Departamenti i Shtetit ka konfirmuar se SHBA dhe Shqipëria do të jenë bashkëpenëmbajtëse të çështjes së Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Me këtë rol në tryezën drejtuese të OKB, Shqipëria merr një përgjegjësi të madhe, me dinjitet të lartë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ngjit një shkallë të re në partneritetin gjithnjë e më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit që jeni këtu bashkë me mua dhe ministren e jashtme. Ne menduam të zhvillojmë një komunikim të tillë, të drejtëpërdrejtë lidhur me një zhvillim që në këndvështrimin tonë është tejet pozitiv për pozicionin, për reputacionin, për dinjitetin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Duke qenë se tema sot është më e gjerë se kaq dhe është një temë që diskutohet kudo përfshirë edhe në Shqipëri, ne jemi të gatshëm t’u përgjigjemi dhe pyetjeve, por le të fillojmë me këtë zhvillim pozitiv.
Kemi marrë konfirmimin përfundimtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit se SHBA dhe Shqipëria do të jenë bashkëpenëmbajtëse, ky është termi, në Këshillin e Sigurimit në Kombeve e Bashkuara lidhur me çështjen e Ukrainës.
Është padiskutim një përgjegjësi e re dhe shumë e madhe, por dhe një konfirmim i padiskutueshëm i një Shqipërie krejt tjetër në arenën ndërkombëtare, i një Shqipërie që vlerësohet për karakterin, qëndrueshmërinë, që vlerësohet edhe për aftësinë në luajtjen e rolit që i takon, si një vend që promovon paqen, sigurinë, si një vend që nga njëra anë është anëtar i NATO-s, nga ana tjetër është një vend me një pozicion gjithnjë e më të spikatur e të vlerësuar në rajonin tonë.
Padiskutim, anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2022-2023 si anëtar jo i përhershëm dhe dimensioni që ky fakt i jep marrëdhënieve tona me SHBA pasurohet me këtë fakt të ri.
Për të qenë pak më konkretë, krijimi i këtij çifti SHBA dhe Shqipëri në Këshillin e Sigurimit për të qenë bashkëpenëmbajtës të çështjes së Ukrainës është ndërmarrë për të garantuar një angazhim aktiv dhe të vazhdueshëm me nisma konkrete që të dyja vendet tanimë partnerë të ngushtë në këtë proces do të ndërmarrin, gjë që konfirmon qartësisht një pozicion paekuivok të vendit tonë dhe nga ana tjetër duke qenë aktiv në një çështje kaq akute si kjo e Ukrainës, por edhe të gatshëm për punë konkrete në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ne faktikisht përkufizojmë edhe me qartë në sytë e të gjithëve, atë që dëshirojmë të jetë roli ynë, një forcë që kontribuon për të mirën.
Jemi shumë të emocionuar nga ky zhvillim sepse është kurorëzim i një përpjekje dhe jo fundi, por kurorëzim në vazhdën e mundimit për të bërë që Shqipëria të qëndrojë në një nivel krejt tjetër në marrëdhëniet ndërkombëtare, në raport me çka qenë në të shkuarën dhe për të bërë që Shqipëria të forcojë në çdo hap e më shumë bindjen tek vlerat që ajo mishëron dhe njëkohësisht besimin tek vetvetja për të qenë një partner real, një partner luajal, një partner shumë i qëndrueshëm në atë front vendesh ku ne kemi zgjedhur të jemi si popull, si komb, si shtet, por të mos harrojmë asnjëherë për të qenë një vend që fjalën e vet e thotë siç e mendon dhe e mendon siç e thotë dhe jo një vend që qëndron si një vrimë e fundit e kavallit apo një pikë e fundit e bishtit dhe që vetëm tund kokën në shenjë aprovimi apo bën edhe më keq se kaq, siç ka ndodhur në të shkuarën.
Për më tepër lidhur me këtë teme ne jemi së bashku me ministren.
