Ballina Bota Zjarri në Nju Jork, nga më vdekjeprurësit në qytet në tre dekada

Zjarri në Nju Jork, nga më vdekjeprurësit në qytet në tre dekada

 

Një zjarr në një kompleks apartamentesh në Bronks të Nju Jorkut që shkaktoi vdekjen e 17 vetëve njerëz, përfshirë tetë fëmijë, u shkaktua nga një ngrohës elektrik në një prej apartamenteve. Zjarri i së dielës, ishte njëri nga më vdekjeprurësit në qytetin e Nju Jorkut në tre dekada. Më parë u njoftua për 19 të vrarë, në mesin e tyre 9 fëmijë, por kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams të hënën bëri një korrigjim, duke thënë se tani numri i viktimave të zjarrit në Bronks është 17.

Autoritetet e qytetit të Nju Jorkut thanë se zjarri që përfshiu katin e dytë dhe të tretë të pallatit me 19 kate u shkaktua nga një ngrohës elektrik portativ.

“Zjarri filloi nga një ngrohës elektrik portativ që pësoi një defekt. Ky ishte shkaku i zjarrit. Zjarri dogji dhomën ku ndodhej ngrohësi elektrik dhe më pas u përhap në apartamentin që shtrihej në dy kate, si edhe korridorin e ndërtesës. Dera e apartamentit për fat të keq, kur banorët u larguan, mbeti e hapur, ajo nuk u mbyll vetvetiu. Tymi u përhap në të gjithë ndërtesën, duke shkaktuar vdekjen e kaq shumë njerëzve dhe shtrimin e shumë të tjerëve në spitalet e Bronksit”, tha komisionieri i Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut, Dan Nigro.

Zoti Nigro tha se po vazhdojnë hetimet për të kuptuar se si tymi u përhap në të gjithë ndërtesën dhe hollësitë e tjera mbi zjarrin.

Disa banorë, të bllokuar në banesat e tyre, thyen xhamat e dritareve për marrë ajër dhe vendosën peshqirë të lagur poshtë dyerve për të ndalur hyrjen e tymit. Një burrë, i shpëtuar nga zjarrfikësit tha se ishte mësuar me alarmet e shpeshta false dhe fillimisht nuk mendoi se situata ishte serioze.

“Ishte e frikshme. Isha më shumë e shqetësuar për familjen time se sa për veten”,tha Winter Thomas, e cila së bashku me familjen arriti të largohej nga kati i nëntë i ndërtesës së djegur.

Ajo thotë se ndërtesa nuk ishte e pajisur me sistemin spërkatës kundër zjarreve.

Disa banorë “nuk mundën të shpëtonin për shkak të vëllimit të tymit”, tha Komisioneri i Departamentit të Zjarrfikësve, Dan Nigro.

Stefan Ringel, një këshilltar i lartë i kryebashkiakut Eric Adams, tha se fëmijët që humbën jetën nga zjarri ishin 16 vjeç ose më të vegjël. Shumë nga banorët e ndërtesës ishin me origjinë nga vendet e Afrikës Perëndimore si Gambia, tha kryebashkiaku Adams, dhe kishte një komunitet të madh mysliman.

Rreth 200 zjarrfikës shkuan në vendin e ngjarjes të dielën rreth orës 11 për të shpëtuar banorët e bllokuar dhe për të shuajtur zjarrin.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati nga Nju Jorku Chuck Schumer, falënderoi zjarrfikësit në konferencën për shtyp.

“Ata gjithmonë nxitojnë drejt rrezikut. Ata nuk shqetësohen për veten e tyre, ata thjesht ndihmojnë të tjerët”, tha senatori Schumer.

Ky është numri më i lartë i viktimave nga zjarri në qytetin e Nju Jorkut që nga viti 1990, kur po në Bronks nga zjarri në lokalin “Happy Land” humbën jetën 87 njerëz.