Ballina ED/OP Demokracia e kthyer në anarki!

Demokracia e kthyer në anarki!

 

Nga Florim ZEQA

Përvoja e tri dekadave të pluralizmit politik na ka mësuar se dryshimin politik në një vend nuk e sjellin partitë e skenës politike parlamentare dhe as elitat politike, përkatësisht kryetarët e partive politike, por e sjellë populli, e sjellin forcat progresive intelektuale dhe atdhetare të shoqërisë sonë.

Politikanët, gënjeshtarët kronik dhe patologjik

Gënjeshtarët janë të llojeve dhe niveleve të ndryshme, por më të sofistikuarit dhe më të paskrupullt janë gënjeshtarët e fushës së politikës, të cilët në kohë të fushatave zgjedhore i përdorin të gjitha mjetet propagandistike për mashtrimin dhe grabitjen e votës së qytetarëve.

Pra, gënjeshtarët më të shpeshtë kronik apo patologjik i kemi në fushën e politikës, dhe atë në të gjithë krahët e politikës, të cilët, të njëjtat gënjeshtra i përseritin nga njëra palë zgjedhje në tjetrën dhe pa u skuqur fare para qytetarëve të vendit.

Pra, politikanët e papërgjegjshëm gënjeshtrën e kanë kthyer në filozofi të mashtrimit të qytetarëve, ndërsa pushtetin mjet të pasurimit të tyre.

 

Politikanët paranojak ua kanë frikën qytetarëve dhe mediave të lira

Sikurse të mos kishte ndodhur ndryshimi i pushtetarëve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, qytetarët e vendit ende do të besonin në premtimet e ish opozitarëve (pushtetarëve aktualë). Sikurse pushtetarët paraprak, edhe pasuesit e tyre u ngritën në majat e pushtetit përmes të njëjtës rrugë të gënjeshtrave dhe mashtrimeve, përmes premtimeve të megalomane për përmirësimin e jetës së qytetarëve, por në fakt ndodhi e kundërta, në vend të ngritjes së mirëqenjes po ndodhë varfërimi i qytetarëve dhe pasurimi i elitave politike në pushtet.

Politikanët paranojak derisa janë në opozitë e “duan” dhe i përulën popullit, kurse pas ardhjes në pushtet frikohen prej tij! Si pasojë e frikës nga qytetarët, pushtetarët e rinjë kanë filluar t’i trajtojnë qytetarët në mënyrë selektive, në qytetarë të rendit të parë dhe qytetarë të rendit, ku këta të fundit i trajtojnë si skllevër, kurse mediat dhe oponentët politik si armiq të brendshëm të shtetit të Kosovës!

Pushtetarët dhe politikanët në përgjithësi, të cilët pasurinë e konsiderojnë vlerë dhe varfërinë e përdorin për nënshtrimin e qytetarëve janë soji më i keq i racës njerëzore.

Alternativë e Re e për shkëputjen nga klasa aktuale politike

Ashtu siq kishte ndodhur në fund të shekullit të kaluar, përkatësisht në fundin e dhjetorit të vitit 1989, kur elitat intelektuale të kohës e themeluan subjektin e parë politik në hapësirat ballkanike, LDK-në, e cila e bëri kthesën e madhe historike të shkëputjes nga sistemi monist

dhe ndarjen nga i ish pushteti serbosllav, edhe pas 32-33 vjetësh nga ajo kohë dhe 23 vjet pas çlirimit të vendit ka ardhur koha për një Alternativë të Re politike e cila e bën shkëputjen nga kjo klasë politike e tejkonsumuar dhe dalur afati për rrethanat e kohës në të cilën po jetojmë.

Kontaminimi i skenës politike përgjatë viteve të fundit me ekstremizma të llojeve të ndryshme e kërkon një rifresh të përgjithshëm të të gjitha subjekteve politike. Meqë kjo nuk po ndodhë, Kosovës më shumë se asnjëherë më parë i duhet oksigjen i pastër, i duhet klasë e re politike e padjallëzuar e cila e donë më shpirtë dhe zemër shtetin dhe qytetarët, ku këta të fundit i trajton në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim në qytetarë të rendit të parë dhe të dytë.

Shtetit të Kosovës i duhen udhëheqës të cilët nuk i familjarizojnë institucionet e shtetit, i duhen udhëheqës që dalin pa frikë në rrugë, në shesh dhe kudo në vende publike pa pasur nevojë për një armatë trupërojesh dhe forca tjera të sigurisë.

Defamiljarizimi i institucioneve shtetërore dhe publike nga krerët e lartë shtetëror duhet të jetë hapi i parë në luftën kundër ç’kapjes së shtetit, kundër nepotizmit (punësimeve familjare), ndryshe vetëm gënjejnë (mashtrojnë) popullin me kinse luftën kundër nepotizmit, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Demokracia pa meritokraci, pa barazi ligjore dhe sociale është kthyer në anarki!