Dëshiroj që përpara se ju të bëni pyetjet tuaja t’i jap fjalën ministres për të bërë një përshkrim komplementar me timin, përtej këtij fakti dhe përtej këtij zhvillimi të ri në fillimin punës sonë për në Këshillin e Sigurimit, për vizitën që së bashku me ministren do të bëjmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ditët në vijim në funksion të një lançimi edhe formal në aspektin, jo të formalizmit burokratik që është tanimë në proces, por në aspektin e vendosjes të lidhjeve në nivelin më të lartë politik me të gjithë partnerët tanë dhe njëkohësisht për të patur edhe komunikimet tona me partnerët tanë në Uashington, duke patur parasysh edhe këtë zhvillim të ri shumë të rëndësishëm na vendosni në një pozicion me shumë më tepër përgjegjësi e shumë më tepër angazhime dhe punë në karrigen tonë të Këshillit të Sigurimit.
-Ditët e fundit ne kemi parë një shtim të trupave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vende fqinjë me Ukrainën si në Poloni apo në Rumani. A ka marrë Shqipëria ndonjë kërkesë nga NATO për të kontribuuar edhe në aspektin ushtarak për sa i përket çështjes së Ukrainës? Dhe ky angazhim i ri që i besohet Shqipërisë, a lind nevoja që ju apo ministrja të udhëtoni drejt Ukrainës?
-Ndërsa për ministren, nga informacionet që keni, a ka shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këto momente në Ukrainë? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Së pari, dëshiroj të theksoj që qëndrimet tona lidhur me këtë çështje në vijim janë të qarta janë të njohura, janë të pandryshuara dhe nga ana tjetër, dëshiroj po ashtu të theksoj se në këndvështrimin tim, rruga për të adresuar këtë tension që rritet çdo ditë dhe këtë konflikt që është burimi i tensionit, është rruga e bisedimeve. Bisedime, bisedime, bisedime! Është rruga e gjetjes së të gjitha arsyeve të mundshme të imagjinueshme për të biseduar dhe për të kërkuar me durim pikat e përbashkëta, edhe pse ato janë në dukje tejet të vështira për tu gjetur.
Nga ana tjetër, unë besoj që çdo shqiptar që ndjek me sado pak interes ecurinë e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, sot duhet të ndihet mirë, duhet të ndihet i vlerësuar, duhet të ndihet pjesë e pikërisht atij komuniteti vlerash, jo thjeshtë në aspektin e renditjes në gjirin e atij komuniteti, por në aspektin e mundësisë që na jepet për të dhënë një kontribut ekstra dhe për faktin se na njihet aftësia që të mund të japim një kontribut ekstra.
Nuk është një çiftëzim as i rastësishëm, as formal ky që është bërë fakt tanimë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit. Është një çiftëzim strategjik, parimor dhe shumë domethënës për marrëdhëniet tona, por është dhe një vlerësim i posaçëm, se nuk jemi në fushën e qokave, as të dhënies së indulgjencave. Këtu bëhet fjalë, siç e tha ministrja, për të krijuar një partneritet, një dyshe, që do të angazhojë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për këtë temë, por jo vetëm për këtë temë dhe ne kemi planin tonë në këtë pjesë, kemi ndarë idetë tona me partnerët, do të kemi mundësi besoj dhe shpresoj, në këto dy vite, që të luajmë një rol, duke natyrisht shfrytëzuar peshën e madhe që i jep këtij çiftëzimi partneri tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për sa i përket aspekteve pastaj të tjera dhe aspektit konkret që pyeti Meti, unë nuk dua të bëj komente, unë dua të them vetëm kaq, që Shqipëria është shumë e qartë në pozicionin e vet, nuk ka pasur asnjëherë asnjë ekuivok, por në atë modestinë e peshës sonë në këtë përballje elefantësh, ne sidoqoftë ruajmë të drejtën të themi bisedime, bisedime, bisedime.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme OltaXhaçka: Qëndrimi ynë dhe angazhimi ynë në fakt ka qenë shumë koherent. Në cilësinë e vendit anëtar të NAO-s kemi qenë thellësisht të angazhuar sëbashku me vendet e tjera aleate dhe partnere për trajtimin me përparësi të situatës së tensionuar në Ukrainë dhe përreth Ukrainës, qëndrimet tona në fakt kanë qenë publike dhe janë shprehur qartë edhe në OKB, edhe në takimet e nivelit të lartë të muajit janar në NATO, që kishin në fokus pozicionimin e trupave ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës. Ne, Shqipëria, kemi nënvizuar në mënyrë të përsëritur rëndësinë strategjike të unitetit dhe të kohezionit mes vendeve të NATO-s përballë një sfide ndaj sigurisë europiane dhe kemi mbështetur fuqimisht parimet dhe vlerat mbi të cilat është ngritur NATO, por edhe angazhimet e përbashkëta të aleancës.
