Ballina Aktualitet Zelenskyy në Parlamentin Evropian: Dëshmoni që jeni me ne

Zelenskyy në Parlamentin Evropian: Dëshmoni që jeni me ne

 

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, i kërkoi Bashkimit Evropian. përmes një video-fjalimi në një seancë urgjente të Parlamentit Evropian, të “dëshmojë se është me Ukrainën” në luftën e saj me Rusinë, një ditë pasi Kievi kërkoi zyrtarisht të bashkohet me bllokun.

Ligjvënësit evropianë, shumë prej të cilëve të veshur me ngjyrat e flamurit të Ukrainës e pritën më duartrokitje të gjata fjalimin e presidentit të Ukrainës.

“Dëshmojeni që jeni me ne. Dëshmojeni që nuk do të na lini vetëm. Dëshmojeni se jeni evropianë dhe që jeta do të fitojë mbi vdekjen dhe drita do të fitojë mbi errësirën”, tha presidenti Zelenskyy

Udhëheqësit më të lartë të Bashkimit Evropian dënuan agresionin e Rusisë dhe u zotuan për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës, përfshirë edhe diskutimin e kërkesës së saj për integrim, ndonëse kjo është një rrugë e gjatë thanë ata.

“Para pak çastesh, presidenti Zelenskyy. na shikoi në sy. Ai hapi zemrën e tij dhe e bwri një njoftim të cilin tani e kemi marrë zyrtarisht: kërkesën që Bashkimi Evropian të njohë zyrtarisht se Ukraina është një vend kandidat. Do të na takojw neve si Bashkimi Evropian të veprojmë në përputhje me kohën. Do të jetë e vështirë, ne e dimë se ka pikëpamje të ndryshme në Evropë. Ka pikëpamje të ndryshme për këtë temë dhe do të jetë në dorën e Komisionit Evropian që të të nxjerrë një opinion mbi bazën e të cilit Këshilli do të marrë përgjegjësitë e tij. Këshilli do të duhet të shikojë seriozisht disa kërkesa simbolike politike dhe legjitime që janë bërë”, tha presidenti i Kwshillit Evropian, Charles Michel, duke theksuar se nuk wshtw vetëm Ukraina nwn sulm.

“E drejta ndërkombëtare, rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla, demokracia, dinjiteti njerëzor janë gjithashtu nën sulm. Ky është terrorizëm gjeopolitik, i pastër dhe i thjeshtë. Ne duhet të mbështesim Ukrainën. Ne duhet të mbrojmë paqen. Ne duhet të mbrojmë demokracinë dhe të drejtën ndërkombëtare”, tha zoti Michel.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se mënyra se si perëndimi i kundërvihet asaj që po bën Rusia do të përcaktojë të ardhmen e sistemit ndërkombëtar.

”Burra, gra, fëmijë po vdesin edhe një herë sepse një udhëheqës i huaj, Presidenti Putin, vendosi që vendi i tyre, Ukraina, nuk ka të drejtë të ekzistojë. Dhe ne kurrë, kurrë nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë dhe kurrë, kurrë nuk do ta pranojmë atë”, tha ajo.

Bashkimi Evropian iu bashkua sanksioneve amerikane dhe aleatëve të tjerë perëndimorë dhe për herë të parë në historinë e tij, vendosi të bleje dhe të dërgojë armë dhe pajisje ushtarake për të mbështetur Ukrainën.

“Tani do të shtojmë të paktën edhe 500 milionë euro nga buxheti i Bashkimit Evropian për të përballur pasojat humanitare të kësaj lufte tragjike në Ukrainë dhe kujdesin për refugjatët”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

 

Disa vende evropiane njoftuan planet e tyre për të dërguar ndihma dhe armë në Ukrainë. Ligjvënësit amerikanë po shqyrtojnë një kërkesë të Shtëpisë së Bardhë për njw ndihmë ushtarake dhe humanitare prej 6.4 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Ambasadori amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Carpenter, i tha shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës se ditëve të ardhshme pritet edhe më shumë mbështetje për Ukrainën.

“Sepse në fund të fundit, ukrainasit nuk po mbrojnë vetëm atdheun e tyre, familjet dhe tokën e tyre, por ata po mbrojnë lirinë për të gjithë ne. Ata po mbrojnë rendin ndërkombëtar dhe rregullat sipas të cilave ne jetojmë, kështu që ata janë në vijën e parë të asaj që është me të vërtetë një luftë globale dhe me të vërtetë u detyrohemi atyre të tregojmë solidaritetin dhe mbështetjen tonë”, tha ai.

Ambasadori amerikan tha se duhet shfrytëzuar të gjitha mjetet për t’i dhënë fund konfliktit dhe për t’u siguruar që lufta e presidentit rus, Vladimir Putin të dështojë. Ai tha se lufta ishte paramenduar dhe planifikuar prej muajsh nga presidenti Putin dhe Kremlini asnjëherë nuk ishte serioz për diplomacinë.

Ambasadori Carpenter tha se në selinë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, nuk ka më punë të zakonshme.

“Të gjithë janë të përqendruar në luftën në Ukrainë dhe si mund të ndihmojmë? Si mund të dokumentojmë shkeljet e të drejtave të njeriut? Si mund të shohim për krimet e mundshme të luftës dhe shkeljes së të drejtës ndërkombëtare humanitare. Ne gjithashtu duhet t’i dokumentojmë dhe regjistrojmë këto për të ardhmen, në mënyrë që të ketë llogaridhënie”.

Zyrtarë dhe vëzhgues të pavarur thonë se presidenti rus, Vladimir Putin, arriti atë që për shumë dekada nuk kishte ndodhur, unitetin e perëndimit.