Poeti Dero Murati lindi në Vlorë më 19 maj 1944 dhe ndërroi jetë po atje, më 14 mars 2021.
Në pikën e lotit, të qeshurit është plakuar,
Ku po shkoj, pyes veten, pashë se isha plakur.
Nga Enver Memishaj
Vite më parë poeti Hiqmet Mehmetaj më prezantonte me Dero Muratin e Velçote. Edhe pse nuk ishim takuar fizikisht doli se të dy e njihnin shumë mirë njeri tjetrin: Unë kisha shkruar për paraardhësit e tij dhe ai kishte lexuar çka unë kisha shkruar për pushkatimin pa gjyq të babait të tij dhe nuk duroi të më thoshte se babai tij Bino Murataj nuk kishte qenë asnjë ditë me grupin e të rinjëve komuniste, siç kisha shkruar unë, nga padija.Kishte merak ta largonte të atin nga idetë komuniste.
Dhe prej atij momenti që i dhash dorën Dero Muratit nuk u ndamë më me të. Ishte po Hiqmet Mehmetaj që më përshkroi vdekjen e pa pritur të të pa harruarit Dero Murataj. Hiqmeti më fliste dhe i dridhej zemra, e përsëriti disa herë, se si vdiq ashtu?
* * *
Mos pyesni se si vdiq Dero Murati po tregoni se si rrojti ai. Dhe Dero Murati jetoi si Zotni, dhe la pas gjurmë të pa shlyera të një njeriu të ndershëm e punëtor, të një aktivisti shoqëror dhe mbi të gjitha të një poeti qytetar. Ai vuajti një persekucion të egër prej regjimit komunist, por shpata e diktaturës së proletariatit u thye në shpatullat e Dero Muratit.
Në atë regjim ai nuk e gëzoi lirinë, jetoi i persekutuar e i përgjuar, jetoi në burgun e madhë Shqipri, rrethuar me tela me gjemba, por siç thotë Balzaku gjeniun nuk mund të burgose askush, sepse gjeniu e mbush hapsirën me idetë e tij. Kështu edhe Dero Murati jetonte me idetë e tij, me adhurimin për lirinë, me tingujt e vargjeve të poezisë së tij, që edhe pse nuk i shkruante se për rreth përgjonte hapsana, i recitonte e pëshpërsite, apo ua lexonte me zë të ulët shokëve dhe miqve besnikë. Kështu pra diktatura nuk mundi ta burgos poetin Dero Murati…
Para një viti Dero Muratin e mbuluam me dhe, thanë se vdiq. Por jo njeriu nuk vdes kur mbulohet me dhe, por kur harrrohet, dhe sot ne miqtë e tij të shumtë, vlonjatët e më gjerë, jemi prova se Dero Murati jeton midis nesh, se Dero Murati do të na flas edhe me mungsën e tij, me gjurmët që ai la pas, me veprat e tij, me poezitë e tij:
Pak dritë kërkoja nga jeta,
Netëve pa hënë,
Nga drita e vetëtimës,
U dogja i tërë
Një vështrim i shpejtë mbi krijimtarinë e Dero Muratit.
Derua filloi të shkruaj në moshën 60 vjeçare kur edhe botoi vëllimin e parë me poezi “Në rrjedhë të brengës”. Po pse në këtë moshë të thyer, kur shpirti poetik e poezia shpërthen tek njeriu në moshën djaloshare?
Derua dhe shokët e tij ishin padrejtësisht të dënuar. Ai ishte djali Bino Muratit i pushkatuar pa faj dhe gjyq nga komunistët. Dhe bijtë e “armiqve të popullit”, duhet të vuanin, po pa faj dhe pa gjyq një luftë të ashpër: demaskime para fshatarve, izolim politik, goditje policore, luftë ideologjike. Ishte proçes politik dhe jo ligjor, që synonte të terrorizonte fshatrasinë për ta detyruar të pranonte kolektivizimin dhe politikën antikombëtare të Partisë së Punës.
Kështu që kjo politikë do të humbiste edhe nje poet të lindur si Dero Murati, e po të ishte vetëm Derua nuk do ta përmëndnim fare, por ishin me mijëra talente, në shumë fusha të dijes, që u shtypën nga diktatura komuniste.
Kështu që pasioni i poetit Dero Murati shpërtheu në liri dhe brenda 10 vjetëve 2004 – 2014 ai do të botonte 5 vëllime me poezi dhe një vëllim me kujtime historike, pra nga një vepër të botuar në çdo dy vjet, fakt domethënës që flet për talentin dhe vullnetin e tij:
“Në rrjedhje të brengës” 2004, “Lotë në shi” 2005, “Plagët e hënës” 2007, “Pena e thinjur” 2010, “Yjet pyes” 2012, “Në burgun e memories” 2014.
Poezia e Dero Muratit është poezia e traditës së Ali Asllanit e Lasgush Poradecit, por edhe afër poezisë popullore, çka bëhët e lehtë për t’u kuptuar dhe e dashur për të gjithë.
Ju flas për jetën që jetova,
Për atë që punova, s’u pagova,
Kurrë s’e gjeta atë që kërkova,
S’e pashë atë që doja ta shikoja.
Që kur linda pse u gjobova,
Nga hijet mavie u përgjova.
Vargu i poezisë me tingëllimën e tij prek zemrën dhe mëndjen, apo është poezi e dshurisë ndaj vendlindjes dhe atdheut megjithëse e kishte bërë të vuante gjatë gjithë jetës, poezi e halleve dhe derteve të popullit të tij.