Lidhur me Ukrainën, qëndrimet tona kanë qenë në mbështetje të ruajtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, duke nënvizuar të drejtën sovrane të çdo kombi për të zgjedhur rrugën e tij dhe për të vendosur për të ardhmen e tij, duke theksuar në të njëjtën kohë një të vërtetë që nuk duhet harruar në asnjë moment gjatë kësaj situate, që NATO është një aleancë mbrojtëse, misioni i të cilës është të garantojë sigurinë kolektive të vendeve anëtare.
NATO nuk kërcënon as Rusinë dhe asnjë vend tjetër prandaj dua ta nënvizoj atë që tha kryeministri, që qëndrimi ynë ka qenë për uljen e tensioneve dhe angazhimin në rrugën e diplomacisë dhe qëndrimi ynë ka qenë publik, ka qenë koherent, qoftë në NATO, qoftë në OSBE ku Shqipëria i është bashkuar qëndrimit të Bashkimit Europian sa i takon sigurisë europiane dhe konceptit se ajo është e pandashme dhe se çdo sfidë ndaj saj i prek të gjitha vendet europine. Ndaj në linjë me BE, Shqipëria ka dënuar pa asnjë hezitim veprimet e vazhdueshme agresive të Rusisë, i ka bërë thirrje Rusisë, bashkë me vendet Europiane dhe vendet partnere në NATO që të veprojë në përputhje me ligjin ndërkombëtar e të përfshihet në dialog konstruktiv përmes mekanizmave ndërkombëtar. Po ashtu i jemi bashkuar dhe kryesisë polake të OSBE-së, e cila ka risjellë në vëmendje nevojën për një ripërtëritje të dialogut në OSBE për sigurinë europiane, një nisëm që do të sjellë një proces të ri fillimi diskutimesh politike dhe konsultimesh diplomatike, të cilat do të ndodhin në Vienë, në nivel përfaqësuesish të përhershëm por dhe në kryeqytetet e vendeve anëtare në baza periodike, ndërkohë që për t’ju përgjigjur më konkretisht pyejtes suaj, vendi ynë ka pasur vazhdimisht të sekonduar në misionin e posaçëm monitorues të OSBE-ë n Ukrainë disa profesionistë, përfshirë në nivele të larta drejtuese në zyrën qendrore të misionit në Kiev. Aktualisht në misionin e OSBE-s në Ukrainë punojnë 10 shqiptarë dhe misioni ynë në Vienë mban kontakte të vazhdueshme me ta dhe ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta.
– Pse ka heshtur qeveria shqiptare lidhur me letrën e ambasadës ruse në Tiranë dhe sot a mund të kemi një qëndrim të palës shqiptare për këtë letër? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Më tregoni një qeveri tjetër që është marrë me atë letër, sepse ajo letër nuk i drejtohet Shqipërisë, ajo letër i drejtohet të gjithë vendeve anëtare të NATO-s dhe të OSBE-së dhe asnjë qeveri nuk është marrë me atë letër publikisht. Çdo qeveri e ka marrë atë letër, e ka lexuar, por e lexon, ndërkohë që qëndrimet tona janë publike, janë të qarta, janë të drejta besoj unë.
