Ballina Bota Baerbock: Gjermania gati të paguajë çmim të lartë ekonomik për të mbrojtur...

Baerbock: Gjermania gati të paguajë çmim të lartë ekonomik për të mbrojtur vlerat

 

Ministrja e Jashtme gjermane dhe homologu i saj rus diskutuan në Moskë për situatën në Ukrainë dhe tubacionin e gazit Nord Stream 2. Shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock paralajmëroi se Gjermania do të qëndrojë në mbrojtje të vlerave, edhe nëse kjo do të jetë e kushtueshme për ekonominë e vendit.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha se vendi i saj është gati të mbrojë vlerat themelore në një konflikt mes Rusisë dhe Ukrainës, edhe nëse duhet paguar një çmim i lartë ekonomik.

Këto komente ajo i bëri pas takimit që e pati sot me homologun e saj rus Sergei Lavrov në Moskë.

“Nuk kemi opsion tjetër, veç mbrojtjes së vlerave të përbashkëta, edhe nëse kjo ka një çmim të lartë ekonomik. Gjermania e ka përsëritur qëndrimin se në rast se energjia përdoret si armë, kjo do të ketë pasoja për gazjsellësin Nord Stream 2”, tha zonja Baerbock në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov, ndërsa shtoi se Berlini është gati për bisedime serioze me Rusinë për të përmirësuar situatën e sigurisë në të gjithë Evropën.

Ministrja Baerbock tha se grumbullimi i më shumë se 100 mijë trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën “pa një arsye të kuptueshme” është shqetësuese dhe “e vështirë që të mos shihet si një kërcënim”, prandaj ajo u bëri thirrjeve palëve që të diskutojnë në formatin e Normandisë.

Nga ana e tij, zoti Lavrov tha se politizimi i tubacionit të gazit natyror Nord Stream 2 – për të cilin Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se mund të jetë pjesë e sanksioneve nëse Rusia pushton Ukrainën – është kundërproduktiv.

“Ne shpjeguam se nuk mund të pranojmë asnjë kërkesë lidhur me veprimet e forcave tona të armatosura në tokën tonë”, tha zoti Lavrov ndërsa shtoi se Rusia nuk po e kërcënon askënd me asgjë dhe se janë të tjerët që po e kërcënojnë Rusinë.

Ai ritheksoi se këtë javë Rusia pret një përgjigje me shkrim nga ShBA dhe aleatët e saj lidhur me kërkesën e Moskës për garanci se NATO nuk do të zgjerohet përmes anëtarësimit të Ukrainës ose vendeve të tjera ish-sovjetike dhe se nuk do të vendosë forcat dhe armët e saj atje.

Uashingtoni dhe aleatët e tij i kundërshtuan kërkesat e Moskës gjatë takimit të javës së kaluar me palën ruse në Gjenevë dhe në takimin NATO-Rusi në Bruksel.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Sekretari Antony Blinken do të takohet me Ministren e Jashtme gjermane në Berlin pas takimit të së mërkurës me Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe Ministrin e Jashtën Dmytro Kuleba.

Zoti Blinken do të diskutojë angazhimet e fundit diplomatike me Rusinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të penguar agresionin e mëtejshëm rus kundër Ukrainës, duke përfshirë gatishmërinë e aleatëve dhe partnerëve për të vendosur sanksione masive dhe kosto të rënda ekonomike ndaj Rusisë”, thuhet në deklaratë.