“Nëse Rusia sulmon Ukrainën, duhet bërë kujdes edhe me Ballkanin”, paralajmëron ministrja ukrainase për çështjet e veteranëve, Julia Laputina, një ish-oficere e zbulimit ushtarak dhe njohëse e mirë e taktikave ushtarake ruse.
Laputina thotë se shpërthimi i një konflikti, nuk do të qëndrojë brenda kufijve të vendit të saj. “Po ndodhi gjë këtej, shikoni dhe Ballkanin.
Ajo që rusët po bëjnë tani në Serbi duhet vëzhguar me kujdes, sepse po përpiqen të tensionojnë situatën në rajon dhe kjo na risjell në kujtesë sesi nisi Lufta e Dytë”, thotë ministrja, e cila beson se agresioni rus mund të provokojë Luftën e Tretë Botërore.
“Gjeopolitikisht, një skenar i tillë është i mundur. I duhet kushtuar vëmendje çështjes së Ukrainës për sigurinë e të gjithë kontinentit”, shton ajo. Sipas Laputinës, nëse shpërthen lufta, 400 mijë ushtarakë jo aktivë në vend, janë të gatshëm të rrokin armët. Kur separatistët pro-rusë pushtuan territore në lindje të Ukrainës pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014-tën, mjaft të rinj ukrainas dolën asokohe vullnetarë për të mbrojtur vendin e tyre.