Ballina Aktualitet Përjashtimi shoqëror dhe kthimi në vetvete!

Përjashtimi shoqëror dhe kthimi në vetvete!

 

 

 

Shkruan: Prof. Dr. Arbër Çeliku

Shoqëritë nga shoqëritë dallojnë dukshëm dhe për këtë arsye ka shumë faktorë: filozofia kolektive,  mënyra e jetesës, implikaturat kulturore, sistemi politik, respektimi i vlerës universale, niveli i arsimimit, mentaliteti, etj.
Shoqëria jonë, që karakterizohet me një konglomerat dukurish që kapin sterotipa, thellë të inkorporuara në ekzistencën tonë, ka krijuar mostra kolektive, të cilat nuk i ndryshon dot as teknologjia, as arsyeja kritike dhe as prirja e vazhdueshme e shpirtit progresiv. Për më tepër, nëse këto komponentë shoqërorë fillojnë e marrin formë në membranën shoqërore, vjen përjashtimi i menjëhershëm dhe i pakompromis. Kjo e kap çdo sferë të veprimtarisë tonë institucionale.
Si psh., nëse një gjykatës a prokuror, nuk vepron në përputhje me mostrën e përcaktuar nga sistemi (sado imagjinare që të na duket në shikim të parë), që konsiston në mospërndjekjen penale të një keqbërësi ordiner, por që ka lidhje të fuqishme me sistemin (qoftë politik, shtetëror apo klanor), ai izolohet pa një pa dy dhe më pastaj përjashtohet plotësisht dhe i ngjitet tipari i personit të parëndësishëm. Kjo ndodh edhe me mësuesit dhe profesorët e secilit nivel të shkollimit, nëse ata/ato e ngrenë zërin, ose nuk i binden eprorit të instaluar nga sistemi (qoftë për sjelljen e vendimeve absurde që dëmtojnë procesin asimor, qoftë për faljen e notave, etj.), izolohen dhe përjashtohen, derisa t’u mvishet tipari i “të parëndësishmit”. E njëjta ndodh edhe me policët, nëse ata/ato, në përputhje me ligjin dhe etikën e punës së tyre, marrin masa dhe ndëshkojnë persona që janë të lidhur me partinë, shtetin a klanin, izolohen, përjashtohen dhe etiketohen si “të parëndësishëm”. E njëjta ndodh me mjekët, administratorët, punonjësit e kulturës, sportit, pra me të gjithë që paguhen nga buxheti i shtetit, i cili mbushet nga kontributi qytetar.

Megjithatë, të qenët i izoluar, i përjashtuar dhe “i parëndësishëm”, ka një të mirë, që njeriun e kthen te vetja. Ende ka njerëz që këto atribute nuk i vënë përpara dinjitetit personal, familjar dhe shoqëror. Për ta shumë më shumë ka rëndësi ruajta e fytyrës se sa të qenët “i parëndësishëm” në sytë e partisë dhe klaneve të niveleve të ndryshme: shtetërore, arsimore, kulturore, shoqërore.