Ballina Personazh 80 VITE SHQIPTARIE TË ATDHETARIT ALI DEMUSHI

80 VITE SHQIPTARIE TË ATDHETARIT ALI DEMUSHI

 

Nga: Halil AHMETI

Drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Kosovën

80 vite jetë të NënKolonel Ali Demushitoficer i Ushtrisë Shqiptare (sot në pension, në Shkodër), publicist e veprimtar i mirënjohur, sigurisht janë mbi mesataren moshore të sotme, por gjithsesi, ndër motmote, të mbushura me plot veprimtari jetësore aktive, me punë e rezultate të larta, me ngjarje e vlerësime të mira, me qëndrime dinjitare, me kujtime të bukura.

Ai është një nga “Djemtë e Geghysenit -Nderi i Kombit” të Malësisë së Gjakovës (Tropojës), vendlindja e tij, i cili më 14 të janarit 2022 i përploto 80 vjeç, duke gëzuar një shëndet të plotë dhe ndihet mjaft aktiv në jetën e përditshme.

Familja e Tij geghysenase për një dekadë kohore jetoi në qytetin e Pukës (1942-’52), ku e kreu filloren në Shkollën “Migjeni”. Me rikthimin e familjes në vendin e të parëve të tij, ku e përfundoi Shkollën, 7-vjeçaren më 1955. Pas kësaj, po atëvit, i vazhdoi studimet në Gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër, por i ndërpreu ato për arsye se kushtet për jetesë në Konviktin “Safet Spahia” ishin të vështira, ndaj, për pasojë, krijoi një ndërprerje dyvjeçare të arsimimit të tij (deri më 1957), kur i  filloi studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbeg” në Tiranë, me nxitjen e babait, i cili ishte një arsimdashës i përkushtuar për shkollimin e fëmijëve të Tij. Burimi kryesor i nxitjes për të vazhduar shkollë ushtarake, i dashurisë për ushtrinë shqiptare, ishte ushqyerja me tradita atdhetare e patriotike të trungut familjar e të familjes së Tij që kishte dëgjuar në bisedat familjare nga babai, të afërmit e moshuar si dhe nga shumë bashkëvendas tjerë.

1.

Dera e Demushit, trungu i tij familjar, paraardhësit e tij, ndër breza, në një hark kohor rreth dy shekuj e deri në ditët e sotme, kanë histori të një dinjiteti të lartë.

