Ballina Aktualitet Rusia sulmon Ukrainën

Rusia sulmon Ukrainën

 

Rusia filloi një sulm në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës të enjten, herët në mëngjes, duke bombarduar qytete dhe baza ushtarake nga ajri dhe toka, ndërsa banorët ukrainas u dyndën nëpër trena për t’u larguar.

Qeveria e Ukrainës thotë se tanket dhe trupat ruse kaluan kufirin duke filluar një sulm frontal, që mund të ndryshojë rendin gjeo-politike, me pasojat që kanë filluar të ndihen tashmë në mbarë botën.

Duke filluar një nga veprimet më agresive ushtarake, që nga pushtimi sovjetik i Afganistanit, Presidenti Putin injoroi dënimin nga mbarë bota, si dhe sanksionet në rritje që pritet të vendosen ndaj Rusisë. Ai kërcënoi vendet e tjera “me pasoja që nuk i kanë parë ndonjëherë”, siç u shpreh ai, në rast se ato ndërhyjnë; dhe me gjakftohtësi iu referua arsenalit bërthamor të vendit të tij.

Sulmi i forcave ruse ka filluar nga tre drejtime, lindja, veriu dhe jugu.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pranon për herë të parë hyrjen e trupave tokësore në Ukrainë

Moska konfirmoi se forcat tokësore hynë në Ukrainë nga Krimea. Më parë Moska kishte pranuar vetëm që kishte filluar një sulm ajror dhe me raketa ndaj bazave ajriore të Ukrainës dhe objekteve të tjera ushtarake. Ministria e mbrotjes thotë se ka shkatërruar 83 objekte ushtarake ukrainase.

Ndërkohë një këshilltar i presidentit të Ukrainës tha se kompleksi bërthamor i Çernobilit, rreth 130 kilometra në veri të Kievit, ra në duart e forcave ruse. Një nga reaktorët bërthamorë të Çernobilit shpërtheu në vitin 1986, në një nga aksidentet më të rënda bërthamore në botë.

Rusia goditi me raketa shumë qytete të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin, Kiev, duke vënë në shënjestër objektet e mbrojtjes ajrore dhe infrastrukturën ushtarake.

Sulmi filloi menjëherë pas një fjalimi në televizion të presidentit rus Vladimir Putin, rreth orës 4 të mëngjesit, gjatë të cilit ai u shfaq i zemëruar, duke theksuar se nuk mund të toleronte më ato, që ai i quajti kërcënime nga Ukraina. Ai e përfundoi fjalimin e tij duke paralajmëruar fuqitë e jashtme që të mos ndërhyjnë, ndryshe do të shkaktonte “pasoja që ata nuk i kanë parë kurrë”.

Presidenti Putin tha se qëllimi i tij ishte “çmilitarizimi dhe denazifikimi i Ukrainës”.

Ai paralajmëroi se nëse ushtarët ukrainas nuk i dorëzojnë armët, do të jenë përgjegjës për gjakderdhjen.

Menjëherë pasi fjalimit të tij, u dëgjuan shpërthime intensive raketash në qytetin lindor, Kharkiv dhe më pas u dëgjuan shpërthime sporadike në periferi të Kievit, nga drejtimi i aeroportit kryesor ndërkombëtar Boryspil dhe aeroportit të tij të dytë, në Zhuliany.

“Putini sapo ka nisur një pushtim të plotë të Ukrainës. Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm”, tha ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në rrjetet sociale. “Kjo është një luftë agresioni. Ukraina do ta mbrojë veten dhe do të fitojë. Bota mund dhe duhet ta ndalojë Putinin. Tani është koha për të vepruar”, shkroi ministri Kuleba.

Brenda disa orësh pas sulmeve me raketa, tanket ruse kaluan kufijtë e Ukrainës, nga Rusia, Bjellorusia dhe nga Krimea, gadishulli ukrainas i aneksuar nga Moska në vitin 2014. Zyrtarët ukrainas thanë se forcat amfibe ruse zbarkuan pranë Odesës në bregun e Detit të Zi.

Biden: Rusia përgjegjëse për vdekjet dhe shkatërrimin që do të sjellë sulmi

Presidenti amerikan Joe Biden reagoi menjëherë duke thënë se “vetëm Rusia është përgjegjëse për vdekjen dhe shkatërrimin që do të sjellë ky sulm. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të përgjigjen në një mënyrë të bashkuar dhe vendimtare. Bota do të kërkojë llogari nga Rusia”, shtoi presidenti Biden.

Presidenti Putin akuzoi SHBA-në dhe aleatët perëndimorë se kanë injoruar kërkesën e Rusisë për të parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe për t’i ofruar Moskës “garanci sigurie”.