Pavarësisht vuajtjeve, poeti na shfaqet me dashuri të pa kufishme për vendlindjen, për Velçën e tij, çka flet për fisnkërinë e shpirtit të tij, për ndjenja të larta atdhetare dhe njerëzore kur shkruan: “Dëshira dhe vullneti im prej kohësh për të shkruar për fshatin tim, ka qenë udhëtari im i palodhur, ndonse e gjeti kohën me vonesë. Por e kam kërkuar gjithë jetën time, rrahjen e zemrës së këtij fshati… Dhe kështu Velça ime …ka mbetur nëna ime”.
Poeti nuk kish se si të mos na fliste edhe për jetën e tij. Ju flas per jetën që jetova thotë Dero Murati e ndërsa një poet tjetër Bradhyl Londo, që u nda këto ditë nga jeta, do të thoshte “për jetën që na dhanë!”. Në mënyrë figurative poeti do t’i drejtohet edhe diktatorit, atij diktatori që Bilal Xhaferi e quan buzëqeshja e korkodilit:
Rrugëve ashtu pa shpirt,
Mbolle halle, vetëm halle,
Bir i nënës që të polli,
Hapi gjithë ato varre.
Dero Murati na paraqitet si një intelektual me vizion dhe me tejqyrën e mendimit të tij nëpërmjet poezisë fton në sofrën e velçote edhe poetët e mëdhej të njerëzimit:
Rëndë, rëndë, të vi Hygoi,
Dhe Shekspiri me gjithë dramë,
Çehovi dhe Tolëstoi,
Sadiu me Omar Khajam.
Zot i madhë, le të vijë Homeri,
Kadareja të zërë radhë,
Në këmbë, unë do tu qëndroj,
Me verë nga e rrushit të bardhë.
Si përfundim do të thoshim se Dero Murati me poezinë e tij trasmeton ide humane, larg urrejtjes. Ai iu largua vargjeve të rëndomta dhe kërkoi një poezi tjetër, poezinë që flet për njeriun, për hallet dhe dertet e tij, siç shprehet ai vetë. Poezia e Dero Muratit, është poesi e vërtetë dhe prandaj do ta mbrojë atë dhe kujtimin e tij .
Dero Murati nuk ishte vetëm poet. Ai kishte lindur qëndrestar dhe si luftëtar ai doli në vijën e parë të luftës për të përmbysur diktaturën komuniste, dhe mbeti aktiv deri në fund të jetës së tij aktiv.
Në vitin 2009, në radhën e 11 burrave të nderuar të Vlorës që evidentuan krimet dhe terrorin e regjimit komunist, në rrethin e Vlorë, do të bënte pjesë edhe Dero Murati i cili evidentoi me materiale dhe fotografi persekutimin komunist mbi fshatin Velçë. Aktiviteti këtyre patriotëve do të kurorëzohej në vitin 2010 me albumin “Të quajtur armiq të popullit”, përgatitur nga Fari Shaska dhe “Gjëmat e komunizmit në trevën e Vlorës” nga Aranit Hoxha. Dy vepra të rëndësishme që hedhin dritë mbi hisotinë e Vlorës dhe më gjerë nën diktaturën komuniste dhe në këto arritje është edhe firma e Dero Murataj.
Pas vitit ’90, në Velçën e tij të dashur, Dero Murati do të bëhej shmbulli i punëtorit të pa lodhur ku do të lulëzonte me shpejtësi vreshtaria. Kështu me punë e djersë, por edhe me mënçuri Derua do të bëhej shembulli se fshati e vendlindja nuk duhet të braktiseshin, se atje me punë mund të jetohej dhe do të jetohej.
I ndërgjegjshëm për gjurmët që ai la pas, shkruan: “Me pasionin e njeriut që kërkon të lërë pas kujtimet e veta, që përshkohen nga pasiguria rrugëhumbëse e diktuar prej vetë kohës që jetova, që do ta kishte zili dhe vetë ferri i Dantes”. Por me shpirtin e gjerë e human, Dero Muratit na thotë: “Jam munduar që të mos lëndoj njeri”.
Kështu ai veç poezisë në moshën 70 vjeçare me dorën e lodhur merr penën për të hedhur ato çfarë kujtesa e tij ruante. “Jetën e çdo njeriu, thotë ai, e shoqërojnë dy ndjenja të pa fundme që shfaqen natën si ëndërr dhe ditën si shpresë… Dhe unë kërkova e kërkova në vrapin e jetës se ndoshta i kapja ëndërrat. Dhe kështu plotë 70 vite duke vrapuar deri sa ajo erdhi përgjysëm, ndërsa pjesa tjetës mbeti veçse ëndërr”.
Poeti Petrit Derraj, qan poetin Dero Murataj.
Kjo pranvera kȇtȇ herȇ
S’çeli lule ,derdhi vrer
Mbiu zia nȇ çdo derȇ
Pȇr humbjen e Deros me vlerȇ
Iku Derua nga kjo botȇ
Por krojet s`duruan dot
E shndȇrruan ujin nȇ lot
Pȇr poetin e velçotȇ
Iku pa ardhur behari
Humbi jeshillȇkun bari
Dafina degȇt i vari
Dhe ju bȇ kurorȇ te varri
Bjeri varrit e dil pak
Tȇ tȇ mbijë shpirti zambak
Pastaj tȇ ngjitet nȇ qiell
Tȇ dritërojë porsi Diell
Dero-kripë e poezisë
Zot i verës e i rakisë
Nderlezet i miqȇsisë
Gurthemel i Labȇrisë
Dero,t’i deshe dy varre
Njȇ pȇr vete,njȇ pȇr halle