Ballina Rajoni Shkupi shpreson në nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE

Shkupi shpreson në nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE

 

Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut shpresojnë në fillimin e shpejt të bisedimeve të anëtarësimit evropian, pavarësisht konkluzioneve të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, që më 14 dhjetor nuk ka afat se kur mund të mbahen konferencat e para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski tha se optimizmin e tij për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE e bazon në deklarimet e kryeministrit të ri bullgar, Kiril Petkov.

Petkov ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev dhe ka thënë se shumë shpejt do të formohen grupet punuese, të cilat, deri në fillim të muajit të ardhshëm do të hartojnë një plan veprimi për forcimin e raporteve ndërfqinjësore, në të gjitha fushat.

“Për mua është i pranueshëm pozicioni i kryeministrit bullgar, se historia nuk duhet të jetë kanali i vetëm i komunikimit mes dy vendeve, pasi duhet të flasim edhe për infrastrukturën, energjetikën, ekonominë, shkëmbimin tregtar, për integrimin evropian, të drejtat e njeriut, pandeminë, dhe jo vetëm për atë se çfarë ka ndodhur para tre apo pesë shekujve. Kjo është një qasje moderne që unë e mbështes, por jo edhe afatin kohor prej gjashtë muajve, pasi besoj se problemi mes nesh mund të zgjidhet në një afat më të shkurtër kohor”, ka deklaruar presidenti Stevo Pendarovski, të mërkurën në Prishtinë, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai e ka përjashtuar çdo mundësi për destabilizim në Maqedoninë e Veriut për shkak të mosmarrjes së datës, duke theksuar se paralajmërime të tilla kishte edhe në vitin 2008, kur në Samitin e Bukureshtit Maqedonia e Veriut nuk u anëtarësua në Aleancën Veri-Atlantike (NATO).

Edhe Qeveria maqedonase beson në marrëveshje të shpejtë me Bullgarinë, pas deklaratës së kryeministrit të ri bullgar se dy vendet duhet të merren më shumë me të ardhmen.

Vllado Buçkovski, përfaqësues i posaçëm i Qeverisë në bisedime me Bullgarinë, tha se pikëpamjet e kryeministrit të ri bullgar janë të pranueshme dhe beson se deri më 15 janar mund të ketë rezultate pozitive.

“Sikur te ne, ashtu edhe te bullgarët ka mungesë të besimit…ky është problemi kryesor, deklarata e tyre të famshme që është miratuar në Kuvendin bullgar, na ka krijuar probleme serioze në dy vjetët e fundit. Ne pretendojmë se me atë deklaratë kemi rënë në qorrsokak nga i cili nuk mund të dalim. Ata pretendojnë se është provokuar nga ne, sepse komisioni i përbashkët i historisë nuk ka punuar sipas pritjeve të tyre. Tani, jam i bindur se në takimet e grupeve punuese ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për temat si infrastruktura, ekonomia, kultura, arsimi, ne do të mund të tregojmë se kemi bërë përgatitje serioze për të ecur para”, tha Buçkovski.

Por, qëndrim krejt të kundërt ka opozita, si ajo maqedonase, ashtu edhe ajo shqiptare.

Partia opozitare maqedonase, VRMO DPMNE ka thënë se konkluzionet e miratuara nga blloku evropian janë dështim për Qeverinë maqedonase, pasi sipas kësaj partie, ekzekutivi “dështoi edhe një herë në premtimet se deri në fund të këtij viti, do të marrë datën për bisedime me BE-në”.

Nënkryetari i VMRO DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, tha të martën se pas dështimit të radhës së Qeverisë, zgjedhjet e parakohshme janë alternativë e vetme për nxjerrjen e Maqedonisë së Veriut nga kriza në të cilën është përfshirë.

“Maqedonia, nuk e di për të cilin vit me radhë nuk po e merr datën për fillimin e bisedimeve. Kjo nuk do të ndodhë edhe këtë vit. Që nga viti 2017, partitë në pushtet premtojnë se kjo do të ndodhë këtë apo vitin tjetër. Kjo qeveri është e paaftë dhe e korruptuar, andaj edhe duhet të largohet sa më parë. Ne kërkojmë zgjedhje të parakohshme, si mundësi e vetme për dalja nga situata në të cilën ndodhemi”, ka deklaruar Nikollovski.

Partia shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët vlerëson se Maqedonia e Veriut jo vetëm që nuk mori datën për nisjen e bisedimeve me BE-në, por konkluzionet e miratuara, sipas deputetit të kësaj partie, Halil Snopçe, flasin për ngecje të reformave në shumë sfera, si në luftën kundër korrupsionit, reformat në gjyqësor, polici, administratën publike dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucione.

“Natyrisht se regjimi për gjitha këto do të fajësojë Bullgarinë, por qytetarët tanimë e dinë të vërtetën dhe nuk kanë asnjë pritshmëri nga ky pushtet i kriminalizuar, i cili, çdo ditë punon kundër vlerave evropiane. Këta, për 20 vjet fshihen pas integrimeve evropiane për të mbushur xhepat e tyre dhe për të varfëruar qytetarin, ndërsa integrimin evropian, si synim strategjik të vendit, e kanë shndërruar si farsë me dështimet e tyre të njëpasnjëshme”, ka deklaruar Snopçe.

Maqedonia e Veriut në samitin e BE-së në nëntor të vitit 2020, nuk e mori datën për shkak të vetos bullgare. Sofja kërkonte nga Maqedonia e Veriut që të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë e saj, por kishte edhe kërkesa tjera lidhur me pakicën bullgare. Por, qeveria e re që drejtohet nga Kiril Petkov, ka dalë me qasje të re, duke insistuar në formimin e grupeve të punës, të cilat do të bisedonin edhe për çështje tjera, përskaj atyre të historisë.

“Ne do të përdorim grupet e punës për të gjetur zgjidhje për çështje të tilla si aktiviteti i përbashkët ekonomik, infrastruktura, kultura e historia. Besoj se një klimë pozitive do të hapte rrugën për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut”, ka thënë kryeministri bullgar, Kiril Petkov.