Ballina Diaspora Amy Gutmann, ambasadorja e SHBA-së në Berlin

Amy Gutmann, ambasadorja e SHBA-së në Berlin

 

 

Pas muaj të tërë ngërçi, Senati vendosi që Amy Gutmann të jetë ambasadore e re SHBA-së në Berlin. Vendimi është i rëndësishëm për raportet mes këtyre dy vendeve.

Posti i ambasadorit të SHBA-së në Gjermani ka mbetur vakant që nga largimi i Richard Grenellit, të cilin e kishte emëruar ish-presidenti Donald Trump, në qershor të vitit 2020. Senati në Uashington dha më në fund dritën jeshile për emërimin e Amy Gutmann nga presidenti Joe Biden me 54 vota pro dhe 42 kundër. Presidenti e ka nominuar në korrik të vitit të kaluar këtë shkencëtare të njohur të politikës, e cila ka drejtuar edhe Universitetin elitar të Pensilvanisë (UPenn) në metropolin e bregut lindor të Filadelfias që nga viti 2004. Por në vend të ardhjes së shpejtë të 72-vjeçares në Berlin, pasoi një ngërç i gjatë në Uashington, për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme politike.

Republikanët në opozitë në Senat bllokuan konfirmimin e Gutmann për muaj të tërë. Kjo për shkak të mosmarrëveshjeve për gazsjellësin e Detit Baltik, Nord Stream 2, përmes të cilit duhet të kalojë gazi rus drejt Gjermanisë. Presidenti Biden është një kundërshtar i kësaj linje gazsjellëse, që sërish është vendosur në qendër të vëmendjes për shkak të krizës aktuale në raportet mes Rusisë dhe Ukrainës. Por presidenti i ri nuk do të rëndojë edhe më shumë me sanksione raportet e ngarkuara në kohën e presidentit Trump.

Gutmann do të jetë gruaja e parë ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani. Akreditimi i saj zyrtar do të bëhet nga presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier.

Rrënjët gjermano-hebreje

Dërgimi i Gutmann në Gjermani është, si të thuash, një kthim tek rrënjët e saj. Babai i saj ishte hebre, me origjinë nga Feuchtwangen në Bavari, i cili ka ikur nga Gjermania naziste me familjen e tij në Indi në vitin 1934. Më vonë ai u transferua në SHBA, ku Gutmann lindi në nëntor 1949 në Nju Jork.

Ajo studioi në Harvard dhe në London School of Economics – dhe ndoqi një karrierë akademike. Gutmmann dha mësim në Universitetin elitar të Princeton për tri dekada përpara se të bëhej presidente e UPenn në 2004, i cili, ashtu si Harvard dhe Princeton, i përket së ashtuquajturës Liga Ivy e universiteteve prestigjioze në veri-lindje të SHBA.

Profesorja ka publikuar libra nga teoria demokratike, politika e identitetit, etika politike, arsimi dhe shëndetësia. Në vitin 2009, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama e emëroi atë në krye të një komiteti të bioetikës. Revista Fortune e quajti atë një nga “50 liderët më të mëdhenj në botë” në 2018.

(bc/wa/rb (afp, dpa, rtr)