Islam Demushi i kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përndryshe dhe “Islam Pasha”, siç e ka pasë quejt populli në Malësi të Gjakovës e Rrafshin e Dukagjinit e deri në Portën e Lartë të Stambollit, për zgjuarësinë, trimërinë e veçanarisht për adhetarinë e Tij, i cili ka organizue e udhëheqë “Djelmninë e Geghysenitnë luftërat e zhvilluara kundër armiqve turkomanë, serbo-sllavë e çetniko- malazezë, si prijës i tyre në të gjitha betejat e zhvilluara, ku një nga këto që ka mbetur në historinë e Kombit tonë Shqiptar është pjesëmarrja direkt e Tij së bashku me Col e Qerim Delinë e Geghysenit, në rrethimin dhe asgjësimin e Mehmet Ali Pashës (Maxharr Pashës) më 1878– tën në Sarajet e Abdullah Pashë Drenit në Gjakovë, të cilin Porta e Lartë e Stambollit e kishte dërguar për t’ia dorëzuar Krahinën Shqiptare të PlavëGucisë, Malit të Zi, në zbatim të vendimit famëkeq e kriminal të Fuqive të mbledhura në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Konsulli Francez Luigji Hekardi në Shkodër, rreth Vitit 1853 në faqen 455 të veprës së tij madhore Historia dhe Përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose Gegërisë”, shkruan se Islam Demushi ishte një djalë i ri inteligjent”. Ky fakt vërteton atë që Islami duke qenë i tillë, ishte një udhëheqës i aftë për t’a udhëheqë djelmninë e Geghysenit në luftë kundër çdo armiku. Një tjetër fakt që tregon vendosmërinëprej atdhetari të devotshëm për mbrojtjen e trojeve Shqiptare dhe që ia rriti besimin në popull si udhëheqës besnik e i pathyeshëm, për Islam Demushin, ishte mos joshja e mos pranimi për të marrë floririn e ofruar nga Pashai Turk, për t`i mbushur mendjen që t`i largonte luftëtarët geghysenas nga fronti i luftës dhe ushtria turke të vazhdonte marrshimin në drejtimin Qafa e Kolçit Qafa e Agrit – Dukagjin e t`i binin Shkodrës me luftim për të bërë të mundur pushtimin e saj. Siç duhet ka mbetur e njohur në histori një nga betejat më të përgjakshme dhe e para në shkallë kombëtare, gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Lufta e Nokshiqit në dhjetor 1879 janar 1880, për mbrojtjen e krahinës së Plavë-Gucisë, ku krahas plavjanëve e hotjanëve, të komanduara nga Jakup Ferri, në b/veprim me afro 2000 forca të djelmënisë së Gashit e Krasniqes së Malësisë së Gjakovës, të drejtuara nga Ali Ibër Neza e Man Avdia e të ndihmuar fuqimisht nga trimat e Rugovës, me Sadri Bardhin në krye si dhe nga Forcat e Shkodrës me rrethina të komanduara nga Isuf Sokoli, i mundën keqas forcat e ushtrisë malazeze të Knjaz Nikollës, të komanduara nga Mark e Teodor Milani. Në ato luftime morën pjesë 40-të luftëtarë nga Geghyseni të udhëhequra nga Islam Demushi, i cili në këtë luftë kishte marrë me vete nipin e Tij, djalë të ri, Zenel Ahmet Demushin (ky babagjyshi i Ali Demushit). Luftimet më të përgjakshme në etapën e fundit, zgjatën rreth 4 orë, trup më trup e grykë më grykë, ku nuk bënte më punë pushka, por shpata e jatagani. Aq shumë gjak armiku u derdh sa u skuq Lumi Lim, në të cilin u hodhën e u mbytën me dhjetra e qindra ushtarë malazez, deri edhe pa kokë (me kokë tëprerë). Humbje të ndjeshme pati edhe në forcat tona. Në këtë betejë ra heroikisht Komandanti trim i Plavë– Gucisë Jakup Ferri, duke mbetur pishtar i pavdekshëm i Kombit tonë Shqiptar. Madhështinë e kësaj fitoreje e këndon lahutari nëpërmjet telit të lahutës duke nxjerrë në pah trimërinë e luftëtarëve Shqiptarë, ku ndër të tjera thotë:

” Mark Milani, Mark Milica/ Jem Malsia tan me plisa/, Jem me plisa e Jatagana,/Shoh asqerit çka t’i Bana/Në ujë ta mbyta/ Krenat ja ndala.”

Në këtë betejë për jetë a vdekje në krye të forcave të Krasniqes ishte Bajraktari i Dragobisë. Gjatë luftimeve të përgjakshme me malazezët vritet flamurtari i fisit e Flamurin (Bajrakun), por nuk vonon dhe atë Flamur të fisit e nxjerr nga kthetrat e armikut, me dyluftim vet trimi Islam Demushi. Sipas ligjit kanunor i takonte Islamit që ta mbante Flamurin(Bajrakun) e të vihej në krye të fisit të Krasniqes si bajraktar,por në konsultim e mirëkuptim me geghysenas të tjerë si me Col e Qerim Delinë, nuk e mbajti për vete Bajrakun e atë ia dorëzoi vllait të madh të fisit, të tij në Bujan, te Mulosmanët dhe që nga ajo kohë për bajraktarë të Krasniqes janë njohur Mulosmanët duke e trashëguar njëri mbas tjetrit.

