Ballina Aktualitet FMN paralajmëron “rreziqe ekonomike” nga konflikti në Ukrainë

FMN paralajmëron “rreziqe ekonomike” nga konflikti në Ukrainë

 

Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, paralajmëroi të enjten se konflikti në Ukrainë do të ketë pasoja për rimëkëmbjen ekonomike globale.

Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, Georgieva tha se ishte “thellësisht e shqetësuar” për ndikimin që këto veprime ushtarake mund të kenë ndaj popullit të Ukrainës dhe se vazhdimi i luftimeve “shton rreziqet ekonomike për rajonin dhe botën”.

FMN-ja tha se po vazhdon të vlerësojë ndikimin ekonomik, por do të jetë “e gatshme të ndihmojë shtetet anëtare nëse është e nevojshme”.

FMN-ja është në proces të dërgesave prej 2.2 miliardë dollarësh që i janë ndarë si ndihmë ndihmë Ukrainës. Georgieva tha se FMN-ja mund të ofrojë ndihmë edhe për shtetet e tjera që do të ndikohen nga konflikti në Ukrainë.

Në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit, Rusia njoftoi se ka nisur “një operacion ushtarak” për siç tha, “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shtete në mbarë botën e kanë dënuar veprimin ushtarak rus ndaj Ukrainës dhe janë zotuar se do të vendosin sanksione të ashpra ndaj Moskës.