Ballina ED/OP Çfarë po bën Evropa për ta zgjidhur krizën me gaz?

Çfarë po bën Evropa për ta zgjidhur krizën me gaz?

 

Kriza me gaz natyror po vazhdon në Evropë. Rezervat janë të ulëta dhe çmimet janë të larta e konsumatorët po përballen me fatura të shtrenjta të shërbimeve. Furnizuesi kryesor rus, Gazprom nuk po shet gaz siç shiste më parë.

E gjithë kjo situatë ngrit pyetjen: Si Evropa, që importon shumicën e energjisë, do t’ia dalë që gjatë dimrit të shmangë katastrofë me gaz, veçanërisht nëse sezoni i dimrit është më i ftohtë apo më i gjatë se zakonisht?

Më poshtë mund të mësoni se si Bashkimi Evropian, shtëpi e 447 milionë banorëve, po tenton që të ballafaqohet me krizën:

Problemi, niveli i ulët i rezervave

Kompanitë që shesin gaz u drejtohen depove ku ruhet gazi, që zakonisht janë depo nëntokësore, me qëllim që të mund t’i bëjnë ballë kërkesës shtesë për gaz që përdoret për ngrohje apo për elektricitet. Evropa e nisi vitin 2021 me depot e mbushura me gaz vetëm 56 për qind të kapacitetit, krahasuar me 73 për qind të një viti më parë.

Arsyet e mungesës së rezervave varijojnë: dimri i kaluar ishte shumë i ftohtë, mungesa e dërgesave ruse në treg dhe kërkesa e madhe në Azi për gaz të lëngshëm natyror, që transportohet përmes anijeve. Shoqata evropiane e operatorëve të tubacioneve të gazit tha se moti i ftohtë do të nënkuptojë se do të duhen të importohen 5 deri në 10 për qind më shumë gaz sesa vëllimet maksimale të blera në vitet e fundit, me qëllim që të shmanget kriza që do të çonte në mbyllje të bizneseve.

Çmimet u rritën si rezultat i mungesës së rezervave

Në Evropë, çmimi standard për një megavat në orë është rreth 80 euro, apo katërfish më i lartë sesa në fillim të vitit 2021 kur kushtonte 19 euro, ndërkaq, më 2020 çmimi për një megavat kishte qenë 4 euro. Çmimet janë ulur plot nëntë herë që prej fillimit të vitit të kaluara. Por, rritja e çmimeve ka ndikuar në rritjen e faturave, duke alarmuar konsumatorët dhe politikanët.

Evropa blen gaz me çmim të lartë

Analistët në Rystad Energy përdorën të dhënat nga gjurmimi i anijeve muajin e kaluar dhe panë 11 cisterna që sillnin gaz të lëngshëm natyror në Azi dhe më pas ktheheshin në mes të oqeanit për të përfituar nga shitjet përfituese në Evropë. Me çmimet kaq të larta, tregtarët u tunduan që të devijonin ngarkesat për në Evropë edhe nëse do të duhej që ofronin 100 për qind të çmimit si kompensim, thanë analistët në kompaninë e të dhënave, Energy Intelligence.

“Nuk do të thosha se gazi i lëngshëm natyror është 100 për qind i mjaftueshëm, por do të luajë një rol të rëndësishëm” në zgjidhjen e problemit të energjisë të Evropës, tha Xi Nan, shefe për tregjet me gaz të lëngshëm natyror në Rystad. Ajo paralajmëroi se kjo varet “se sa shumë Evropa është e gatshme të paguajë” për gaz.

Rusia nuk ka dërguar aq shumë gaz

Kompania shtetërore ruse, Gazprom po shet më pak gaz përmes kontratave afatshkurta përmes tubacionit që kalon nëpër Poloni dhe Ukrainë. Por, Gazprom nuk ka mbushur depot evropiane me gaz siç bën zakonisht, edhe pse duket se po zbaton të gjithat kontratat afatgjata.

