Ballina ED/OP Kohë për aleanca të reja? Kriza e Ukrainës dhe diplomacia e europianëve

Kohë për aleanca të reja? Kriza e Ukrainës dhe diplomacia e europianëve

 

Nga Andreas Noll

Në konfliktin e Ukrainës europianët po mundohen të gjejnë zgjidhje nëpërmjet formateve të ndryshme të bisedimeve, jo vetëm formatit të Normandisë. Kryeministri britanik po kërkon tani krijimin e një pakti të ri ushtarak.

Në Parlamentin ukrainas janë luajtur këtë javë skena të pazakonte. Dy duzina deputetësh u mblodhën rreth mikrofonit në podium duke mbajtur në duar flamuj të NATO-s dhe flamuj me ngjyrat kombëtare të shteteve aleate, në shenjë mirënjohjeje për ndihmën që vjen nga jashtë në konfliktin me Rusinë. Dy herë u pa dukshëm: Union Jack i Mbretërisë së Bashkuar.

Edhe kur kryeministri britanik Boris Johnson shkoi ditën e martë (01.02) në Kiev për një vizitë, flamujtë britanikë lëkundeshin në rrugët e kryeqytetit ukrainas. Duket hapur se Ukraina i është mirënjohëse kryeministrit që vjen nga Londra, i cili është goditur shumë në politikën e brendshme. Qeveria e Johnsonit i dërgoi Ukrainës javën e kaluar tanke mbrojtëse, ushtria britanike mëson ushtarët ukrainas dhe kreu konservator i qeverisë i premtoi tani Kievit që ndodhet në krizë, një ndihmë financiare prej 100 milionë eurosh.

Por Boris Johnsoni ka folur në Kiev me partnerët e tij edhe për një temë tjetër: për krijimin e një pakti ushtarak Londër, Varshavë, Kiev. Ministrja britanike e Jashtme pritej ta prezantonte projektin zyrtarisht ditën e mërkurë (03.02), por për shkak të gjendjes shëndetësore, Elizabeth Truss e anuloi prezantimin.

 

Kryeministri britanik vizitoi Kievin, 1 shkurt 2022

Ëndrra për të krijuar një Mini-NATO

Edhe pa prezantim zyrtar, ideja është siç thotë presidenti ukrainas i shtetit Volodymyr Selenskyj, për krijimin e një “aleance të vogël”, të cilën ai e quan “sinjal shprese “. Ministri i tij i Jashtëm, Dmytro Kuleba, tregon për arsyet: Synimi kryesor i Aleancës është forcimi i rripit të sigurisë dhe forcimi i Aksit Deti Baltik – Deti i Zi, duke pasur parasysh rëndësinë që ka për Ukraninën prezenca e marinës polake në Detin Baltik dhe prezenca e forcave të armatosura britanike në Detin e Zi, të cilat ndihmojnë forcat e armatosura ukrainase. „Ne nuk mund të presim që siguria dhe mirëqënia të vijnë dikur në të ardhmen, kur të bëhemi anëtar të BE dhe të NATO-s. Ne na duhen ato tani,” shpjegon ministri.