Ballina Aktualitet Blinken: Do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s

Blinken: Do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ritheksoi të shtunën se do të mbrohet çdo centimetër territorit i NATO-s, ndërsa forcat ruse prej ditësh po kryejnë sulme në Ukrainë. Zoti Blinken i bëri komentet nga Polonia ku ai theksoi se SHBA ka zhvendosur më shumë se 10 mijë trupa si dhe paisje ushtarake të shumta. Ndërkohë ministri i Jashtëm polak tha se vendi i tij nuk do të pranojë asnjë ndryshim territorial të shkaktuar nga “agresioni i paprovokuar dhe i paligjshëm i Rusisë”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u takua me kryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Polonisë në qytetin polak të Rzeszoë, pranë kufirit ukrainas ku qindra mijëra njerëz kanë kaluar që kur Rusia nisi sulmet.

Zoti Blinken vlerësoi Poloninë për reagimin e saj ndaj veprimeve të Rusisë si dhe për pritjen e refugjatëve nga Ukraina.

Numri i refugjatëve nga Ukraina mund të arrijë në 1.5 milionë deri në fund të fundjavës nga 1.3 milionë që është aktualisht, tha të shtunën kreu i agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara.

“Si aleatë të NATO-s, bashkëpunimi i mbrojtjes midis Polonisë dhe Shteteve të Bashkuara mendoj se është në pikën më të lartë. Që nga 30 janari, Shtetet e Bashkuara kanë dyfishuar numrin e personelit ushtarak të dislokuar në Poloni. Po ashtu ne rritëm ndjeshëm sasinë dhe llojet e pajisjeve ushtarake që kemi pozicionuar në Poloni. Siç ka thënë Presidenti Biden, ne do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s”, theksoi Sekretari amerikan i Shtetit.

Sipas tij, për të ndihmuar krizën humanitare për refugjatët ukrainas që po zhvendosen në Poloni apo vende të tjera, administrata Biden i kërkoi Kongresit një fond prej 2.75 miliardë dollarë.

Ndërkohë ministri i Jashtëm i Polonisë, tha se vendi i tij do të vazhdojë të mirëpresë refugjatët pavarësisht nga kombësia, raca dhe feja.

Ai tha gjithashtu se Polonia nuk do të pranojë asnjë ndryshim territorial të shkaktuar nga “agresioni i paprovokuar dhe i paligjshëm i Rusisë”.

Moska thotë se ka nisur në Ukrainë një “operacion special ushtarak” dhe qëllimi sipas tyre është të çarmatosë Ukrainën, të mos lejojë anëtarësimin në NATO dhe të kap liderët ukrainas që i cilëson si neo-nazistë.

Sekretari Blinken mbërriti në Poloni nga Brukseli, ku u takua me ministrat e jashtëm nga aleanca e NATO-s, për të diskutuar përpjekjet e Perëndimit për të penguar agresionin rus përmes një programi sanksionesh të ashpra.

Anëtarët e NATO-s po ofrojnë ndihmë ushtarake për forcat qeveritare të Ukrainës për luftën kundër ushtrisë ruse, shumica e të cilave kalon përmes Polonisë.

Por aleanca ka refuzuar kërkesat e Ukrainës për të zbatuar një zonë ndalim-fluturimi mbi vend, duke thënë se kjo mund të provokojë një konflikt shumë më të gjerë dhe akoma më të rrezikshëm.

Ditët e fundit në Poloni, një vend anëtar i NATO-s, kanë mbërritur nga Shtetet e Bashkuara avionë ushtarakë dhe pajisje të tjera luftarake. Po ashtu SHBA ka zhvendosur në Poloni rreth 10 mijë trupa./ Reuters