Analistët besojnë se Rusia ndoshta kështu po shpreh dëshirën e saj që Evropa të miratojë lëshimin në përdorim të gazsjellësit rus në Gjermani, “Rrjedha Veriore 2”, tubacion që anashkalon Poloninë dhe Ukrainën. Por, në këtë kohë tensionet janë rritur midis Evropës dhe Rusisë për shkak të grumbullimit të mijëra trupave ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën.

Një dimër i butë, kyç për tejkalimin e krizës

Moti në Evropë dhe Azi deri më tani ka qenë relativisht i butë dhe më shumë gaz i lëngshëm është duke ardhur. Por, rritja e çmimeve ka detyruar industritë që të përdorin më pak gaz, duke reduktuar prodhimin. Ndërkaq, Norvegjia, që është një prej furnizuesve të Evropës, ka rritur dërgesat e gazit.

“Kjo do të thotë se mund ta kalojmë këtë dimër me dërgesat ruse, sado të vogla të jenë ato”, tha James Huckstepp, menaxher për Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën në kompaninë që merret me analiza të energjisë, S&P Global Platts.

“Nuk mund të them se kriza është tejkaluar sepse ende ka rrezik që temperaturat të bien dhe ka shumë pak gaz nëpër depo”.

Nëse ka ngrica të papritura “do të kemi skenarë më ekstremë dhe do të detyrohemi të kufizojmë përdorimin e gazit dhe kjo gjë do të fillonte nga industritë, por edhe konsumatorët janë në rrezik”, tha Huckstepp.

Në terma afatshkurtër

Qeveritë evropiane po ofrojnë subvencione me para të gatshme për konsumatorët, me qëllim që të zbusin krizën.

Suedia javën e kaluar njoftoi se do të ofronte 661 milionë dollarë për familjet më të prekura nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike.

Në terma afatgjatë

Zgjidhja qëndron në investimin më të madh në energjinë e ripërtërishme siç është prodhimi i energjisë përmes erës dhe paneleve diellore. Por, zyrtarët kanë pranuar se gazit do të luajë rol kyç në vitet e ardhshme derisa të ndodhë tranzicioni në energji të ripërtërishme.

Trazirat në Kazakistan përkeqësojnë situatën

Kazakistani, shtet i pasur me resurse, e furnizon Bashkimin Evropian me naftë – por, jo me gaz – dhe dërgesat e naftës janë penguar nga protestat e dhunshme që u nxitën pas rritjes së çmimeve të karburanteve.

Protestat më pas u reflektuan edhe në pakënaqësitë e mëdha të publikut ndaj Qeverisë autoritare të Kazakistanit.

Çka nëse gjithçka tjetër dështon?

Sipas legjislacionit të BE-së, shtetet anëtare duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën kurdo që ka mungesa të gazit. Qeveritë mund të shpallin gjendje emergjente për shkak të mungesës së gazit dhe mund të mbyllin industritë me qëllim që gazi të shkojë për qytetarët. Një gjë e tillë do ta dëmtonte ekonominë, por do ta shmangte një fatkeqësi humanitare dhe politike.

Në teori, kjo gjë do të kërkonte që dërgesat e gazit të kalonin kufijtë shtetërorë të shteteve anëtare të bllokut evropian. Në vitet e fundit, Evropa ka ndërtuar lidhje të tubacioneve, por ato nuk janë të mjaftueshme për ta mbuluar të gjithë kontinentin, duke lënë disa shtete më të ekspozuara ndaj mungesës së gazit.

Megjithatë, ky sistem i shpërndarjes së gazit nuk është testuar më parë dhe ka pikëpyetje lidhur me atë se sa shtetet do të kenë vullnet që ta ndajnë gazit gjatë krizave. Komisioni Evropian po punon për të rishikuar rregullat ku përfshihet edhe blerja e përbashkët e gazit, sipas vullnetit të lirë të shteteve anëtare, tha Ruven C. Fleming, një avokat për energjinë dhe profesor në Universitetin Groningen të Holandës.

Shqyrtimi i rregullave “është tregues i qartë se edhe nëse instalohen të gjitha mekanizmat, nuk mendoj se do të funksionojnë aq mirë”, tha Fleming./REL