Ballina Aktualitet Norvegjia heq kufizimet e fundit lidhur me COVID-19

Norvegjia heq kufizimet e fundit lidhur me COVID-19

 

Norvegjia sot (12 shkurt) hoqi kufizimet e saj përfundimtare për COVID-19, duke hequr obligimin për distancimin shoqëror dhe maskat në hapësirat e mbushura me njerëz.

“Metri po zhduket. Ne po heqim rekomandimin për distancimin shoqëror,” u tha gazetarëve Kryeministri, Jonas Gahr Store në një konferencë për shtyp.

“Tani ne mund të shoqërohemi si më parë, në jetën e natës, në ngjarje kulturore dhe raste të tjera sociale. Dhe gjatë rrugës për në dhe nga puna me autobusë, trena dhe tragete,” tha ai.

Norvegjia hoqi shumicën e kufizimeve të tjera në fillim të këtij muaji, duke përfshirë punën në distancë, numrat e personave që lejohen në grumbullime dhe shitjet e kufizuara të alkoolit në bare dhe restorante.

Kërkesa për t’u izoluar për katër ditë pas një testi pozitiv për COVID-19 ndërkohë u ul të shtunën në një rekomandim dhe fëmijëve me simptoma të problemeve me frymëmarrje nuk u kërkohet më të testohen për koronavirus.

Gahr Store theksoi megjithatë se “pandemia nuk ka mbaruar” dhe këshilloi personat e pavaksinuar dhe ata në grupet e rrezikut që të vazhdojnë të praktikojnë distancimin shoqëror dhe të mbajnë maska ku distancimi nuk është i mundur.

Instituti Norvegjez i Shëndetit Publik (FHI) tha se vendi nuk ka parë ende kulmin e rritjes së variantit Omicron, por pritej së shpejti.

Drejtoresha e agjencisë, Camilla Stoltenberg u tha gazetarëve se numri i shtrimeve në spital ishte rritur me 40 për qind javën e kaluar.

Që nga e premtja, 986,851 raste dhe 1,440 vdekje të lidhura me virusin ishin regjistruar në Norvegji, ku më shumë se 91 për qind e popullsisë ka marrë të paktën dy doza të vaksinës.

FHI vlerëson se tre deri në katër milionë njerëz nga një popullsi prej 5.4 milionë banorësh mund të infektohen deri në këtë verë.