Ballina Aktualitet Bosnja po humbet shumë të rinj nga emigracioni, për shkak të arsimit...

Bosnja po humbet shumë të rinj nga emigracioni, për shkak të arsimit të dobët dhe papunësisë

 

Studentja e arkitekturës Arijana Pirusic është një nga 23,000 të rinjtë që planifikojnë të largohen nga Bosnjë-Hercegovina, në kërkim të arsimit më të mirë, ose mundësive më të mira për punësim, që nuk mund t’i gjejnë në atdheun e tyre të trazuar.

Një studim i ri nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), zbuloi se 47% e boshnjakëve – ose 269,000 persona – të moshës 18-29 vjeç, po mendojnë të largohen nga vendi përkohësisht, ose përgjithmonë, sepse janë të pakënaqur me mungesën e vendeve të punës, shërbimet e dobëta publike dhe korrupsionin e përhapur.

Pirusic, 23 vjeçe, e cila është duke përfunduar një diplomë master në arkitekturë në Universitetin e Sarajevës, do ta kalojë semestrin e fundit në Universitetin e Shtutgartit në Gjermani, në kuadër të programit të shkëmbimit të studentëve Erasmus, nga Bashkimi Europian.

Por ajo gjithashtu planifikon të kërkojë punë jashtë vendit. “Këtu nuk ka perspektivë për arkitektët e rinj, mund të fitohet veçse një pagë minimale”, tha Pirusic.

Ajo shtoi se të gjitha sferat e jetës në vendin e vogël ballkanik, janë të prekura nga korrupsioni dhe se të rinjtë e kanë të vështirë të gjejnë punë pa lidhje politike, apo familjare. Rritja ekonomike, reformat dhe investimet në Bosnjë janë penguar, për shkak të përçarjeve të vazhdueshme etnike që nga lufta e viteve 1992-95, së bashku me korrupsionin e përhapur, nepotizmin dhe krimin e organizuar.

Shkalla e papunësisë te boshnjakët e moshës 15-29 vjeç, ishte 34% në vitin 2019, sipas shifrave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

Një raport nga UNFPA në fillim të këtij viti zbuloi se mesatarisht 50,000-55,000 njerëz – kryesisht punëtorë dhe profesionistë të kualifikuar, largohen nga Bosnja çdo vit. Organizata paralajmëroi se nëse një eksod i tillë do të vazhdojë, popullsia e Bosnjës mund të bjerë në më pak se 1.6 milionë banorë deri në vitin 2070, nga rreth 3 milionë banorë të tanishëm.

“Tani e dimë se 23,000 nga ata 50,000 banorë, janë të rinj të moshës 18 deri në 29 vjeç”, tha John Kennedy Mosoti, përfaqësuesi i organizatës UNFPA në Bosnjë. “Kjo duhet të alarmojë çdo vend, çdo segment të shoqërisë, duhet të alarmojë politikanët dhe biznesmenët”, tha ai.

Në të vërtetë, kompanitë në të gjithë Bosnjën, po ankohen gjithnjë e më shumë për mungesën e punëtorëve të kualifikuar. Disa prej tyre, si Cromex, një prodhues i pjesëve metalike në qytetin verior Prijedor, po ofrojnë trajnime profesionale dhe paga më konkurruese.

“Ne po i mbajmë me vështirësi punëtorët tanë këtu, – tha menaxheri i përgjithshëm i Cromex, Enes Pehlic. – Nuk mund t’i ndalojmë njerëzit të shkojnë jashtë vendit pasi të kenë përfunduar trajnimin, megjithëse jo të gjithë do të largohen”.

Stefan Kotroman, 17 vjeç, një praktikant në Cromex, i cili është mirënjohës që mund të mësojë zanatin e saldimit, nuk dëshiron të largohet. “Nëse e gjeni rrugën tuaj këtu dhe mësoni zanatin, nuk ka nevojë të largoheni nga vendi”, tha Kotroman për Reuters.