Zyrtarët amerikanë janë zotuar vazhdimisht të vendosin sanksione dërrmuese ndaj ekonomisë ruse dhe aleatëve të presidentit Putin, në rast të një pushtimi të mëtejshëm të Ukrainës.

Të mërkurën, Kremlini tha se rebelët në Ukrainën lindore i kërkuan Rusisë ndihmë ushtarake “për të shmangur agresionin ukrainas”.

Presidenti ukrainas reagoi më pas dhe hodhi poshtë pretendimet e Moskës se vendi i tij përbën një kërcënim për Rusinë dhe tha se një ndërhyrje ushtarake nga Rusia do të kushtonte dhjetëra mijëra jetë.

“Populli i Ukrainës dhe qeveria e Ukrainës duan paqe”, tha presidenti Volodymyr Zelensky në një fjalim emocional gjatë natës të së mërkurës.

Presidenti Biden shkroi se gjatë bisedës me presidentin Zelenskyy e dënoi sulmin e paprovokuar dhe të pajustifikuar nga forcat ushtarake ruse.

Ukraina shpalli ligjin ushtarak – ndërpreu marrëdhëniet me Moskën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, shpalli ligjin ushtarak, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bëjnë panik, pasi Rusia nisi sulmet ndaj vendit te tij. Ai tha të enjten se Rusia ka vënë në shënjestër infrastrukturën ushtarake të Ukrainës dhe se shpërthime janë dëgjuar në gjithë vendin.

Më vonë ai shpalli ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Moskën, ndërsa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që janë të gatshëm të mbrojnë vendin e tyre të paraqiten për t’u armatosur.

Presidenti Zelenskyy tha se ka biseduar në telefon me presidentin amerikan, Joe Biden dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë për të siguruar mbështetje ndërkombëtare për Ukrainën.

Stoltenberg: Kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se “e dënon fuqishëm sulmin e pamatur dhe të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës, i cili vë në rrezik jetë të panumërta civilësh. Edhe një herë, pavarësisht paralajmërimeve tona të përsëritura dhe përpjekjeve të palodhura për t’u angazhuar në diplomaci, Rusia zgjodhi rrugën e agresionit kundër një vendi sovran dhe të pavarur”.

Sekretari Stoltenberg tha se sulmi është një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar dhe një kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike, ndërsa i bëri thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë veprimet e saj ushtarake dhe të respektojë sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Ukrainës. Aleatët e NATO-s do të takohen për të trajtuar pasojat e veprimeve agresive të Rusisë, tha ai duke nënvizuar se aleatët qëndrojnë me popullin e Ukrainës në këtë kohë të tmerrshme. NATO-ja do të bëjë gjithçka që duhet për të mbrojtur të gjithë aleatët, tha sekretari Stoltenberg.

Scholz: Ditë e zezë për Evropën

Kancelari gjerman, Olaf Ssholz, tha se sulmi rus në Ukrainë është një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar. “Nuk ka asnjë justifikim për të. Gjermania e dënon këtë akt të pamatur të presidentit Putin me fjalët më të ashpra të mundshme. Solidarizohemi me Ukrainën dhe popullin e saj. Rusia duhet të ndalojë menjëherë këtë veprim ushtarak. Në kuadër të G7, NATO-s dhe BE-së, ne do të bashëkrendohemi nga afër sot. Kjo është një ditë e tmerrshme për Ukrainën dhe një ditë e zezë për Evropën”, shkroi kancelari gjerman.

Macron: Rusia t’u jap fund operacioneve ushtarake

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se “dënon me forcë vendimin e Rusisë për të filluar luftën në Ukrainë. Rusia duhet të përfundojë menjëherë operacionet e saj ushtarake. Franca solidarizohet me Ukrainën. Ajo qëndron me ukrainasit dhe punon me partnerët dhe aleatët e saj për t’i dhënë fund luftës”, shkroi ai.

Johnson: I tmerruar

Kryeministri britanik, Boris Johnson, u shpreh i tmerruar “nga ngjarjet e tmerrshme në Ukrainë dhe kam folur me Presidentin Zelenskyy për të diskutuar hapat e ardhshëm. Presidenti Putin zgjodhi rrugën e gjakderdhjes dhe shkatërrimit duke nisur këtë sulm të paprovokuar ndaj Ukrainës. Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët tanë do të përgjigjen me vendosmëri”, shkroi ai.

BE: Do ta mbajmë Kremlinin përgjegjës

Zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, dënuan “sulmin e pajustifikueshëm të Rusisë në Ukrainë. Në këto orë të errëta, mendimet tona janë me Ukrainën dhe gratë, burrat dhe fëmijët e pafajshëm, ndërsa përballen me këtë sulm të paprovokuar dhe frikë për jetën e tyre. Ne do të mbajmë përgjegjës Kremlinin”, thuhet në një komunikim të përbashkët të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe shefit të politikës së Jashtme, Josep Borrell.