Ballina Aktualitet BE do të fusë Ukrainën në rrjetin e saj të energjisë

BE do të fusë Ukrainën në rrjetin e saj të energjisë

 

Ministrat e Energjisë të BE-së duan të çlirojnë Ukrainën nga varësia energjetike nga Rusia. Edhe vetë BE-ja dëshiron ta shkëputet sa më shpejt të jetë e mundur nga gazi dhe nafta ruse.

Papritur gjithçka po ndodh shumë shpejt në Bruksel. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës bën të mundura marrjen e disa vendimeve brenda disa orësh, ndërkohë që pa luftë do të nevojiteshin muaj të tërë për miratimin e tyre. “Nuk kemi kohë për procedura burokratike në luftë”,
vuri në dukje shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Ministrat e Energjisë vendosën papritur në një takim të shpejtë emergjence në Bruksel që ta përfshijnë Ukrainën në Rrjetin Evropian të Energjisë Elektrike. Ukraina duhet të shkëputet nga rrjeti i përbashkët me Rusinë dhe Bjellorusinë sa më shpejt të jetë e mundur. Përpjekjet e para teknike për ta bërë këtë kishin nisur qysh përpara sulmit rus. Tani do të ketë një kyçje emergjente me disa hapa. Nga këndvështrimi i Komisioneres së BE-së për energjinë, Kadri Simson, nuk ka zgjidhje tjetër.

Furnizimi i BE-së duhet të mbetet i sigurt

Shoqatat e operatorëve evropianë të rrjeteve dhe autoriteteve mbikëqyrëse në BE tani duhet të shqyrtojnë brenda pak ditësh
sesi mund të lidhet rrjeti energjetik evropian me Ukrainën, e cila e përfton pjesën më të madhe të energjisë së saj elektrike nga katër reaktorë bërthamorë. Në fund të fundit, bëhet fjalë për rreth 40 milionë konsumatorë të rinj.

Kadri Simson: Sinkronizoni Ukrainën dhe rrjetin energjetik evropian

Përveç kësaj, duhet kontrolluar edhe se a depërtojnë dot hakerat në kontrollet e termocentraleve në BE përmes Ukrainës. “Rrjeti energjetik europian duhet të mbetet i sigurt”, ka kërkuar ministri gjerman për Çështjet Ekonomike, Robert Habeck, në Bruksel. “Nëse ushtria ruse sulmon një termocentral në Ukrainë, ne nuk duhet të pësojmë një blackout në Evropë”, tha ministri gjerman. “Duhet të garantohet qëndrueshmëria ndaj sulmeve kibernetike ose ndërprerjeve të energjisë.” Duhet ta mbështesim Ukrainën tani në mënyrë që furnizimi me energji elektrike të mos shembet plotësisht si rezultat i luftës,” tha Habeck.

Aktualisht, Rusia mund ta kufizojë masivisht furnizimin me energji elektrike në Ukrainë, sepse autoritetet ruse e kontrollojnë, për shembull, tensionin dhe frekuencën në rrjet, i cili daton që nga koha sovjetike.