Policia në Bruksel përdori ujë e gaz lotsjellës për të shpërndarë protestat e dhunshme kundër vaksinimit dhe kufizimeve për frenimin e përhapjes së COVID-19. Protesta të dielën tërhoqi dhjetëra mijëra njerëz, disa prej të cilëve kishin ardhur nga Franca, Gjermania dhe vende të tjera.
Protesta në Bruksel pasoi ato në kryeqytetet e tjera evropiane të mbajtura të shtunën, në të cilat gjithashtu morën pjesë mijëra njerëz që kundërshtojnë të ashtuquajturat pasaporta të vaksinës dhe rregulla të tjera të vendosura nga qeveritë evropiane në përpjekjet për t’i dhënë fund pandemisë së koronavirusit.
Në Bruksel, demonstruesit brohorisnin “Liri!” ndërsa marshonin kundër bllokimeve. Autoritetet thanë se rreth 50 mijë vetë morën pjesë në këtë protestë dhe se pati përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë. Pamjet filmike tregonin protestues të veshur me të zeza duke sulmuar e thyer xhamat me sende të forta të një ndërtesë të përdorur nga shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian.
Protesta të ngjashme u zhvilluan edhe në Barcelonë e qytete të tjera evropiane./ Associated Press