Ballina Rajoni Qeveria e Maqedonisë së Veriut konfirmohet në janar/ Xhaferri: U shmang kriza...

Qeveria e Maqedonisë së Veriut konfirmohet në janar/ Xhaferri: U shmang kriza e re politike

 

Kryetari i parlamentit në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferri konfirmon se në gjysmën e dytë të muajit janar vendi do të jetë nën drejtimin e qeverisë së re. Afatet sipas Kushtetutës kanë nisur të llogariten pas dorëheqjes së Zoran Zaev, ndërsa nuk priten surpriza pasi marrëveshja me partinë opozitare “Alternativa” garanton shumicën parlamentare me 64 deputetë.

TALAT XHAFERRI

KRYETAR I PARLAMENTIT, MAQEDONI E VERIUT

“Pritshmëritë janë që të jetë 28, 29 dhjetor dhënia e mandatit, mandatarit të ri, dhe nga ai moment që madatari i ri merr mandatin sipas rregullave tona në afat prej 20 ditëve mandatari i ri duhet të dalë me propozim përbërje personale të stafit, kabinetit qeveritar, dhe programin qeveritar me të cilin do të punojë qeveria e re dhe pritshmëritë janë që ato afate të jenë të përshpejtuara dhe Republika e Maqedonisë së Veriut më së voni deri më 17, 18 janar të ketë përbërjen e re, gjegjësisht qeverinë e re”.

 

Duke i’u referuar përvojës në 13 vitet e fundit, kryeparlamentari vëren se është thelbësore të respektohet cikli katër vjeçar i zgjedhjeve të rregullta, pasi kriza politike cenon ndër të tjera edhe marrëdhëniet me fqinjët dhe ato ndërkombëtare.

“Është shmangur një krizë e re politike për faktin që Republika e Maqedonisë së Veriut nga 2008 e këndej pesë cikle zgjedhore parlamentare janë të parakohshme dhe me përcaktim kushtetues zgjedhjet e parakohshme janë përjashtim si rregull, për fat të keq, përjashtimi është vërë rregull tanimë dhe në këtë kontekst mendoj që ne duhet t’i kthehemi rregullit katërvjeçar të zgjedhjeve parlamentare. Kriza politike gjithsesi që do të dëmtonte edhe vendin dhe interesat e qytetarëve këtu, por edhe proceset do t’i dëmtonte.”

Dorëheqja zyrtare e kryeministrit Zoran Zaev, dy ditë më parë ka shkarkuar nga detyra të gjithë kabinetin qeveritar, i cili do të mbetet në detyrë deri në miratimin e ekzekutivit të ri.