Ballina ED/OP A e ka guximin Albin Kurti të përballet me “peshqit e mëdhenj?!

A e ka guximin Albin Kurti të përballet me “peshqit e mëdhenj?!

 

Shkruan: Florim Zeqa         12.01.2022

Pas ardhjes në pushtet të LVV-së, gjatë bisedës me një mik timin (njohës i mirë i Albin Kurtit) rrethë mundësisë së arrestimit të “peshqve të mëdhenj”, më ishte përgjigjur në këtë mënyrë; mbaje mend çfarë po të themë; Albin Kurti as që do ta ketë guximin t’iu afrohet “peshve të mëdhenj” e lërë më t’i arrestoj dhe konfiskojë pasuritë e tyre miliardëshe”!

Çfarë panë qytetarët për këta 10 muaj të qeverisjes Kurti 2

Populli i zhgënjyer i Kosovës i dha votën Albin Kurtit duke i besuar në premtimet elektorale, pra duke i besuar në fjalët e mëdha për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për reformimin e thellë të prokurorive dhe gjykatave, përkatësisht për VETTING-un në sistemin e drejtësisë, për zhvillimin e premtuar ekonomik dhe rritjen e mirëqenjes së qytetarëve.

Nga premtimet megalomane të Albin Kurtit, qytetarët panë vetëm shkarkim politik të bordeve dhe agjensioneve, shkarkim të stafit diplomatik, gjegjësisht shkarkim tëambasadorëve dhe konsujve të Kosovës në shtetet e ndryshme dhe emrime politike dhe nepotike në të gjitha anët, duke u bërë kopje e qeverive të kaluara!

Policia e Kosovës, gjegjësisht njësia speciale “ROSU” paraprakisht zbarkimit në barakat dhe tendat e “peshqëve të vegjël”, është dashur të zbarkojë në shtëpitë luksoze dhe rezidencat voluminoze e të fortëve të politikës, qofshin ata në pushtet apo opozitë, në veri apo jug, aty ku është kupola e korrupsionit dhe krimit të organizuar ekonomik, për të arrestuar “peshqit e mëdhenj” pa pasur nevojë të bëjë spektakle televizive.

Arrestimi i “peshqve të mëdhenj” ishte premtim i kahmotshëm i EULEX-it, por edhe premtim i freskët elektoral i kryeministrit aktual, Albin Kurti si opozitarë!

Prandaj, i pari që duhet të japë përgjigje pse nuk po hetohen dhe gjykohen lëndët e “peshqve të mëdhenj”, gjegjësisht të politikanëve të profilit të lartë në Kosovë është kryeministri Albin Kurti, për shkak se në pushtet erdhi me premtimet e mëdha për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta!

Qytetarët e Kosovës ende i kanë të freskëta në memorien e tyre të gjitha premtimet elektorale të Albin Kurtit, vargu i të cilave është i gjatë dhe i pambarim!

Demolimi i barakave të “lojrave të fatit” në Karaçevë dhe i tendave të “prodhimit të kriptovalutave” në veri dhe jug të Mitrovicës si dhe “identifikimi” i Villave luksoze të politikanëve të nivelit të lartë në Brezovicë, nuk janë gjë tjetër veçse kapje e problemit nga bishti e jo nga koka!

Emrat e “peshve të mëdhenj” jo që nuk janë të panjohur për kryeministrin Albin Kurti, jo që nuk janë të panjohur për prokuroritë dhe gjykatat tona, madje edhe qytetarët e rëndomtë janë në dijeni se kush janë pronarët faktik të lojrave të fatit, se kush janë pronarët faktik të “minierave” të kriptovalutave, se kush janë pronarët faktik të villave dhe restoraneve luksoze, se kush janë pronarët faktik të pikave të karburanteve, se kush janë pronarët faktik të gurëthyesve dhe çdo biznesi fitimprurës në Kosovë.

Oqeani i kontaminuar politik i Kosovës

Politika i ngjetë një oqeani me peshq të vegjël e të mëdhenjë. Përderisa peshqit e vegjël për ushqim kanë gjallesat e vogla nënujore, peshqit e mëdhenj ushqehen me peshqit e vegjël.

Ashtu sikurse jeta e peshqve në Oqean, është edhe jeta e politikanëve në oqeanin politik, ku gjithnjë politikanët e mëdhenj ushqehen nga politikanët e vegjël.

Sa herë që turbullohen “ujërat” në politikë, të parët që e pësojnë janë peshqit e vegjël!

Sepse, ata janë të parët që duhet të sakrifikohen për të shpëtuar “lëkurën” peshqit e mëdhenj!

Si asnjëherë më parë, edhe kësaj radhe janë turbulluar aq shumë “ujërat” politike, ku në sipërfaqe po dalin vetëm “peshqit e vegjël”, saqë nuk po dihet më, cili do të jetë fati i “peshqve të mëdhenj”; a do të bien në grepin e prokurorisë apo do të shpëtojnë fare nga drejtësia përgjumosur kosovare?!

‘Qeveria Kurti 2’ kopje e qeverive të kaluara

‘Qeveria Kurti 2’ u bë kopje e qeverive të kaluara edhe në aspektin vizuel të spektakleve televizive të aksioneve në Veri të vendit dhe me arrestimin e “peshqve të vegjël” në pjesën veriore dhe jugore të vendit, pa e pasur guximin për t’i shqetësuar “peshqit e mëdhenj” apo kupolat e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet e larta!

Të gjithë politikanët pa dallim, pushtetar dhe opozitar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me nëntokën kriminale në Kosovë dhe sekserët e tyre në Diasporë, në fokusin e tyre politikë nuk e kanë pasur asnjëherë interesin dhe mirëqënjen e qytetarëve, por sy e mendje i kanë si të pasurohen në mënyrë të paligjshme duke e rrjepur popullin dhe zhvatur buxhetin e shtetit të Kosovës.

Kosova, gjegjësisht qytetarët e saj, po izolohen (pa) drejtësisht nga bashkësia ndërkombëtare shkaku i kësaj klase politike, e cila është bërë objekt i studimit dhe analizës në shtetet e Perëndimit, se si arritën për një kohë relativisht të shkurtër të bëhen supermilionerë të përmasave botërore kundrejt një popullate skajshmërisht të varfër”.

Izolimi i politikanëve tanë në arenën ndërkombëtare duhet të shërbejë si alarm për qytetarët e vendit, dhe nëse përsëri në zgjedhjet e ardhshme i votojnë këta politikanë do të vazhdojë të izolohet Kosova, në vend se të izolohen politikanët!

Tashmë qytetarët janë lodhur me maskarada mashtruese si nga qeveritë paraprake, ashtu

edhe nga aktualja, e cila e ka fuqinë politike dhe përgjegjësinë historike për kapjen sa më parë të “peshqve të mëdhenj”. Në të kundërtën do të përballet me pakënaqësitë e qytetarëve për mosmbajtje të premtimeve elektorale.