Në gjurmët e Islam Demushit vazhdoi edhe vllai i Tij, Arif Demushi, i cili ishte pjesëmarrës i Kuvendit te Lidhjes Shqiptare të Pejës, nga e cila u kijua Lidhja e Pejës ose Besa-Besë, më 25 janar 1899, në vazhdim të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku Kryetar i saj u zgjodh Haxhi Zek Byberi i Malësisë së Gjakovës. Lidhja e Pejës hartoi një Rezolutë prej 11 pikash dhe “Aktin e Besës”prej 12 pikash, ku si detyrë kryesore u shtrua: Lufta kundër rrezikut të copëtimit të trojeve amëtare nga shtetet fqinjëShpalljen e Autonomisë së vendit, Shpallja e besës fetare e krahinore dhe Ndërprerja e gjakmarrjes ndërmjet shqiptarëve etj.

Në luftimet e zhvilluara kundër forcave turke të komanduara nga Xhavit Pasha në qershor të 190-tës, që përfaqësonin Xhonturqit (Turqit e Rinj), të cilët sulmuan Malësinë e Gjakovës, mori pjesë edhe djali i Islam Demushit, Sokol Islam Demushi i cili nën shembullin e të atit u shqua për trimëri.

Po kështu në ngritjen e Flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali dhe Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 mori pjesë vllai tjetër i Islamit, Arif Demushi me katër geghysenas të tjerë. Atje qëndruan një muaj në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës duke u bashkuar me Isa Boletinin e Bajram Currin. Malësia e Gjakovës ka përjetuar me shumë dhimbje masakrat e ushtrisë malazeze në vitet 1913 dhe 1915, të cilët vranë, prenë, dogjën e shkretuan Malësinë në mënyrën më barbare.

Kështu në 1915-tën Bajram Curri me Hasan Prishtinën organizuan qëndresën Popullore për të bërë të mundur dështimin e Operacionit të koduar “Patkoi”, që kishin hartuar armiqtë për pushtimin e Malësisë. Ishin geghysenasit të parët si çdo herë qëiu përgjigjën thirrjes “O bini djemt e Geghysenit, se na erdhi shkau te dera “dhe pa vonuar u ngritën me të madh e të vogël,me burra e gra në mbrojtje të vendit, jetës e nderit të tyre, ku një nga këta ishte Çelë Arif Demushi me vllazni, nipi i Islam Demushit.

Në luftimet që u zhvilluan në Geghysen më 15 qershor 1915 – të ra heroikisht Ukshin Avdyli i shtëpisë së Col e Qerim Delisë, në dyluftim me oficerin malazez, mbasi kishte vra tre ushtarë malazez. Njëkohësisht motra e Tij, Cuc Abdylja, vrau e plagosi me sakicë (sopatë) dy malazez, duke mbetur e plagosur por që mundi t’i shpëtojë asgjësimit. Qëndresën në këtë luftë të pa barabartë por me heroizëm të pashoq që armikut i shkaktoi humbje të ndjeshme e paraqet ndër të tjera kënga popullore – kushtrim mobilizimi për fitore. …..Bini djem e Bini çika/ Geghyseni me sakica (sopata) /Karadaku (Cerrnagora) me petica(pushkë)”. Në shenjë hakmarrje për humbjet e pësuara, forcat malazeze mundën të kapin rob 16-të geghysenas të cilët më 24 gusht 1915- i pushkatoi të lidhur dorë për dore, në Shkallën e Grisë dhe i hodhën në humnerë. Dera e Demushit në vazhdimsi nxorri djem e burra trima të zotë, që e mbajtën gjallë traditën atdhetare e patriotike të familjes së tyre, në vazhdimësi.

Kështu në vitet 20 e 30 të shekullit të kaluar, nga kjo derë shquhet Ukë Zenel Demushi (Gjyshi i Ali Demushit), i cili ishte një nga bashkëluftëtarët e Bajram Currin që kishte luftuar përkrah Tij në mbrojtjen e trojeve etnike Shqiptare. Ai me shumë geghysenas e krasniqas të tjerë luftoi në Shkup, Kosovë, Krumë, Tiranë e Durrës. Ishte pjesmarrës në Revolucionin Demokratik të Qershorit më 1924-trën. U vra në vitin 1932, siç u vranë edhe disa b/ luftarë të tjerë të Bajram Currit.

