Ballina Aktualitet FDA miraton ilaçin e parë antiviral që trajton COVID-in

FDA miraton ilaçin e parë antiviral që trajton COVID-in

 

Kompania farmaceutike Pfizer Inc njoftoi të mërkurën se Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka dhënë miratimin për përdorim në raste urgjente të ilaçit të saj antiviral kundër COVID-19. Ky është trajtimi i parë që mund të merret në shtëpi e që pritet të bëhet një mjet i rëndësishëm në luftën kundër përhapjes me shpejtësi të variantit Omicron.

Provat klinike të Pfizer-it treguan se ilaçi i quajtur Paxlovid ishte 90% efektiv në parandalimin e shtrimeve në spital dhe vdekjeve tek pacientët me rrezik të lartë për t’u prekur rëndë nga sëmundja. Të dhënat e fundit laboratorike sugjerojnë se ilaçi e ruan efektivitetin e tij edhe ndaj variantit Omicron.

Agjencia tha se autorizoi ilaçin, për trajtimin e rasteve të lehta dhe mesatare të sëmundjes për personat nga 12 vjeç e lart, të cilët janë në rrezik të lartë të preken nga format e rënda të sëmundjes.

Ilaçi merret vetëm me recetë dhe trajtimi me të duhet të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur pas diagnostikimit me COVID-19 ose brenda pesë ditëve nga fillimi i simptomave, tha agjencia.

Një tjetër ilaç që merret nga goja i kompanisë Merck & Co, që është ende nën shqyrtim nga FDA-ja, ka treguar efikasitet më të ulët krahasuar me ilaçin e kompanisë Pfizer. Sipas të dhënave, ilaçi i Merck-ut, Molnupiravir, reduktonte shtrimet në spital dhe vdekjet tek pacientët me rrezik të lartë, me rreth 30%.