti Kuleba mbajtën bisedime në një tendë në kufirin nga vazhdonin të vinin refugjatët, kryesisht gra dhe fëmijë.

“E gjithë bota qëndron në krah të Ukrainës, ashtu siç po qëndroj këtu në Ukrainë me mikun tim, kolegun tim,” tha zoti Blinken.

“Shpresoj që populli i Ukrainës të jetë në gjendje ta shohë këtë si një manifestim të qartë se ne kemi miq që na qëndrojnë në krah”, tha zoti Kuleba.

Dy kryediplomatët diskutuan lidhur me paisjen e Ukrainës me armë dhe fushatën për të izoluar Rusinë në shkallë ndërkombëtare, si edhe për të dëmtuar ekonominë e saj me sanksione, tha zoti Kuleba.

Ukraina do ta fitojë luftën e saj me Rusinë përfundimisht, tha ai, por mbështetësit e saj ndërkombëtarë duhet të ofrojnë më shumë ndihmë për t’i dhënë fund konfliktit sa më shpejt.

Ukraina ka nevojë veçanërisht për avionë luftarakë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, tha ministri i jashtëm ukrainas, duke shtuar se armët anti-ajrore Stinger të ofruara nga vendet perëndimore po ndihmonin. Forcat ukrainase rrëzuan tre avionë rusë të shtunën, tha ai.

“Nëse vazhdojnë të na ofrojnë armët e nevojshme, çmimi do të jetë më i ulët. Kjo do të shpëtojë shumë jetë,” tha zoti Kuleba.

Ai tha se nuk ka pasur përparim në bisedimet me Rusinë për një armëpushim që ishin mbajtur në kufirin e Ukrainës me Bjellorusinë, por “ne duhet të vazhdojmë të flasim”. Një raund i tretë është planifikuar për të hënën. /REUTERS/