Atij, në shenjë hakmarrje, në vitin 1926 ia arrestojnë babain, Zenel Ahmet Demushi, e torturojnë atë në burgun e Tiranës deri sa paralizohet dhe pasi e liruan në atë gjendje jetoi deri në vitin 1941 nën kujdesin e nipave të Tij.

Gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë, populli i Tropojës që nga 7 prilli 1941, sulmoi të gjitha postat e karabinerisë Italiane të ndodhura brenda rrethit. Geghysenasit sulmuan postën në Vaun e Firzës dhe atë në fshatin Gri. Nga këto sulme italianët patën të vrarë, të plagosur e të zënë rob rreth 100 ushtarë. Gjatë këtyre luftimeve italianët mundën të kapin rob në fshatin ArvejBali Halil Demushin, të cilin e pushkatuan barbarisht të lidhur për një pemë në Vaun e Firzës dhe e hodhën në ujrat e Drinit, ku kufoma e tij nuk u gjend kurrë. Ai për aktin heroik në luftimet e zhvilluara kundër pushtuesve fashist Italianë, në vitin 1980-të është shpallur Dëshmor i Atdheut.

Pas pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939, Italia fashiste mobilizoi në radhët e ushtrisë së saj, me dhunë, shumë shqiptarëpër t’i përdorur mish për top duke i dërguar në frontin e Luftës Italo- Greke.

Nga fisi Demushi mobilizuan dy djem të rinj, Mujë Bajram Demushi dhe Brahim Ukë Demushi (Baba i Ali Demushit). Qëtë këta djem dezertuan nga ushtria Italiane. Mujon e kapën e burgosën sa në Tiranë e sa në Itali duke e torturuar derisa ndrroi jetë. Në vitin 1979 është shpallur Dëshmor i Atdheut. Brahim Ukë Demushi qe mobilizuar ushtar në vitin 1940, dhe inkuadruar në një bateri artilerie të mortajave-top 75/13mm, në Grupin “Skanderbeg” të Regjimentit 753 të Artilerisë së ushtrisë italiane. E gjithë bateria ishte me Shqiptarë, me Komandant baterie togerin dibran Siri Strazimiri, një atdhetar i vërtetë. Kjo bateri gjatë Luftës Italo- Greke ishte në detyrë luftarake në Kamenicë të Korçës. Ishte Brahimi Komandant topi që vet i dyti mbrojti me zjarr tërheqjen e baterisë nga fronti duke treguar një akt të rrallë trimërie.

Me mbrritjen e baterisë në Ullishtat e Elbasanit, në erresirën e natës organizoi bashkë me Brahim Halil Buçpapën arratisjen e disa ushtarëve të baterisë, duke njoftuar Komandantin Syri Strazimiri e marrë miratimin prej tij, pasi i drejtohet: Komandant ne kemi vendosur që të dezertojmë nga kjo ushtri se nuk duam të behemi mish për top për ushtrinë italiane në luftë me ushtrinë greke.

Brahim Demushi qëndroi një vit në arrati nga 28 Nëntori 1940 deri më 22 tetor 1941. Gjatë qëndrimit në arrati ai merr pjesë aktive në frontin e luftës kundër çetnikëve në Plavë e Guci, ku ndër të tjera nën breshërinë e plumbave të armikut merr kufomën e geghysenasit të vrarë tre ditë më parë dhe e varros në tokën e Plavës. Idriz Mulosmani ish sekretar i Komunës së Plavës e kujtonte Brahimin si një luftëtar trim me të cilin kishin luftuar kundër çetnikëve në Plavë e Guci.

Lufta Nac.Çl. e Shqipërisë, Brahimin e gjeti familjarisht në Qytetin e Pukës.

