Ky lloj testi, përbëhet nga tre pyetje: A jeni për hyrjen e Serbisë në NATO? A e njihni pavarësinë e Kosovës? Dhe a ka pasur gjenocid në Srebrenicë? Çdo mundësi mediatike, duele të rralla televizive mes qeverisë dhe opozitës, rrjetet sociale, tabloidet e regjimit, foltoret parlamentare, shfrytëzohen që disa prej këtyre pyetjeve t’iu drejtohen liderëve të opozitës.
Në shikim të parë këto duken si pyetje legjitime në luftën politike. Por duke pasur parasysh faktin se çdo përgjigje e opozitës konsiderohet “e gabuar” nga mediat proqeveritare dhe partia në pushtet, atëherë është e qartë që këto pyetje shikohen si një mundësi për manipulimin e zgjedhësve, me të cilat “dëshmohet” mungesa e patriotizmit të opozitës apo mungesa e largpamësisë.
Provokimet klasike të regjimit
Këto tri çështje janë ndër provokimet klasike të këtij regjimi, vlerëson për Deutsche Wellen, kryeredaktori i së përjavshmes “Vreme”, Filip Shvarm. “Ato në fakt shërbejnë për të paraqitur kandidatët e opozitës si tradhtarë, të cilët i marrin detyrat nga ambasadat e huaja”.
“Nëse fillojmë, për shembull, me çështjen e anëtarësimit në NATO”, shpjegon Shvarm, “kjo çështje tani po merr peshë, sepse kandidati i opozitës, gjenerali Zdravko Ponosh është një kandidat serioz në zgjedhjet presidenciale”. Prej kohësh ai akuzohet si “gjeneral i NATO-s”, e NATO “na i ka vrarë fëmijët” dhe ai skualifikohet si kundërshtari politik i votuesve.