Propaganda e Rusisë në përpjekje për të fshehur pushtimin rus ka arritur deri në pikën e urdhërimit të mbylljes së aplikacionit facebook për qytetarët.
Rregullatori rus, Roskomnadzor, e justifikoi veprimin duke thënë se kishte pasur 26 raste të diskriminimit ndaj mediave ruse nga Facebook që nga tetori 2020, duke përfshirë kufizimet në ditët e fundit në kanalet e mbështetura nga shteti si Russia Today dhe agjencia e lajmeve RIA.
Masa është një përshkallëzim i madh në një konfrontim të vazhdueshëm midis kompanive të mëdha të teknologjisë dhe Rusisë, e cila vitet e fundit ka lëshuar një sërë gjobash dhe ka penguar shërbimet përmes ngadalësimeve. Tensionet arritën kulmet me pushtimin rus të Ukrainës, të cilin Moska e quan një “operacion special”.
Javën e kaluar, Moska tha se po kufizonte pjesërisht aksesin në Facebook, një veprim që kompania tha se erdhi pasi refuzoi një kërkesë të qeverisë për të ndaluar kontrollin e pavarur të fakteve të disa mediave shtetërore ruse. Të shtunën, Twitter tha gjithashtu se shërbimi i tij ishte duke u kufizuar për disa përdorues rusë.
Kompanitë e mëdha të teknologjisë janë përballur me presion për t’iu përgjigjur pushtimit të 24 shkurtit, i cili ka çuar në sanksione ekonomike kundër Moskës nga qeveritë në mbarë botën.