Nuk pati mundësi të merrte pjesë direkt në këtë luftë çlirimtare nga armiqtë nazifashistë, për pasojë të një sëmundje të rëndë tre vjeçare, që iu shfaq si shkak i qëndrimit në arrati, por shtëpia e Tij në Pukë ishte një nga bazat ku u strehuan, ushqyen e mjekuan disa partizanë gjatë luftës. Ishte kjo trashëgimi e Atdhetarizmit të trungut familjar e i familjes së Ali Demushit ndër breza, që ia ushqyen dëshirën për t`u bërë oficer i ushtrisëpër t’u ngja sadopak paraardhësve të Tij.

Kështu Aliu studioi e përfundoi Shkollën e mesme Ushtarake “Skenderbeg” në Tiranë nga Viti 1957-1961, me rezultate të mira. Pas përfundimit të kësaj shkolle e cila është quajtur “Fidanishtja” e ushtrisë, Aliu vazhdoi e përfundoi Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë nga Viti 1961-1963duke u titulluar Oficer me gradën N/ Toger.

Me përfundimin e shkollës dhe gradimin emërohet në Brigadën e Këmbësorisë (BrK) në Gramsh të Elbasanit. Atje shërbeu dy vjet 1963-1965, kryesisht në detyrën e Shefit të Fiskulturës, duke qenë njëkohesisht edhe sportist në Klubin Sportiv “Partizani” në sportin e atletikës dhe të qitjes me armë luftarake.

Me Urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, Aliu transferohet nga Gramshi, në BrK në Tropojë me gradën Toger dhe detyrë kryesisht të Shefit të stërvitjes duke mbuluar edhe atë të Fiskulturës.

Edhe në këtë njësi Ushtarake të rrethit Tropojë, qëndroi dy vjet dhe po me Urdhër tjetër të veçantë nga Korpusi Ushtarak i Shkodrës transferohet në BrK Vau Dejës në fund vitin 1967, në detyrën e Shefit të stërvitjes por pa grada sepse ato i hoqi shteti në të gjithë ushtrinë në maj të vitit 1966 , sipas modelit kinez.

Pa mbushur dy vjet të tjera, me Urdhër të Ministrit të Mbrojtjes emrohet Zv/Drejtor për edukimin Fiziko-Ushtarak në Gjimnazin ” 28 Nëntori” dhe Komandant i repartit që formonte kjo shkollë.

Në Gjimnazin 28 Nëntori të Shkodrës Aliu punoi për tetë vite rresht nga viti 1969-1977.

Më pas Aliun e gjejmë Komandant Shkollë të Lirë Ushtarake (SHLU) funksionar në Koplik dhe Komandant batalioni në Gruemirë të Malësisë së Madhe për një periudhë katër vjeçare.

Në vitet 1981-1983 studioi e përfundoi studimet e lartaAkademinë në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë me rezultate tëmira.

Pas përfundimit të Akademisë Aliu u rikthye në ish Korpusin e Shkodrës, ku u emrua nga Ministri i Mbrojtjes në disa detyra të nivelit të lartë e madhore si Shef Operativ e Shef Shtabi në dy BrK – rie. Komandant i Regjimentit të Rinisë Shkollore e Studentore në Qytetin e Shkodrës, si dhe Komandant i Regjimentit të Mbrojtjes Territoriale për Qytetin e Shkodrës, funksione në detyrë që nga viti 1983 deri në vitin 1998 me daljen në rezervë nga reforma në ushtri.

Me rivendosjen e gradave në Ushtri në vitin 1991 mori gradën N/ Kolonel të cilën e mbajti deri me daljen në pension.

