Ballina Aktualitet Ky do të jetë vendi i parë në Europë që do të...

Ky do të jetë vendi i parë në Europë që do të ofrojë dozën e katërt të vaksinës kundër Covid

 

Danimarka u bë vendi i parë në Europë që shpalosi të mërkurën planet për të ofruar një dozë të katërt të vaksinës kundër Covid-19.

Shumë vende po e konsiderojnë aplikimin e dozës shtesë për të luftuar rritjen globale të infektimeve me koronavirus, pavarësisht se mungojnë provat për efektivitetin e një doze shtesë.

Ky vend do të ofrojë dozën e katërt për “qytetarët më vulnerabël”, tha të mërkurën Magnus Heunicke, ministri i shëndetësisë i Danimarkës gjatë një konference për shtyp.

Përveҫ Danimarkës, Kili dhe Izraeli janë dy vendet e vetme që kanë njoftuar aplikimin e dozave të katërta, të cilat kanë filluar të administrohen në të dyja këto vende te pjesa e popullsisë që plotëson kushtet për dozën shtesë.

Sipas Reuters, Heunicke nuk specifikoi se cilët qytetarë danezë do të kualifikohen për dozën e katërt dhe as se kur do të fillojë procesi i aplikimit të këtyre dozave.

Marco Cavaleri, përgjegjës për shpërndarjen e vaksinave në agjencinë rregullatore të barnave të Bashkimit Europian, tha të martën se miratimi i dozës së katërt të vaksinës ” nuk është një strategji e qëndrueshme dhe afatgjatë”. CEO i Pfizer, Albert Bourla, kompania e të cilit prodhon vaksinën Pfizer-BioNTech të Covid-19, shprehu gjithashtu dyshime ditën e hënë për miratimin e një doze të katërt, duke thënë se doza e katërt është “diçka që duhet të testohet”.

Danimarka raportoi 23,142 raste të reja të infektimeve me Covid-19 të mërkurën, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Kjo shifër është më shumë se 15 herë më e lartë se numri i rasteve të reja të raportuara në këtë vend më 12 dhjetor, sepse varianti tepër i transmetueshëm Omicron po përhapet anembanë vendit. Ekzistojnë shumë pak studime për efektet e dozës së katërt, por rezultatet paraprake të një studimi në Izrael zbuluan se antitrupat te njerëzit u rritën me më shumë se 500% një javë pas administrimit të dozës së katërt të vaksinës./ Forbes