Ballina Histori Ukrainë, shtetet e Evropës në modalitet tërësor diplomacie krize

Ukrainë, shtetet e Evropës në modalitet tërësor diplomacie krize

 

Bruksel, Moskë, Berlin apo Varshavë: Politikanët kryesorë të Evropës aktualisht po përpiqen me energji të zbusin konfliktin për Ukrainën – me një përzierje kulaçi dhe kërbaçi.

“Një luftë në Ukrainë do të ishte katastrofike, e pakuptimtë dhe gjithashtu tragjike dhe do t’i kushtojë shumë shpejt ekonomikisht shtrenjtë Rusisë”, tha kryeministri britanik Boris Johnson në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel. Këtë duhet ta kuptojë edhe Kremlini, tha Johnson duke folur për “krizën më të madhe të sigurisë për Evropën në dekada”. Por sipas tij ka ende një mundësi për të ulur tensionin dhe për t’u kthyer në dialog.

Johnson mbron kancelarin Olaf Scholz

Johnson mori gjithashtu në mbrojtje kancelarin Olaf Scholz, i cili është kritikuar për pozicionin e tij lidhur me gazsjellësin gjermano-rus Nord Stream 2. Kryeministri e uroi Scholz-in për “qëndrimin më të ashpër ndaj Nord Stream 2”. Johnson shtoi: “Kjo është e vështirë për Gjermaninë dhe ekonominë gjermane”.

Moment i rrezikshëm për sigurinë evropiane

Stoltenberg foli për një “moment të rrezikshëm” për sigurinë evropiane. “Numri i forcave të armatosura ruse po rritet. Koha e paralajmërimit për një sulm të mundshëm po zvogëlohet.” NATO nuk është kërcënim për Rusinë. “Por ne duhet të jemi të përgatitur për më të keqen, ndërsa në të njëjtën kohë të bëjmë çmos për të gjetur një zgjidhje politike”, tha Stoltenberg.

Boris Johnson dhe Jens Stoltenberg

Ai i bëri përsëri thirrje Rusisë që të përdorë Këshillin NATO-Rusi si forum bisedimesh. Sipas tij ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të diskutojnë në Bruksel për forcimin e të ashtuquajturavegrupe luftarake në vendet anëtare juglindore.

Vizitë në Varshavë

Pas Brukselit Johnson qëndroi në Varshavë, ku u takua me kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki. Ai paralajmëroi kundër përpjekjeve të Rusisë për të përçarë partnerët e NATO-s. “Qëllimi politik i Putinit është të copëtojë NATO-n, kështu që është e domosdoshme të tregojmë se sa të bashkuar jemi”, tha Morawiecki pas takimit me kryeministrin britanik.

Mateusz Morawiecki

Johnson tha se as Polonia dhe as Britania nuk mund të pranojnë një botë ku një fqinj i fuqishëm frikëson ose sulmon të tjerët.

SHBA përforcon trupat në Rumani

Në Rumani kanë arritur ndërkohë njësitë e para të ushtrisë amerikane që kanë sjellë teknologji ushtarake. Rumania është vend fqinj me Ukrainën dhe ky përforcim trupash dhe teknologjie lidhet me tensionet rreth krizës në Ukrainë.

Në Rumani ka 900 ushtarë amerikanë të përhershëm dhe këtyre do t’u shtohen edhe 1,000 të tjerë. Edhe Franca ka premtuar se do të dërgojë ushtarë në Rumani. /DW/ rtr, afp, dw dpa/