Të gjitha detyrat që ka kryer në të gjitha funksionet drejtuese e komanduse, kanë patur një objektiv e qëllim të caktuar; përgatitjen dhe aftësimin fiziko-shtarak e atë luftarak të të gjithë efektivave të strukturave që ka drejtuar e komanduar si ato me ushtarë aktivë e rezervistë, nxënës e studentë dhe Forcat Vullnetare Territoriale, në shërbim e funksion të mbrojtjes së Atdheut, në kuadrin e përgjithshëm të mbrojtjes së Vendit. Me një planezim e organizim të mirë nga ana e Tij, të procesit mësimor e stërvitor, duke bërë me parë aftësimin e kuadrove aktive e rezerviste, ka bërë të mundur që vazhdimisht të ketë rezultate të nivelit mirë e lartë deri shembullore. Janë për t`u përmendur, mësimet e stërvitjet e hapura metodike e instruktivo metodike, stërvitjeve treguese e atyre me trupa kompaktësuese si dhe e stërvitjeve taktike me qitje luftarake apo garat e përgatitjes Fiziko-Ushtarak, përfshirë kampionatet në disiplina të ndryshme të aktiviteteve sportivo kalitëse me efektivat e strukturave, ku mund të përmendim për rezultate të larta batalionin e këmbësorisë në Gruemirë që për tre vjet rresht u shpall Shembullor në vitet 1879 – 1881, duke e nxjerrë nga niveli i dobtë ku kishte rënë, apo Gjimnazi 28 Nëntori që në inspekimet për stërvitje e gatishmëri dhe garat e përgatitjes luftarake nga Ministria e Mbrojtjes është vlerësuar një nga shkollat më të mira të vendit. Po kështu SHLU Koplik në vitet 70- të e vlerësuar si një nga më të mirat e Korpusit Ushtarak të Shkodrës për stërvitjen e të gjitha strukturave aktive e rezerviste. Gjithashtu Regjimenti i Rinisë Shkollore e Studentore është dalluar për realizim të mirë të procesit mësimor e stërvitor si dhe për mbajtjen e gatishmërisë në nivelin e kërkesave të kohës.

Gjate karrierës së Tij mbi 40-të vjeçare në radhët e ushtrisë N/Kolonel Ali Demushi, në etapa të ndryshme ka kontribuar si sportist në Klubin Sportiv “Partizani “si atlet e qitës. Po kështu ka mbuluar ekipin e qitjes sportive të Klubit Sportiv “Vllaznia”,duke qenë antar i kryesisë së tij.

Kontribut të veçantë ka dhënë në hapjen e rrugës automobilistike qyteti B.Curri- Dragobi -Valbonë, me forcat rezerviste të disa njësive ushtarake.

Po kështu ka kontribuar në vitin 1970 për ndërtimin e hekurudhës Elbasan – Labinot me nxënësit e Gjimnazit “28Nëntori ” të Shkodrës.

Pas daljes në reformë në vitin 1998-1999, kur zhvilloheshin luftimet për çlirimin e Kosovës, ka kontribuar, për dërgimin e shumë djemve të rinj kosovar (të ardhur në Shkodër), në frontin e luftës në kufirin në mes zonës së Tropojës me Kosharen e Kosovës, ku për këtë kishte rënë në dakort me Sali Çekaj (tashmë Hero i Luftës së Kosovës i rënë në Betejën Vendimtare për çarjen e kufirit në Koshare.) Duam të vëmë në dukje se dy vëllezër (Ushtarakë) të Ali Demushit për kontributin që kanëdhënë për çlirimin e Kosovës, janë shpallur nga Qeveria e Kosovës “Veteranë të Luftës së Kosovës”, ku njëri prej tyre është i plagosur nga forcat serbe gjatë luftimeve.

Për kryerjen e detyrave në fushën e mbrojtjes, me përkushtim e punë të ndërgjegjeshme, me profesionalizëm e kompetencë, gjatë punës mbi 45 vjeçare në radhët e ushtrisë, N/ Kolonel Aliu është vlerësuar me dekorime, me urdhra e medalje dhe tituj shembullor .

Po kështu vlerësime Mirënjoheje, ka marrë nga disa Shoqata Atdhetaro-Patriotike e Kulturore si brenda vendit dhe në Kosovë, pas daljes në pension sepse ai edhe pas daljes në pension nuk e ka pushuar aktivizimin dhe kontributin në interes të komunitetit e Çështjes Kombëtare.