Ne nuk kemi asnjë problem në marrëdhëniet tona bilaterale me Rusinë. Rusia nuk është një vend armik i Shqipërisë, por ne kemi një ndarje shumë të qartë në këtë pikë dhe gjithë zhurma për letrën është pjesë e një zhurme folklorike në katundin e Partisë Demokratike, që ta themi qartë. Nuk ka lidhje fare me ne dhe me qeverinë dhe me marrëdhëniet ndërkombëtare e me Ukrainën, e me Rusinë e me të gjitha. Është një zhurmë brenda atij katundi mes të marrëve që kanë marrë peng qytetarët e mirë dhe të arsyeshëm demokrat.
– Ju si kreu i OSBE-së jeni njohës i mirë i konfliktit dhe i tensioneve në Ukrainë. Mendoni që Rusia është një rrezik real për një sulm ndaj Ukrainës dhe a rrezikon e gjithë Europa? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Unë ndaj mendimin e shumë të tjerëve, që ky është një konflikt goxha i rrezikshëm dhe tensioni në rritje është patjetër me një potencial rrezikshmërie të lartë dhe bëj pjesë në atë grup njerëzish që fatmirësisht nuk janë pak, që besojnë se rruga është bisedime, bisedime, bisedime me Rusinë, për të gjetur pika çtensionimi e për të hapur një proces shumë të vështirë dakordësimesh. Është diçka jashtëzakonisht e komplikuar nuk diskutohet, por nga ana tjetër ky është një nga ato raste kur ne jemi si të thuash ndajmë barrën me të mëdhenjtë e kësaj bote, por nuk kemi barrën e tyre, që është barra e marrjes së vendimeve përfundimtare. Unë uroj që vendimet e tyre të jenë të arsyeshme, të janë largpamëse e të jenë të bazuara tek vullneti për t’i zgjidhur problemet me bisedime. Këtë uroj, kështu që patjetër që konflikti është me një potencial rrezikshmërie shumë të lartë. Është shumë pak, por e sigurt.
– Zoti Rama, a ka lidhje ngritja e shtabit të forcave operacionale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në muajin janar që u njoftua me pikërisht çiftëzimi Shqipëri – SHBA lidhur me situatën për hartimin e një qëndrimi lidhur me situatën në Ukrainë?
Kryeministri Edi Rama: Në këtë botë të gjitha kanë lidhje. Kanë gjithmonë e më shumë lidhje gjërat dhe njerëzit në këtë botë se bota është gjithmonë e më e vogël, për shkak të numrit eksponencial të ndërveprimeve, kështu që me siguri që edhe kjo mund të ketë lidhje.
– Pasditen e djeshme, apeli i Gjykatës së Posaçme e dënoi ministrin tuaj kampion të qeverisë për shpërdorim detyre me 3.4 vite burg. A ishte surprizues për ju ky vendim dhe a pati mesazh sipas jush fjala e avokatit të tij mbrojtës i cili tha, “meqë Saimir Tahiri u dënua për shpërdorim detyre, atëherë politikanët e Shqipërisë duhet të vishen trashë se dimri do të jetë i ftohtë”.
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk komentoj asnjëherë vendimet e gjykatave, unë e kam ditur mirë çfarë kam bërë kur kam udhëhequr reformën në drejtësi dhe 100 herë të kthehesha mbrapsht, 100 herë do bëja të njëjtën gjë, por sot jemi këtu për një çështje krejt tjetër, me një rëndësi shumë të madhe dhe me një vlerë shumë pozitive për Shqipërinë, kështu që unë nuk do doja që të çfokusoheshim nga kjo çështje. Patjetër që për çështje të tjera përfshirë dhe ecurinë e reformës në drejtësi do të kemi plot kohë dhe mundësi të tjera të flasim.
– Në përballjen e 6 marsit përveç Partisë Demokratike do të keni dhe një aleancë të re mes ish kryeministrit Berisha dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Si e shihni këtë bashkim forcash?
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk shoh filxhan, por nuk ka nevojë të shohësh filxhan për ta paraparë para se të ndodhte këtë, madje nuk keni parë gjë akoma në këtë aspekt, kështu që mos u çudisni e jini të përgatitur se do shikoni gjëra shumë më interesante se kaq në frontin e Shtëpisë së Liries.
Faleminderit!