Ballina Aktualitet SHBA, nga e shtuna falas testet për COVID-19 që bëhen në shtëpi

SHBA, nga e shtuna falas testet për COVID-19 që bëhen në shtëpi

 

UASHINGTON – Duke u nisur nga dita e shtunë, kompanitë private të siguracionit shëndetësor duhet të mbulojnë kostot për klientët e tyre për deri në tetë teste në muaj për COVID-19. Administrata e Presidentit Biden e njoftoi ndryshimin të hënën, ndërsa po përpiqet të ulë kostot dhe ta bëjë më të lehtë testimin për virusin, ndërkohë që irritimi është në rritje.

Sipas politikës së re, të bërë të ditur nga agjensia e lajmeve Associated Press, amerikanët do të jenë në gjendje të marrin falas teste shtëpie duke paraqitur të dhënat e siguracionit të tyre, ose do të mund të paraqesin faturat për rimbursim për testet e blera, deri në arritjen e limitit mujor. Një familje prej katër personash p.sh., mund të rimbursohet për deri në 32 teste në muaj. Kostot për testet laboratorike PCR dhe testet e shpejta të porositura nga mjeku do të vazhdojnë të jenë plotësisht të mbuluara nga kompanitë e siguracionit shëndetësor, pa ndonjë limit.

Presidenti Joe Biden u përball me kritika gjatë sezonit të festave për mungesën e testeve të shpejta që mund të bëhen në shtëpi, ndërsa amerikanët udhëtonin për të parë familjarët mes rritjes së rasteve nga varianti më i transmetueshëm Omicron. Tashmë administrata po punon për t’i bërë më të disponueshme testet e shtëpisë për COVID-19, duke rritur furnizimin dhe duke ulur kostot.

Më vonë këtë muaj, qeveria federale do të hapë një faqe interneti për të filluar vënien në dispozicion të 500 milionë testeve për COVID-19 në shtëpi përmes postës. Administrata gjithashtu po rrit vendet e testimit të shpejtë të urgjencës në zonat që përjetojnë rritjet më të mëdha të infektimeve.

Testimi i mbuluar nga siguracioni do të reduktonte në mënyrë dramatike kostot për shumë amerikanë dhe administrata shpreson që duke lehtësuar një pengesë për testimin më të rregullt në shtëpi, mund të ndihmojë në ngadalësimin e përhapjes së virusit, t’i rikthejë fëmijët në shkolla më shpejt dhe t’i ndihmojë njerëzit të mblidhen të sigurtë.