Kështu ai është i zgjedhur Kryetar i OBVL-së Dega Shkodër, Antar i Kryesisë së Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë, Dega Shkodër, Antar i Kryesisë sëShoqatës “Drini” Shkodër – Gjakovë, Zv/Drejtor i Gazetës së Alpeve për Qarkun e Shkodrës, ku këto detyra i ka kryer më sëmiri.

Aliu merr pjesë edhe në veprimtaritë e disa shoqatave si brenda vendit dhe në trojet e tjera Shqiptare si në GjakovëDeçan të Kosovës dhe Plavë– Gucisë në Mal të Zi.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm në jetën e Aliut është fakti se ky i mbështetur nga prindrit shumë arsimdashës, ka kontribuar për shkollimin e vllezërve e motrave po kështu edhe për dy djemtë e tij si detyrim prindror, ku të gjithë sot kanë krijuar familjet e tyre e në përgjithësi punojnë e jetojnë normalisht.

Krahas kësaj veprimtarie jetësore, Aliu studion e shkruan në shtypin e kohës, kryesisht në Gazetën “Veterani” të OBVL- së dhe Gazetën e Alpeve.

Por Aliu dallohet edhe për mardhëniet e mira me komunitetin ku jeton në Qytetin e Shkodrës në të cilin ka një njohje mbi 50- të vjeçare. Por duhet thënë një fakt real se Aliu e ka pikë të dobtë, vendlindjen, Malësinë e Gjakovës, Geghysenin e Tij “Nderi i Kombit” e mund të themi se mesatarisht në çdo dy muaj shkon atje, rrin, kuvendon e bën vizita në të afërm, shokë e miq për raste gëzimi dhe raste ngushëllimesh, në shenjë detyrimi si traditë e Tropojës. Pas njoftimit që dha Gazeta jonë e Alpeve, jo pa qëllim për 80- të vjetorin e lindjes të N/ Kolonel Ali Demushi që mbushet me 14 janar 2022, u pa mjaft qartë respekti që gëzon Komandant Aliu në shoqëri kudo ku ka punuar e jetuar, duke folur për figurën e tij me mjaft superlativa, ku veçanrisht veçohen ish nxënës e studentë Tropojanë që kanë studjuar në Shkodër, të cilët e kanë patur siç shprehet një prej tyre, “Ambasador” të tyre në Shkodër, që vazhdimisht është kujdesur e interesuar për mbarvajtjen e tyre në mësimesistemimin në konvikte e plotësimin e kushteve të jetesës, në bashkëpunim me drejtoritë e konvikteve. Ka prej tyre që kanë dhënë mendimin që Këshilli Bashkiak i Tropojës ta vlerësojë me dhënien e Titullit “Qytetar Nderi”.

Në përfundim mund të thuhet se jo gjithçka ka shkuar si në vaj gjatë jetës së tij. Në këtë udhëtim ka patur pengesa e vështirësi të krijuar nga goditjet keqdashëse me shpifje, intriga,inate e çmirëzi fshatareske, nga persona të veshur me pushtet partiak në sistemin e kaluar, të cilët jeta tashmë i ka seleksionuar si të padenjë për të jetuar në këtë shoqëri të lirë Demokratike.Ishte këmbëngulja e Aliut, guximi dhe pastërtia e tij që mundësuan përmbysjen e atyre pengesave dhe diskreditimin e personave të përfshirë në atë punë të pistë. Aliu proceset Demokratike dhe reformat në ushtri i mirëpriti duke kontribuar në këtë aspekt por ajo që e mundon është brenga e madhe që shkaktoi shkatërrimi i vendit dhe veçanërisht i ushtrisë.

Në mbyllje të këtij shkrimi për N/Kolonel Ali Demushi në këtë 80- të vjetor të lindjes së Tij, nuk mbetet tjetër veçse Urimi “Të rrojë sa më gjatë, me shendet të plotë në gjirin e familjes e shoqërisë.

Halil AHMETI

Drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Kosovën

Gjakovë, 30 dhjetor 2021